Me çifteli, hip-hop, house apo në çfarë stili të duash. Berisha dhe Enveri janë protagonistë të vërtetë të “YouTube”. Nga amatorë apo ata që kanë paksa haber nga muzika, disa prej këngëve janë kthyer edhe në hite


“Atë dit q’u hap haberi dilni se erdhi Enveri Ç’u bëre Enver djali eja se na mori malli. Këto ishin vetëm pak nga rreshtat e lavdisë kushtuar udhëheqësit. Të tilla ka shumë. Dikur buçitnin kudo. Ata që i thurnin e kishin kokën në thes, ndërsa të tjerët duhet të duartrokisnin sa t’u dhembnin pëllëmbët e dorës. Xhaxhi Enverit i recitonin edhe fatosat e vegjël. Të gjitha këto brezi i ri i sheh vetëm si relike të një kohe me të cilat mund të kënaqesh duke i dëgjuar e duke u gajasur së qeshuri. Në kohën e teknologjisë nuk duhet të lodhesh shumë. Një klik në “YouTube” dhe një galeri e tërë këngësh, fjalimesh, vizitash në gjirin e popullit… E nëse keni menduar se gjatë këtyre 20 viteve miti i kultit ka rënë, gaboheni. Vetëm se tashmë hyn në mes vullneti i lirë. Dikur Enver Hoxha, sot Sali Berisha, dikur Partia Popullore, sot Partia Demokratike, dikur Gjirokastra, sot Tropoja. Lavdet në vargje janë të pafundme për politikanët e sotëm. Top-listën e kryeson Kryeministri Berisha, ndërsa tek-tuk has emrin e Ilir Metës, Shkëlzen Berishës apo edhe të një personazhi të dashur, si Ibrahim Rugova. Me çifteli, hip-hop, house apo në çfarë stili të duash. Na mjaftoi të klikonim “këngë për Sali Berishën” që në “YouTube” të shfaqen faqe të tëra. Amatorë apo këngëtarë që shihen tavernave, të rinj apo pleq me mustaqe, i bashkon të gjithë një gjë: kënga për Kryeministrin. Poshtë tyre një pafundësi komentesh. Nuk merret njeri me motivet e këngëve, as sa bukur apo qesharake tingëllojnë vargjet. Gjithë sa shkruhet më poshtë i ngjan një beteje politike dhe bindjesh që shkojnë deri në ekstrem. Kush është Saliu e kush është Enveri, kush janë heronjtë e demokracisë e kush janë komunistët. Në këtë pikë fjalori është i pakursyer dhe morali nuk hyn fare në punë.



Në fakt “YouTube” duket si një betejë e vërtetë teknologjike: Enver Hoxha vs Sali Berisha. Bujar Uka, Kristi, grupi “Dardania”, Prek Vukaj, Fatmir Miroci e Xhavit Hykosmani, Tahir Drenica, Kampi Statik etj., janë vetëm disa nga ata që i kanë kushtuar këngë Kryeministrit Berisha. Ka edhe nga ata që përtej këtyre dy grupeve, janë treguar të gatshëm t’i bëjnë bashkë. Si mund të bëhen Bashkë Enver Hoxha dhe Sali Berisha? Merr ca fjalime të njërit e të tjetrit, me ca ritme hip-hop në sfond dhe ja ku u bënë edhe më modernë. Teksa përpiqesh të dëgjosh vargjet, në ekran kalon sa Sali Berisha, sa Rruga e Kombit, harta e Shqipërisë së Madhe. Një festë e vërtetë. “O ku je rrit oj lule ndër pisha, o në Tropoj o te Sali Berisha”. Këto ishin vargjet më të shpeshta, ndonjëherë të modifikuara pak edhe sipas oreksit. Nëse mendoni se këto mbeten vetëm në “YouTube”, do të zhgënjeheni. Janë hite edhe në gëzime familjare, e veçanërisht në martesa. Video amatore të hedhura në internet e pohojnë më së miri. Atmosfera ndizet dhe vallja hidhet edhe më me vrull. Me regjistrime apo edhe live, Kryeministri Berisha është kthyer në një protagonist të vërtetë të muzikës. E ndërsa disa i lëshojnë lumë akuzash, të tjerë i thurin këngën: “O Serbi o murin ta rrxova se mu m’thon o Ibrahim Rugova O Serbi o murin ta prisha o se mu m’thon o Sali Berisha”. Gjen aty edhe Sarkozinë, nga Italia, Berluskonin, për t’i shkuar pas rimës, edhe luftën ndaj korrupsionit.   Por nuk mungon as ndonjë lavde për Lulzim Bashën apo edhe Ilir Metën si burrë i vatanit. Ndonëse kërkuam ndonjë këngë për Edi Ramën, gjetëm vetëm një parodi kushtuar fletëve të numërimit: “Edvin Rama o e ngrehi shpatën edhe i herë o për situatën Sali Berishës fjalë na i ka çue tan kutitë o me i numrue qeverin me na e dorzue. Në fakt duket se Edi Rama i ka sfiduar të tjerët, sepse këndon vetë në “YouTube” me  “West Side Family”. Menduam se jashtë kësaj tendence nuk do të ishte lënë as Fatos Nano, por në fakt nuk gjetëm ndonjë këngë për të. Por ka një gjë që i dallon ato rreshta shkruar Enverit, ku dikush edhe i ka ndier, dikush i ka shkruar apo kënduar nga e keqja, me ato që i janë dedikuar Berishës apo të tjerëve: janë bërë në liri të plotë. Lista e këngëve shtohet, ndërsa gara mbetet e hapur…



