Vrasja e Bledarit - Djali im nuk i kishte borxh askujt, nuk i kishte bërë keq askujt. Ai u vra teksa ecte me duar në xhepa në trotuar
Dyshimet e Maries - Unë dyshoj se me vrasjen e djalit tim ka lidhje familja Koliçi. Kjo, pasi veprimet e policisë i bëri ata të dyshonin te Bledari
Apeli për drejtësinë - Do të pres zbardhjen e vrasjes deri të premten, kur bëjmë të nëntat, e pastaj shteti do të përballet me mua. Do t’i kërkoj llogari
Edmond Hoxhaj
Për të gjetur banesën e 33-vjeçarit Bledar Balliu, që u ekzekutua me shtatë plumba mbrëmjen e 27 qershorit teksa ecte në trotuar, nuk është dhe aq e lehtë. Në gjendjen civile të qytetit të Fierit, ai figuron si banor i lagjes “Kastrioti”. Por, nga banorët e kësaj lagjeje mësojmë se familja e tij e ka shitur tashmë prej vitesh banesën dhe ka ndërtuar një shtëpi tjetër në fshatin Plyk të Komunës Portëz të Rrethit të Fierit.
Ky fshat ndodhet rreth pesë kilometra larg qytetit të Fierit, por, për të mbërritur atje, autoveturës i nevojiten rreth 20 minuta për shkak të rrugës automobilistike krejt të amortizuar. Teksa hyn në fshat, në horizont shfaqet minareja e një xhamie, dhe ndërsa duhen edhe pak metra për të mbërritur aty, në anën e djathtë të rrugës vërehet një banesë njëkatëshe e lyer me bojë të verdhë, ku hyjnë e dalin njerëz.
Familja Balliu
Tek shikon gratë e veshura me të zeza, të lindin menjëherë dyshimet se ajo është banesa e Bledarit. Tek dera na pret daja i tij, i cili na fton të shkojmë brenda në këtë shtëpi, ku prej tetë ditësh morti është ulur këmbëkryq. Ajo që të bie menjëherë në sy në dhomën e pritjes është fotoja e zmadhuar e Bledarit, ku ai mban të veshur xhaketë e kravatë. Fotoja është vendosur me kujdes mbi oxhak dhe në të dyja anët dy qirinj i bëjnë dritë. E veshur krejt në të zeza, e heshtur dhe e mpirë, qëndron e ulur në një nga divanet e dhomës nëna e Bledarit, Marie Balliu. Aty pranë qëndrojnë edhe motra e babai i tij, Petref Balliu. Dhimbja e heshtur ndihet kudo dhe të afërm, miq e shokë të familjes Balliu vijnë për t’i ngushëlluar për humbjen e djalit të tyre 33-vjeçar.
Teksa u japim ngushëllimet tona dhe prezantohemi si reporter i gazetës “Shqip”, Maria, nëna e Bledarit, nuk e përmban dot më veten e shpërthen në lot. “Djalin ma çoi drejt vdekjes vetë shteti. Djali më iku e nuk kthehet më. Ku t’i gjejë nëna forcat tani për të kërkuar drejtësi, për të kërkuar të vërtetën? Cili është vrasësi dhe pse u vra djali im?”. Kështu pyet nëna e Bledarit, dhe ngashërehet. Ndërkaq ajo mbledh veten, merr në prehër foton e të birit dhe pranon të tregojë dhimbjen dhe mërinë që ndien.
“Projektimi i vrasjes”
Nëna e Bledarit, Maria, nxjerr në dritë dyshimet e saj, se vrasësit e Bledarit e kishin projektuar mirë dhe në detaje prej kohësh ekzekutimin e tij. Ajo pohon se ka qenë e motra e saj që ka pasur dyshime, për shkak të dy makinave të panjohura që kishin qarkulluar në lagje.
“Sapo mbërritëm, na pritën familjarët tanë që jetojnë në Fier, po edhe këtu në Plyk. Motra ime, që jeton në shtëpinë që kemi pasur ne dikur në qytetin e Fierit, të cilën ia kemi shitur asaj vite më parë, më tha se tri ditët e fundit, para se Bledari të vritej, dy makina të dyshimta kishin qarkulluar aty pranë”, pohon nëna e Bledar Balliut, duke shtuar se e gjithë ngjarja mund të jetë e organizuar kohë më parë.
