Proporcionali


“Bojkoti” i zgjedhjeve nga partitë, KQZ emëron vetë komisionerët


Kolegji – Kolegji Zgjedhor do të ketë tetë anëtarë. PS dhe PD nuk do të kenë të drejtën që të skartojnë gjyqtarët si dikur, nëse nuk u pëlqejnë emrat


Të vegjlit – Partitë e vogla kanë korrur një minisukses, pasi elefantët e politikës kanë pranuar që të shqyrtojnë paketën e sistemit zgjedhor


12 korrik – Deri më 12 korrik, partitë politike duhet të përfundojnë reformën zgjedhore. Pika që ndan palët është formula e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve


BLEDAR HOTI


Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore miraton një pjesë të konsiderueshme të neneve të kodit, por ajo që cilësohet si “patatja e nxehtë” e politikës, përbërja e KQZ-së, nuk diskutohet. “Kaluan tre kapituj, pra kapitulli i KQZ-së, kapitulli i ankimit administrativ dhe kapitulli i ankimit gjyqësor si dhe nenet për të cilat palët kanë dhënë dakordësi. Çështjet që i takojnë pikërisht problemit më sensitiv që kanë të bëjnë me barazinë e palëve në procesin administrativ janë ende në diskutim. Formula e KQZ është një nga çështjet në diskutim e sipër”, tha eksperti i PS-së në këtë komision, Bledar Çuçi. Në mbledhjen e djeshme mësohet se kreu i PR-së, Fatmir Mediu, ka paraqitur kërkesën që të merren në konsideratë propozimet për rishikimin e sistemit. “Morëm një përgjigje nga përfaqësuesit e komisionit, që komisioni i ekspertëve pranë Komisionit të Reformës Zgjedhore do të shqyrtojë kërkesat tona dhe më pas, do të procedohet më tej me një diskutim me partitë politike që kanë përcjellë këto propozime konkrete. Shpresoj që të mos përjashtohet askush nga ky lloj diskutimi, aq më tepër forcat politike parlamentare dhe joparlamentare, të cilat kanë të drejtën për të pasur zërin dhe gjykimin e tyre për reformën zgjedhore, në shërbim të qytetarëve shqiptarë”, tha pas mbledhjes kryerepublikani Mediu. Eksperti socialist, Çuçi, në lidhje me këtë çështje theksoi se “nuk pati dakordësi mes palëve, pasi bashkëkryetari demokrat, Ilir Rusmali, kërkoi që propozimi të shqyrtohet edhe një herë nga ‘të vegjlit’ dhe të risillet në komision”. “Pati një propozim nga bashkëkryetari Gjiknuri që ditën e hënë të bëhej një seancë dëgjimore dhe të fillohej diskutimi për kërkesën e partive të vogla, por nuk u ra dakord në komision. Bashkëkryetari demokrat i kërkoi ekspertëve ta eksplorojnë dhe një herë kërkesën që kanë bërë partitë e vogla në lidhje me ndryshimin e sistemit dhe ta risjellin për diskutim në komision”, theksoi Çuçi.


Ndryshimet


Në ndryshimet e fundit të Kodit Zgjedhor, partitë ranë dakord që t’u japin fund manovrave për bllokimin e zgjedhjeve me anë të komisionerëve. Ky fenomen i braktisjes së komisionerëve do të marrë fund pikërisht me këtë ndërhyrje të bërë në nenin 29 të Kodit Zgjedhor. “Nëse partitë politike të shumicës parlamentare dhe të opozitës parlamentare, që kanë të drejtë të paraqesin kandidatura për KZAZ-të, nuk e ushtrojnë këtë të drejtë në afatin e përcaktuar në pikën 2, të nenit 28, të këtij kodi, kjo e drejtë u kalon automatikisht partive që vijnë në radhë me numër vendesh në Kuvend, pas të parave, brenda grupimit përkatës. Kur kjo nuk është e mundur, propozimet bëhen sipas pikës 1, shkronja ‘a’ të këtij neni. Nëse edhe këto parti nuk propozojnë anëtarë, KQZ-ja emëron kryesisht anëtarët e KZAZ-së, deri në plotësimin e numrit të nevojshëm të anëtarëve për vendimmarrje. Anëtarët e emëruar kryesisht qëndrojnë në detyrë deri në emërimin e anëtarëve të propozuar nga partitë politike, sipas këtij neni. Zëvendësimi duhet të kryhet jo më vonë se 30 ditë nga dita e zgjedhjeve. Në rastin e zgjedhjeve të parakohshme, zëvendësimi kryhet jo më vonë se pesë ditë përpara zgjedhjeve. Procedurat për seleksionimin dhe trajnimin e personave që mund të emërohen kryesisht përcaktohen nga KQZ me udhëzim të veçantë”, thuhet në këtë ndryshim. Ndërsa për Kolegjin Zgjedhor, PD dhe PS iu hiqet e drejta e eliminimit të gjyqtarëve gjatë hedhjes së shortit.