Kryesoret Leksionet ekonomike të Kutelit dhe historia që përsëritet

Leksionet ekonomike të Kutelit dhe historia që përsëritet

880
SHPËRNDAJE

Libri “Ditari i Ekonomistit” mbart informacione të paçmueshme historike dhe leksione që, për fat të keq, nuk i kemi mësuar ende

Gjergj Erebara

Ditar i ekonomistit, Mitrush KuteliNë vitin 1932, Shqipëria ishte një vend pak a shumë si sot. Me damkën e vendit më të varfër në Europë, me klasë politike të krijuar përmes dhunës dhe me korrupsion të paturpshëm në nivele të paimagjinueshme. Vendi qe shitur në këtë kohë, por një njeri pa kurrfarë kompromisi e denoncoi me aq sa mundej korrupsionin, në dëm të vet dhe pa ndonjë ndikim të madh për shoqërinë.

Dr. Pas, i njohur nga të gjithë si Mitrush Kuteli, kishte një jetë të dyfishtë. Gjatë ditës qe ekspert ekonomie dhe përpiqej t’i shpjegonte një klase politike injorante dhe të pandjeshme ndaj halleve të popullit, se çfarë ishte bërë keq e çfarë duhej të ndryshohej. Gjatë natës merrej me letërsi dhe krijoi atë që për disa, për nga ndikimi që ka pasur, konsiderohet si “gjysma e letërsisë shqipe”.

Leksionet e tij mbi ekonominë, disa prej të cilave u publikuan pak javë më parë në librin “Ditari i Ekonomistit”, janë po aq të fuqishme sa veprat e tij letrare. Veprat letrare, përmes të cilave, breza të tërë shqiptarësh njohën Shqipërinë dhe popullin shqiptar, u lejuan të qarkullojnë. Veprat e tij ekonomike, jo! Përkundrazi, njëra prej kryeveprave, “Shënime Ekonomike”, u dogj, dhe sot gjenden vetëm pak kopje në Bibliotekën Kombëtare.

Ndërsa letërsia e Kutelit është si një ëmbëlsirë, vepra e tij ekonomike është e hidhur.

Libri që u publikua pa shumë bujë nga familja e shkrimtarit dhe që nuk tërhoqi vëmendjen e shumë vetave, në fakt, përpos të qenit një leksion gjuhe dhe leksion ekonomie i vlefshëm për këdo që interesohet për ekonominë, mbart edhe informacione të jashtëzakonshme historike, për të cilat, historianët e vjetër të historisë ekonomike apo ata të historisë së përgjithshme, kanë qenë shumë pak të interesuar, ose ndoshta, nuk i kanë kuptuar.

Denoncimi

Më 1925, qeveria shqiptare lëshoi një koncesion, nga ato që i kemi parë me shumicë në 20 vitet e fundit. Koncesioni për krijimin e Bankës Kombëtare të Shqypnis i dha një grupi bankierësh të huaj një mandat 50-vjeçar për të krijuar bankën e parë të emisionit në historinë e shtetit shqiptar.

Siç stërhollohen ligjet e koncesioneve edhe në ditët tona, ligji i vitit 1925 sanksiononte që marrëveshja e koncesionit të shtyhej për 50 vjet të tjera pas mbarimit të afatit të parë, në rast se Parlamenti jepte miratim. Por, kur kontrata u hartua, kjo klauzolë u ndryshua paksa: sipas klauzolës së re, vendimi për shtyrjen e koncesionit do të merrej jo më nga Parlamenti, por nga vetë bordi drejtues i Bankës, d.m.th nga vetë koncesionari.

Mund të ngjajë si një informacion historik pa shumë rëndësi për ditët tona, por, për fat të keq, nuk është kështu. Tri vjet më parë, Shqipëria dha me koncesion prodhimin e pasaportave dhe kartave të identitetit te një kompani e huaj. Koncesioni mësohet se mbaron në vitin 2013, por vetë kontrata, konsiderohet sekret dhe askush nuk mund ta lexojë. Sot, nën zë dhe larg vëmendjes së medias e popullsisë, po diskutohet për një shtyrje të afatit të këtij koncesioni, që sakaq i ka ngrënë shqiptarëve dhjetëra milionë euro. Duke pasur parasysh këtë dhe shumë fakte të tjera, Kuteli vijon të jetë i vlefshëm me leksionet e tij edhe sot.

Pavarësia e dhënë me koncesion

Kuteli te libërthi “Tri problema në lidhje me Bankën Kombëtare” e nis thjeshtë. Na tregon fillimisht se çfarë është kartëmonedha: kartëmonedha është një copë letër pa vlerë, e cila, për shkak se një vend është i pavarur, pranohet nga popullsia si letër me vlerë. Kjo do të thotë se, nëse një kartëmonedhë prej 5 mijë lekësh e ka koston e prodhimit prej vetëm 5 lekë, pjesa e mbetur është një fitim që i takon shtetit si përfaqësues i popullit të pavarur. Ky koncept kaq i thjeshtë nuk i hyri në punë shtetarëve shqiptarë të kohës së mbiquajtur “Zogu”, të cilët ia dhanë biznesin më të rëndësishëm të krijuar nga pavarësia, një grupi bankierësh të huaj, të cilët, në të vërtetë, punonin thjesht për llogari të qeverisë fashiste.

Kuteli u detyrua t’ia përsëriste këtë leksion elementar ekonomie qeverisë Kuislinge të kohës së pushtimit gjerman, si dhe qeverisë komuniste të Enver Hoxhës. Administrata gjermane pati kërkuar 50 milionë franga ar financim nga banka. Paratë u morën me një marrëveshje të rregullt. Është njësoj sikur një pushtues i huaj të vijë sot dhe të marrë nga Banka e Shqipërisë 50 miliardë lekë të reja. Gjermanët paguan për mallrat që konsumonin ushtarët e tyre, por në thelb, nuk paguan asgjë, sepse paguan me copa letre të shtetit shqiptar.

Situata u bë më dramatike pas mbarimit të luftës. Qeveritë e kohës së luftës patën shpërndarë në trojet shqiptare kartëmonedhat e veta. Qeveria jugosllave i mblodhi këto kartëmonedha dhe i zëvendësoi me paranë e vet. Kuteli kishte frikë se kartëmonedhat e mbledhura nga popullsia shqiptare e trojeve, do të përdoreshin nga qeveria jugosllave për të blerë mallra në Shqipëri.

Në të tria rastet, leksioni i tij nuk u dëgjua. Sjellja që patën qeveritarët e kohës përballë leksionit, qe e ndryshme. Qeveria e Zogut i tërhoqi veshin, duke i thënë se ata jetonin me paratë e italianëve dhe rrjedhimisht, çdo kritikë ndaj tyre qe e patolerueshme. Dhe ndërsa qeveritarët jetonin me paratë e italianëve, pjesa tjetër e popullsisë po vuante nga uria. Kontrolli mbi Bankën e Emisionit i dha Romës një armë të fortë për të kontrolluar Shqipërinë. Kur Ahmet Zogu tentoi të dilte nga varësia ekonomike e politike ku e pati shtënë vendin, Italia ia doli të ulë paranë në qarkullim në Shqipëri përtej së imagjinueshmes, gjë që thau mundësinë që shqiptarët të tregtonin me njëri-tjetrin. Nga viti 1933, kjo politikë i shkatërroi të ardhurat e qeverisë, të cilat janë me mbi 20-30 për qind dhe kjo situatë katastrofike vijoi deri në vitin 1937, kur marrëdhëniet me Italinë filluan të përmirësohen. Ndërkohë, në të njëjtin vit, qeveria e kohës botoi një libër me rastin e 25-vjetorit të çlirimit, ku bëhej e qartë se Shqipëria qe zhvilluar fort në krahasim me vitin 1912. Ky model propagande na ndoqi në kohën e komunizmit me krahasimet me vitin ‘38 dhe po na ndjek edhe sot.

Përballë qeverisë Kuislinge dhe administratës ushtarake gjermane, Kuteli dhe drejtuesit e tjerë të bankës bënë një lojë si macja me miun për të shpëtuar atë copë letër, që në atë kohë quhej frang e sot quhet lek. Bankënotat iu fshehën inspektorëve gjermanë, me qëllim për të shpëtuar popullsinë nga një luzmë tjetër parash të inflacionuara. Loja përfundoi me një arratisje të Kutelit në fund të luftës, pasi po kërkohej nga Gestapo.

Përgjigjja që mori nga regjimi komunist qe më e tmerrshme. Kuteli u dërgua në burg dhe në kamp pune, ku për pak sa nuk vdiq. Kur u lirua nga burgu në vitin 1949, Kuteli iu përkushtua tërësisht letërsisë.

Vepra ekonomike e Kutelit mbetet një leksion i gjallë për shqiptarët, të cilët, sërish duket se nuk duan ta kuptojnë. Por ajo mbart të dhëna e detaje nga historia e vendit, të cilën ne e njohim më së shumti për nga emrat e atyre që na qeverisën.

Familja e Kutelit nuk mund të bënte punë më të mirë me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë se sa botimi i këtij libri.