“Motra më tha se ishin dy makina luksoze, një ‘Audi’ dhe një ‘BMW X5’, që nuk ishin parë kurrë në atë lagje dhe patrullonin sa andej-këndej gjatë gjithë ditës. Pse duhej të vinin vërdallë makinat aty? Unë dyshoj se vrasësit po kërkonin djalin tim ta vrisnin. Dyshoj se në ato makina kanë qenë vrasësit e Bledarit tim, që jetonte në Tiranë pa e ditur se çfarë po e priste”, thotë Maria.
“Shok me Aleksandrin”
Maria rrëfen se familja Balliu dhe Koliçi kanë qenë fqinje më parë, madje dy djemtë kanë qenë edhe shokë. Ajo thotë se Bledari nuk kishte shkak për të vrarë Aleksandrin, ndërsa beson se e gjithë kjo situatë ka ardhur nga paaftësia e shtetit, policisë dhe prokurorisë.
“Ne kemi qenë dikur fqinj me familjen Koliçi dhe djemtë tanë janë rritur bashkë. Bledari nuk kishte asnjë shkak për ta vrarë Aleksandrin”, thotë e pikëlluar Maria, duke saktësuar se “shteti, policia, me paaftësinë e tyre na krijuan hasmëri. Vetë shteti na futi në hasmëri, edhe pse ishte vetë shteti që e cilësoi të pafajshëm Bledarin për vrasjen e Aleksandër Koliçit. Unë dyshoj se im bir u vra për këtë arsye”.
Dyshimet te “Koliçët”
Familja Balliu pohon se pret që shteti të zbardhë vrasjen e djalit të tyre, Bledarit, ndërsa pohojnë se edhe ata kanë dyshimet e tyre për ngjarjen e datës 27 qershor. “Unë dyshoj se me vrasjen e djalit tim ka lidhje familja Koliçi. Kjo, pasi shteti dhe policia, me veprimet që kreu, i bëri ata të dyshonin se Bledari ishte autori i vrasjes së Aleksandrit”, pohon Maria, duke dhënë edhe “ndihmesën” për organet e drejtësisë. Në prononcimin për gazetën “Shqip”, pohon se një nga vëllezërit e Aleksandër Koliçit nuk ndodhet në Shqipëri. “Mesa di unë, një nga vëllezërit e tij tani nuk ndodhet në Shqipëri dhe dyshoj se largimi i tij mund të ketë të bëjë me vrasjen e Bledarit”, thotë Maria, që shpeshherë shqipton fjalët se “ma vrau shteti”.
INTERVISTA
Ne jetojmë prej vitesh jashtë shtetit, në Greqi. Kur na e thanë, u mpimë nga dhimbja, nuk u besonim dot veshëve. Nuk e priste askush prej nesh një gjë të tillë. Djali im nuk i kishte borxh askujt, nuk i kishte bërë keq askujt. Ai u vra teksa ecte me duar në xhepa në trotuar.
Cila mendoni se është arsyeja pse e vranë djalin tuaj?
Unë fajësoj shtetin për vrasjen e djalit tim. Shteti e arrestoi tim bir dhe e cilësoi si autor të vrasjes së Aleksandër Koliçit. Por, djali im nuk ka pasur lidhje fare me vrasjen e Aleksandrit. Edhe vetë policia e prokuroria e liruan pas disa ditësh si të pafajshëm djalin tim, Bledarin tim. Por, shteti, policia, me paaftësinë e tyre na krijuan një hasmëri. Vetë shteti na futi në hasmëri, edhe pse ishte vetë shteti që e cilësoi të pafajshëm Bledarin për vrasjen e Aleksandër Koliçit. Unë dyshoj se im bir u vra për këtë arsye.
Sipas jush, cila është arsyeja?
Po mundohem të shpjegoj gjithë rrethanat me më shumë detaje. Djali im nuk ka pasur asnjë lloj lidhje me vrasjen e Aleksandrit. Po të kishte pasur lidhje, ai do kishte shkuar jashtë shtetit apo do të fshihej, nuk do të bënte xhiro me duar në xhepa në mes të Tiranës. Mesa di unë, vendi ku e qëlluan djalin tim është mjaft i populluar dhe ka lëvizje deri në orët e vona të natës. Kjo do të thotë që im bir nuk ruhej nga asnjëri dhe ecte në mes të qytetit ashtu si gjithë të tjerët. Ai nuk kishte bërë gjë dhe nuk kishte pse të ruhej. Por shteti e arrestoi dhe e cilësoi si autor të vrasjes së Aleksandrit. Kjo bëri që familja dhe të afërmit e Aleksandër Koliçit të dyshonin apo të besonin se Bledari kishte vërtet lidhje me atë vrasje. Shteti vetë me atë që bëri, duke e cilësuar djalin tim të pafajshëm si autor të vrasjes, e futi atë dhe ne bashkë në hasmëri. Shteti na futi në hasmëri duke e ditur shumë mirë se djali im ishte i pafajshëm. Unë quaj si fajtor kryesor shtetin për këtë gjë. Shteti na e vrau dhe shteti duhet të gjejë sa më shpejt autorin.
Kështu, ju dyshoni se në vrasjen e djalit tuaj mund të ketë lidhje arrestimi i tij për vrasjen e Aleksandër Koliçit?
Unë dyshoj se me vrasjen e djalit tim ka lidhje familja Koliçi. Kjo, pasi shteti dhe policia me veprimet që kreu, i bëri ata të dyshonin se Bledari ishte autori i vrasjes sw Aleksandrit. Mesa di unë, një nga vëllezërit e tij, tani nuk ndodhet në Shqipëri dhe dyshoj se largimi i tij mund të ketë të bëjë me vrasjen e Bledarit. Por, unë i kërkoj shtetit ta zbardhë sa më shpejt autorësinë e vrasjes së djalit tim. Po pres prej shtatë ditësh plot dhimbje e mundime që vetëm një nënë mund t’i njohë, për të respektuar kujtimin e djalit tim. Do pres deri të premten, kur bëjmë të nëntat, e pastaj shteti do përballet me mua. Do t’i kërkoj llogari shtetit deri në një për atë që më bëri. Shteti duhet të më japë llogari për atë që më shkaktoi. Policia duhet të gjejë autorët. Tani djali im nuk kthehet më, por të paktën të vihet drejtësia në vend.
Hasmëria - Shteti vetë me atë që bëri, duke e cilësuar djalin tim të pafajshëm si autor të vrasjes, e futi atë dhe ne bashkë në hasmëri
Pres drejtësi - Po pres drejtësi prej shtatë ditësh plot dhimbje e mundime që vetëm një nënë mund t’i njohë, për të respektuar kujtimin e djalit tim
27 qershor - Ndodhi vrasja e Bledar Balliut, në afërsi të shkollës së mesme “Petro Nini Luarasi”. U qëllua teksa po ecte në trotuar
7 plumba - Pistolete i morën jetën 33-vjeçarit fierak. Ai u qëllua vetëm pak metra larg vendit ku u vra një vit më parë Aleksandër Koliçi
15 korrik - Të vitit 2011 u arrestua Bledar Balliu, i akuzuar në atë kohë nga policia dhe prokuroria për vrasjen e shokut të tij
40 ditë - Më vonë, pas arrestimit, Balliu u lirua. Drejtësia pohoi se nuk kishte asnjë provë që 33-vjeçari të jetë autori i vrasjes
2006, arrestimet - Balliu dhe Koliçi u arrestuan me urdhër të Krimeve të Rënda për përfshirje në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike
2008, dënimet - Balliu u dënua me 8 vite burg, ndërsa Aleksandër Koliçi, për shkak të bashkëpunimit me drejtësinë, u dënua me 4 vite burg
Ngjarja
Shtatë plumba pistolete i morën jetën 33-vjeçarit Bledar Balliu, mbrëmjen e 27 qershorit. I riu fierak u qëllua teksa po ecte në trotuar pak metra larg gjimnazit “Petro Nini Luarasi në Tiranë”, aty ku rreth një vit më parë u ekzekutua ish-fqinji dhe shoku i tij, Aleksandër Koliçi. Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, ka qenë një mesoburrë, ai i cili ka shkrehur mbi Balliun gjithë krehrin e fishekëve të pistoletës. Bledar Balliu u arrestua rreth një vit më parë si autor i dyshuar i vrasjes së Aleksandër Koliçit. Por 40 ditë pas ndalimit të tij u lirua për mungesë provash. Të dy të rinjtë u prangosën në vitin 2006 gjatë operacionit të koduar “Poter-Al”, si të akuzuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Por, pas arrestimit të shtatë të dyshuarve si bashkëpunëtorë në trafikun e lëndëve narkotike, lindën edhe armiqësitë mes grupit, pasi mendonin se njëri prej tyre, Aleksandër Koliçi, kishte bashkëpunuar me drejtësinë. Policia pretendonte se Balliu kishte lidhje me vrasjen e Koliçit. Por 33-vjeçari Balliu paraqiti një alibi të pakundërshtueshme. Dëshmia e një shokut të tij, si dhe pamjet filmike të një lokali ku Bledar Balliu figuronte të kishte qenë gjatë kohës që u vra Koliçi i dhanë atij biletën e lirisë, për t’u ekzekutuar një vit më vonë, nga persona ende të paidentifikuar.