Këngë për Sali Berishën


Dul një yll o shndrit n’planet


në fund shekullit aty 20


për shqiptarët e çan errsirën


komunistit or ja kthyn shpinën


Si ante o n’ball të stuhisë


me i dhan jetë o demokracis


në qiellin blu o e lir t’jet shqipja


prin në ball o Sali Berisha


 


***


 


Si një lule rrit nër pisha,


emri tij Sali Berisha,


burr Tropoje t’paskan thanë,


sot po je për në Tiranë,


po n’Tropoj zemrën ke lanë


 


Shumë njerëz t’kan inatin,


ty 12 po t’rrin sahati,


kudo t’shkosh që t’shkeli kama,


burr ma t’zgjut o se bën nana


 


Shtrove rrugën, shpove malet,


bashkove Shqipnin e Madhe,


korrupsionin e luftove,


edhe krimet e randa,


t’dekoroi Barak Obama


 


Berluskoni nga Italia,


dhe nga Franca Sarkozia,


deklarojnë të gjithë një fjalë,


Lum Shqipnia që t’ka djalë.


 


***


 


O Shqipri të erdhi dita,


tash sa vite shum ke prit,


me çue n’vend fjalën e t’parve,


për bashkimin e shqiptarve


 


Për bashkimin me Kosovën,


flet Berisha me Rugovën,


Rrug e Arbrit na bashkon,


o jena vllazën për gjithmon


 


Një këngë për Enver Hoxhën


 


Enver Hoxha e mprehi shpatën


e një her o për situatën


Kjo është shpata që u rri te koka


gjithë armiqve o që ka bota


Enver Hoxha o tu ngjattë jeta


sa këto male e sa këto shkrepa


namin Shqipes o lart ia ngrite


gjithë kët popull në dritë e qite


 


 


Këngë për Lulzim Bashën


 


O moj Serbi o varrin ta plasa,


o se k’tu po i thon hajde Lulzim Basha,


o moj Serbi, o murin ta prisha,


o k’tu po i thon o Sali Berisha


 


O moj Serbi o zemrën ta kalli,


o k’tu po i thon o Azem Hajdari,


O k’tu po i thon o Adem Jashari


 


O po qan zemra o n’demokraci e


O t’kem Lulzim Bashën o kryetar bashkie


 


 


Këngë për Ilir Metën


 


Jam i ri e jam beqar,


lindur rritur në Skrapar,


o moj lule e dëborës,


të mbaj në pëllëmbë të dorës


 


Jam i ri e jam beqar,


nuk kam borxhe për të larë,


e kam zemrën si behar,


lindur, rritur në Skrapar


 


Thellë në malet e Skraparit,


lindi burri i vatanit,


kush m’i qan hallet e mia,


Ilir Meta LSI-ja