Nënkryetari i komisionit: Trafiku i armëve, pjesë e hetimit ndaj Imamit


8 grupe: Komisioni ka miratuar 8 grupe pune të deputetëve për të nisur verifikimin në Ministrinë e Mbrojtjes mbi çështje të ndryshme


31 tetor 2012: Afatet e mbikëqyrjes parlamentare do të përfshijnë periudhat 10 korrik-30 korrik dhe 1 shtator-31 tetor 2012


Është disi e vështirë për t’u besuar, pasi nxënësi, si normë, bën ashtu siç e mëson mësuesi. Rasti i mësuesit të këtyre, zoti Sali, është krejt i kundërt. Ju sjell në vëmendje se çfarë qëndrimi mbajti ai kur “New York Times” akuzonte përfshirjen e të birit në aferën e Gërdecit


Për mendimin tim, diçka tjetër fshihet pas kësaj, diçka shumë e madhe, saqë nuk fshihet dot pas ombrellës së Saliut. Arsyet e vërteta të dorëheqjes së zotit Zylaj, jam i bindur që do të mësohen nga opinioni publik në një kohë jo të largët


BLEDAR HOTI


Nënkryetari i Komisionit Parlamentar të Sigurisë, Ilir Gjoni, në intervistën për gazetën “Shqip” thotë se rregullsia dhe ligjshmëria e zhvillimit të tregtisë së armëve dhe municioneve do të jetë objekt i punës mbikëqyrëse të këtij komisioni. Në lidhje me dorëheqjen e shefit të SHIU-t, Zyla, i përfolur si i përfshirë në një trafik armësh, Gjoni shprehet se “për mendimin tim diçka tjetër fshihet pas kësaj, diçka shumë e madhe, saqë nuk fshihet dot pas ombrellës së Saliut. Arsyet e vërteta të dorëheqjes së zotit Zylaj, jam i bindur që do të mësohen nga opinioni publik në një kohë jo të largët”.


Zoti Gjoni, disa ditë më parë, ju së bashku me kolegët e tjerë në Komisionin e Sigurisë ishit në Ministrinë e Mbrojtjes për të paraqitur planin e kontrollit të këtij dikasteri. Ku konsiston një kontroll, në cilat çështje do të përqendrohet?


Siç jeni në dijeni, mbledhja e Komisionit të Sigurisë të Kuvendit të Shqipërisë e datës 18.05.2012, ku ka qenë i pranishëm dhe ministri i Mbrojtjes, unanimisht ka vendosur që të ushtrojë mbikëqyrje të zbatimit të legjislacionit në ministrinë e Mbrojtjes për fushat, si më poshtë, të ndara në grupe pune, në përbërje të të cilave janë deputetët e komisionit të Sigurisë: 1. Për të kontrolluar zbatimin e ligjit për gradat, grupi i punës do të përbëhet nga: Osman Metalla, Arben Çuko, Luan Skuqi, Paulin Sterkaj; 2. Për Planin e përhapjes së Forcave të Armatosura, grupi i punës do të jetë: Fatos Hoxha, Osman Metalla, Ndriçim Babasi, Piro Lutaj, Ilir Gjoni; 3. Për paketën ligjore në Forcat e Armatosura: Osman Metalla, Ndue Paluca, Luan Skuqi, Xhemal Qefalia, Asllan Dogjani; 4. Për kapacitetet Operacionale: Fatos Hoxha, Lefter Maliqi, Vasillaq Ngresi, Gazmir Bizhga, Skënder Hasa; 5. Për Buxhetin 2011: Osman Metalla, Adrian Turku, Piro Lutaj, Armando Prengaj; 6. Për veprimtarinë e MEIKO-s 2011: Osman Metalla, Adrian Turku, Gjok Uldedaj, Ilir Gjoni, Paulin Sterkaj; 7. Për veprimtarinë e SHIU-t: Osman Metalla, Ndue Paluca, Ilir Gjoni, Piro Lutaj; 8. Për përmbushjen e detyrave të lëna nga ATC 2011: Osman Metalla, Luan Skuqi, Ilir Gjoni, Xhemal Qefalia. Afatet e mbikëqyrjes do të përfshijnë periudhat 10 korrik- 30 korrik dhe 1 shtator- 31 tetor 2012.


Që në ditën e parë duket se ju krijuan artifica të ndryshme. Të tilla ishin pritja për një kohë të gjatë në hollin e ministrisë. Ju ka kanë kërkuar certifikatën e sigurisë për deputetët, për dokumentet që do ju vihen në dispozicion. Por në ditën që ju trokitët në ministrinë e Mbrojtjes, ministri Imami deklaroi se e lashë opozitën të hynte se i dhimbseshit atij. Si i komentoni këto qëndrime të mazhorancës?


Pikësëpari, dua të bëj një diferencim mes qëndrimit të ministrit Imami dhe atij të mbajtur nga përfaqësuesit e mazhorancës në Komisionin e Sigurisë. Ndërsa këta të fundit kanë miratuar me konsensus e pa debat mbikëqyrjen dhe tematikat e Komisionit ndaj ministrisë së Mbrojtjes, qëndrimi i ministrit është krejt refraktar, aspak etik, më pak i mençur dhe hiç demokratik. Një nga parimet bazë të demokracisë është transparenca e llogaridhënia si dhe kontrolli civil mbi FA-në. Objekti i mbikëqyrjes së Komisionit të Sigurisë është zbatueshmëria e Ligjit, pasi është pikërisht moszbatimi i ligjeve që është kthyer në një nga sindromat e degjenerimit të pushtetit ekzekutiv, që shprehet si nga qytetarët, ashtu edhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Sa për faktin që i qenkemi dhimbsur zotit Imami, besoj se publiku e kupton fare lehtë se kush është bërë për të ardhur keq. Ndoshta vapa e korrikut ka bërë efektet e saj.


Në lidhje me certifikimin, dua të sqaroj që ne nuk kemi për objekt kontrollin e sekreteve shtetërore, por edhe sikur të ishte kështu, ligjet i njohim po aq mirë, ndoshta dhe më mirë se zoti Imami, pasi i kemi miratuar vetë. Nëse do të nevojitet ‘vettingu’, atëherë ne do të veprojmë në përputhje me ligjin. Ne po shkojmë në ministrinë e Mbrojtjes për të parë zbatimin e ligjit e jo për ta shkelur atë.


Komisioni i Sigurisë ka votuar në unanim për hetimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Sigurisë, duket se drejtues të Kuvendit dhe të mazhorancës po kryqëzojnë kryekomisionerin Leonard Demi për një veprim të tillë…


Nuk besoj se zoti Demi është kryqëzuar. Vendimi i Komisionit të Sigurisë bazohet, së pari, në rregulloren e Kuvendit e pastaj në precedentët e mëparshëm,pra në praktikat e ngjashme të ndjekura nga ky Komision dhe në vullnetin e lirë të të gjithë anëtarëve të Komisionit, opozitë e mazhorancë, pra, 11 anëtarë të opozitës e 12 të mazhorancës.


Nëse ju keni lënë një takim me 10 korrik në ministri, dy deputetë të PD-së, Luan Skuqi dhe Fatos Hoxha, kanë paraqitur një kërkesë për të thërritur ministrin Imami në Komisionin e Sigurisë. A mos ju duket kjo si skemë për të mbyllur mundësinë e hetimit nga ana e opozitës?


Nëse e shihni me kujdes vendimin e Komisionit për mbikëqyrjen e ministrisë së Brendshme, përveç kontrollit në dikaster, parashikohen edhe seanca thirrjeje të ministrit në Komision. Kjo u lë hapësirë anëtarëve të Komisionit të zgjedhin formën dhe metodën e përshtatshme të qasjes në përmbushje të detyrave të tyre. Ne si përfaqësues të opozitës, në datë 10 korrik do të kontaktojmë me një përfaqësi, me drejtuesit e ministrisë së Mbrojtjes, me ata me të cilët kemi punë sipas fushave të miratuara në vendim. Kjo nuk përjashton mundësinë që një pjesë e përfaqësuesve tanë të ndjekin seancën e kërkuar nga kolegët tanë, ndonëse ende nuk na është bërë e ditur tematika që do të diskutohet. Nëse ka tentativa, mund të them se janë të dështuara, pasi ne jemi të fokusuar në atë çka ne kemi kërkuar e iniciuar.


Një çështje sensitive është ajo e tregtisë së armëve. Janë hedhur dyshime se Shqipëria ka kryer tregti të jashtëligjshme drejt shteteve të tjera, duke shfrytëzuar vendin fqinj, Malin e Zi. A keni ju të dhëna apo fakte se një tregti e tillë është kryer në rrugë jo zyrtare?


Rregullsia dhe ligjshmëria e zhvillimit të tregtisë së armëve dhe municioneve do të jetë objekt i punës mbikëqyrëse së këtij Komisioni. Ashtu si dhe ju, edhe ne jemi njohur me disa të dhëna të publikuara në median e shtypur, por, gjithsesi, ne do të verifikojmë në vend tërë dokumentacionin që rregullon këtë veprimtari. Nëse ne kemi fakte apo jo, nuk besoj se ju prisni që t’ju themi se çfarë disponojmë, pa mbaruar procesin mbikëqyrës. Të gjitha gjetjet e Komisionit në fund të procesit mbikëqyrës do të jenë publike, shoqëruar me rekomandimet apo sugjerimet për ndërhyrje, administrative, teknike e legjislative aty ku do të konstatohet se ka nevojë. Kjo është një praktikë e ndjekur edhe në raste të tjera nga ky Komision. E rëndësishme është që gjithçka do jetë transparente për publikun.


Zoti Gjoni ka një dorëheqje të shefit të SHIU-it, Ylli Zyla. Vetë largimi i tij lidhet me faktin se në media është përmendur si i përfshirë në një firmë për trafikun e armëve. Cili është komenti juaj në lidhje me këtë vendim të shefit të SHIU-t?


Motivet zyrtare të dhëna nga zoti Zylaj janë ruajtja e integritetit të familjes së tij dhe institucionit ku punonte, nga denigrimi që i ka bërë një media. Kjo është ajo që dimë të gjithë. Nëse është vetëm ky motiv, atëherë zoti Zylaj është një punonjës që njeh e pranon përgjegjësitë, qoftë edhe indirekte. Por, është disi e vështirë për t’u besuar, pasi nxënësi, si normë, bën ashtu siç e mëson mësuesi. Rasti i mësuesit të këtyre, zoti Sali, është krejt i kundërt. Ju sjell në vëmendje se çfarë qëndrimi mbajti ai kur “New York Times” akuzonte përfshirjen e të birit në aferën e Gërdecit. Përgjigja e Saliut ishte se kjo gazetë është letër higjienike. Tani të mendojmë se zoti Zylaj, siç thuhet, ia paraqiti dorëheqjen Kryeministrit. Nisur nga precedenti i NYT-së ai s’besoj që t’i ketë thënë lëre se është letër higjienike. Për mendimin tim, diçka tjetër fshihet pas kësaj, diçka shumë e madhe, saqë nuk fshihet dot pas ombrellës së Saliut. Arsyet e vërteta të dorëheqjes së zotit Zylaj, jam i bindur që do të mësohen nga opinioni publik në një kohë jo të largët.


 


Zv/ministri Spahia në konferencë


Ministria e Mbrojtjes hesht për SHIU-n, flet për demilitarizimin e municioneve


Ministria e Mbrojtjes ka vijuar të heshtë dje për sa u përket fakteve të nxjerra nga mediat për tregtinë e armëve, që çuan edhe në dorëheqjen e kreut të Shërbimit Informativ Ushtarak, Ylli Zyla. Kjo u vu re edhe gjatë një konference për shtyp që mbajti dje zëvendësministri i Mbrojtjes, Ekrem Spahia, i cili foli vetëm për procesin e demilitarizimit të municioneve, duke mos iu përgjigjur interesit të gazetarëve për hapat që do të ndërmerrte Ministria e Mbrojtjes për problemet e evidentuara te tregtia e municioneve. “Shërbimi Informativ i Ushtrisë është një institucion shumë i rëndësishëm i Ministrisë së Mbrojtjes dhe ka marrë vlerësime maksimale për punën nga partnerët tanë ndërkombëtarë”, u mjaftua të theksonte Spahia në lidhje me pyetjet se çfarë po ndodhte në këtë institucion pas dorëheqjes së drejtuesit të tij. Nga ana tjetër, zëvendësministri i Mbrojtjes deklaroi se ritmet e punës për demilitarizimin e municioneve ishin të larta, gjë e cila siguronte që ky proces do të mbyllej brenda gjashtëmujorit të parë të vitit 2013. “Në zbatim të prioriteteve të Këshillit të Ministrave, Ministria e Mbrojtjes, Shtabi i Përgjithshëm i FA dhe strukturat në vartësi, kanë vijuar me intensitet të lartë punën për demilitarizimin e municioneve të tepërta, me synim që ky proces të përfundojë në mënyrë të sigurt dhe brenda 6-mujorit të parë të vitit 2013”, theksoi Spahiu.