“Sot mund të dalë dikush t’i bëjë këngë edhe Hitlerit”
Agim Krajkës i takonte të shkruante gjithnjë këngët që vinin në fund të listës. Me përcaktim nga lart, ato i kushtoheshin rinisë. Kompozitori i njohur kujton se në atë kohë, kur kontrollohej gjithçka, edhe kompozitorët ishin të përcaktuar: ata për lirinë, për klasën punëtore dhe për rininë. Vetë Krajka nuk është gjendur përpara kërkesës së një kënge për udhëheqësin, por thotë se ishte vështirë të kundërshtoje. Sot, kur të gjithë janë të lirë, ai e sheh si një fenomen normal faktin që në “YouTube” gjen shumë këngë për Sali Berishën, Ilir Metën apo të tjerë figura politike. “Jemi me fat që e kemi këtë liri, por nuk duhet ta shpërdorojmë”, thekson kompozitori.
Zoti Krajka, në atë kohë janë shkruar shumë këngë për Enver Hoxhën dhe për Partinë. Mund t’i shmangej një kompozitor kësaj kërkese?
Në ato vite që jam rritur unë, që nga fillimi i vetëdijes sime si fëmijë deri në vitin ‘90, ishte një utopi të mos bëje ashtu siç thoshin ata. Gjeneratat tona e paguan me burgime dhe me vdekje kundërshtimin. Ne u rritëm në atë periudhë kur ekzistonin Shtëpitë e Pionierit e institucione të tjera, ku të parën gjë që mësonim ishte partia, pushteti, populli, folklori popullor. Që në moshë të re, unë fillova të ndieja që mungonte diçka që nuk lejohej. Megjithatë, ekzistonte dëshira e një mase të ndërgjegjshme qoftë në shkolla, ndërmarrje apo edhe kur bëheshin mbrëmje vallëzimi të dëgjonim një vals apo ndonjë muzikë tjetër. Po valsi duhej të ishte shqiptar dhe vetëm Prodani kishte bërë një të tillë. Mbrëmja vazhdonte tri-katër orë dhe përsëriteshin po ato gjëra. Ishte një dhunim total i së drejtës së njeriut për të dëgjuar e për të kërcyer atë që i pëlqente. Populli ishte i mësuar kështu. Pas viteve ‘59, ‘60, ‘61, filloi Festivali i Këngës dhe unë në atë kohë isha i paformuar si kompozitor. Isha vetëm një firzamonicist shumë i mirë. Sa u lirova nga ushtria, më morën në punë në Radio Televizionin Shqiptar. Aty u njoha me Vaçe Zelën dhe të tjerët. Arti na afroi edhe më shumë me njëri-tjetrin. Vaçja më thotë: “Gimo pse nuk shkruan edhe ti një këngë?”. Në atë kohë, të politizuar ose jo të politizuar, të gjithë kompozitorët ishin të njohur, kurse unë as që kisha filluar. Duke njohur vokalin e Vaçes, unë shkrova “Lemzën”. Pati shumë sukses. Mbase Festivalit të Parë i duhej një këngë e tillë dhe e pranuan. Bëri shumë bujë, por pastaj qarqet sikur u penduan dhe të nesërmen e hoqën. Mirëpo pas tre-katër muajsh e vunë përsëri këngën time. Më kujtohet kur rrugës dëgjoja një polic që tha: “Pushoni se po vihet ‘Lemza’”. Edhe në Festivalin e Dytë unë sapo isha i pasionuar pas muzikës, por edhe të doja të isha francez, amerikan apo italian, nuk isha dot, isha thellësisht shqiptar. Megjithatë e desha muzikën e popullit tim. Pas Festivalit të 11, asnjeri nuk guxonte më të bënte këngë politike. Ata e kontrollonin fort poezinë, por në drejtim të muzikës, të gjithë specialistët, Çesk Zadeja, Tish Daija, Tonin Arapi, Nikolla Zoraqi, etj., kishin mbaruar në Moskë dhe arrinin të kuptonin se çfarë ishte me elementë shqiptarë e të vlerësonin.
Ju kërkuan ndonjëherë të shkruani për Enver Hoxhën ose për partinë?
Jo, jo, diheshin kush kompozonte për partinë. Për mua e dinin që shkruaja për rininë. Në atë kohë vinte një platformë dhe thoshte që në festival duhet të jenë dy këngë për partinë, dy për mbrojtjen, dy për klasën punëtore dhe në fund thoshte një për dashurinë. Ishte një platformë që do ta zbatonin se nuk kishin ç’të bënin. Atë këngën në fund të listës, thoshin ta bënte Agim Krajka. Avni Mula shkroi “Kasollja e Galigatit”, unë shkrova “Si u njohëm në aksion”. Kaq ishte politika e këngës sime. “U pamë në rrugë/ një zile biçiklete”, të tilla shkruaja. Gjithë kohën më dhanë çmime të dyta. Sot jemi me fat që kemi liri, por nuk duhet ta shpërdorojmë, siç po bëhet.
Sot në internet gjen plot këngë për Kryeministrin Berisha dhe për disa politikanë të tjerë. Si e komentoni këtë fenomen?
Njeriu është i lirë t’i shkruajë kujt të dojë. Nesër mund të gjendet një që i shkruan këngë Hitlerit. Ndoshta Sali Berisha e meriton t’i shkruajnë këngë, por duhen publikuar dhe t’i lihen gjykimit të popullit. Unë mund të them që nuk bën kjo këngë, se Sali Berisha meriton më shumë se aq. Para se të bësh një këngë, duhet të dish se kujt t’ia bësh. O. Lila