Lojërat Olimpike, si ishin në lashtësi?

Lojërat Olimpike mund t’i duken gjithkujt sot si diçka shumë moderne, por në fakt nuk është ashtu. Olimpiada vjen nga lashtësia. Por nëse do të krahasonim lojërat e atëhershme me ato të sotme, a do të gjenim vallë gjëra të përbashkëta? Le ta bëjmë këtë krahasim në disa aspekte…

Çfarë vishnin, apo nuk vishnin atletët e lashtësisë?

Së pari, duhet thënë se Lojërat Olimpike ishin ekskluzivisht të rezervuara për meshkujt, sepse ato ishin më shumë të fokusuara te sportet marciale dhe ndeshjet fizike. Madje gratë nuk lejoheshin as të ishin spektatore. Megjithatë gratë mund të ndesheshin në ndeshje të tjera, por edhe atëherë jo vetë, por duke u përfaqësuar nga karrocat e garave që i kishin në pronësinë e tyre. E vetmja grua që arriti një rekord në këtë garë me karrocën e saj ishte një princeshë spartane.

Një nga arsyet e përjashtimit të grave nga garimet ishte ndoshta se atletët, boksierët dhe mundësit, të gjithë ishin tërësisht lakuriq në garim. Fjala e vjetër greke që përdoret për fjalën “të ushtrohesh”, donte të thoshte fjalë për fjalë “të jesh i zhveshur”. Të gjitha termat gjimnastikore që përdorim sot vijnë nga ajo periudhë e Greqisë së lashtë dhe një pjesë e madhe kanë kuptim religjioz. Lojërat ishin në fakt një festival fetar në nder të Zeusit dhe kërkonin nga të gjithë një impenjim maksimal dhe një seriozitet të jashtëzakonshëm.

Ku zhvilloheshin ndeshjet?

Olimpiada zhvillohej në “stadion” apo “stadium”. Aty kryheshin fillimisht edhe garat e 200 metrave. Më pas u shtuan me gara 400 metra për të arritur tek 5000 metërshi, kërcimi së larti, së gjati, mundja ekstreme dhe përleshjet e ndryshme dhe më pas erdhën edhe garat me karroca e kuaj.

Qëllimi i lojërave

Lojërat Olimpike ishin tërësisht një festival fetar dedikuar adhurimit të më të plotfuqishmit të Zotave të Olimpit, Zeusit të Malit të Olimpit, që ishte edhe mali më i lartë në Greqi. Edhe perëndi të tjera nderoheshin dhe adhuroheshin në zonën e faltores në Olimpia, si për shembull adhurohej motra e Zeusit, Hera, apo heroi Pelops, i cili konsiderohet edhe si një nga themeluesit e Lojërave Olimpike. Por ishte Zeusi ai që merrte të gjitha nderet, adhurimet dhe blatimet, përfshi edhe ngritjen e tempujve të mëdhenj me statuja të arta dhe të fildishta pjesërisht, të krijuara nga një artist i famshëm i kohës me emrin Pheidias i Athinës. Pikërisht tempulli i Zeusit, i krijuar prej tij, konsiderohej si një nga shtatë mrekullitë e botës së lashtë.

Ku zhvilloheshin lojërat?

Lojërat janë zhvilluar gjithmonë në të njëjtin vend, në një vend shumë të largët në veriperëndim të Peleponezit dhe ishte shumë e vështirë që të mbërrije aty. Zakonisht shkohej me këmbë edhe nga njerëz që ndodheshin në qendrat e Sartës dhe Athinës. Garuesit dhe spektatorët vinin jo vetëm nga vendet më të rëndësishme të Greqisë, por edhe nga e gjithë bota helenike që fillonte nga Spanja e deri në Gjeorgji shumë më përtej pellgut të Egjeut. Pas pushtimeve të Aleksandrit të Madh, i cili vdiq në vitin 323 para Krishtit, grekët do të shtriheshin edhe në zona të tilla të largëta, si Afganistani dhe Sindi. Vendi ku zhvilloheshin lojërat njihej me emrin Olimpia, që vinte nga Mali Olimp, një mal që ndodhej disa milje larg vendit ku zhvillohej gara.

Si shpërbleheshin atletët dhe fitimtarët e garave

Teorikisht vetëm fakti i fitores ishte një shpërblim i madh në vetvete. Ndërkohë fituesit i jepej një degë ulliri me një mesazh simbolik. Ishte degë që rritej në një vend të veçantë pranë Olimpias. Kjo vetëm për fitimtarin, sepse në atë kohë nuk ka pasur fitues të vendit të dytë dhe të tretë, por vetëm një fitues. Ndërkohë që fitimtari kthehej në vendin e tij, atij mund t’i bëheshin edhe dhurata materiale, si për shembull të kishte mundësi të ushqehej falas në sallat e ngrënies apo mund t’i bëheshin skulptura nderi. I bëheshin edhe poezi. I tillë ka qenë Pindari, për shembull, që ka imortalizuar disa atletë fitimtarë me vargjet e tij.

Në fund të shekullit të pestë para Krishtit, qyteti i Acragas në Sicili (Agrixhentoja e sotme), nderoi një bir të tij, Exaenetus, një fitimtar dy herë rresht të një gare vrapimesh, duke e pritur në atdhe me një manifestim karrocash dhe duke nxjerrë njerëz në rrugë për t’i bërë një pritje prej triumfatori. Një shekull më parë, mundësi Milo nga Crotoni në jug të Italisë ishte një Usain Bolt i ditëve tona. Ai arriti që ta fitonte gjashtë herë Olimpiadën në shumë disiplina.

Olimpiada, një ngjarje ndërkombëtare

Fillimisht dhe për shumë shekuj në vijim, lojërat ishin të gjitha vetëm greke dhe prej këndej vjen termi “panhelenik”. Barbarët pra, jo grekët, nuk lejohej që të aplikonin. Por kur Roma pushtoi Greqinë në shekullin e dytë para Krishtit, romanët nuk e duronin më që të thirreshin “barbarë” nga grekët dhe kërkuan një status nderi prej tyre për t’u mundësuar konkurrimin. Dhe këtë e arritën me shumë sukses. Lojërat më pas vazhduan edhe nën pushtimin romak çdo katër vjet pa ndërprerje deri në vitin 393 të erës sonë, kur u ndaluan nga një shpallje e perandorit roman të krishterë, Theodosius, nën pretekstin se ato ishin polideike dhe pagane. Një tjetër perandor romak, i cili dukshëm i përçmonte këto lojëra dhe shpirtin e tyre olimpik, ishte i ashtuquajturi perandor filohelen Neron, i cili vdiq në vitin 68 para Krishtit. Ai kërkoi përmes ryshfeteve dhe kërcënimeve që komiteti panhelenik i lojërave të shtyhej me dy vjet, në mënyrë që ai të merrte pjesë në gara. Kështu ai mori pjesë dhe u hodh nga karroca me 16 kuaj, e megjithatë u nderua me kurorën e ullirit. E tillë ishte fuqia e Lojërave Olimpike në atë kohë, pa ndonjë ndryshim të madh nga ajo e Lojërave Olimpike të Hitlerit në vitin 1936. Le të shpresojmë se thelbi i shpirtit olimpik grek, ai i garës dhe i bukurisë së sportit, do të jetë në qendër të Lojërave Olimpike të Londrës 2012.

Autor te 8 Korrik 2012. Kuriozitete. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry