Vendimi
Kuvendi miraton shtesën. Me paratë e taksapaguesve do jepen edhe 18 mln euro
Deputetët e mazhorancës dhe ata të opozitës u përplasën me debate të forta në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë gjatë votimit të një ligji që autorizon qeverinë të marrë 10 milionë euro kredi, me interesa tregu për të paguar koston shtesë në rrugën Levan-Vlorë.
Drafti rrit me 42.8 për qind koston që do paguajë shteti shqiptar për rrugën e tenderuar 5 vjet më parë që duhej të kishte përfunduar plotësisht në vitin 2009. Qeveria thotë se rritja erdhi për disa arsye, një prej të cilave ishte dhe ajo se projekti fillestar nuk ishte i saktë.
“Pas fillimit të punimeve, u pa nga supervizori i këtij projekti që është një kompani italiane, që një nga shtresat kryesore që duhet të ketë një autostradë e mirëfilltë mungonte dhe u kërkua menjëherë ndryshimi i projektit për ta rifutur në projekt këtë shtresë”, tha Ernest Noka, zëvendësministër i Transporteve.
Përfaqësuesit e Ministrisë së Transporteve thanë se gabimet në projekt janë konsumuar që në vitin 2008, duke pranuar se kredia që po merret aktualisht është për të shlyer fatura të prapambetura.
“Janë detyrime që i kemi ne kompanisë, janë paguar nga vetë kompania. Ne tani kemi detyrimin për t’i paguar të gjithë”, tha Ylli Gjoni, nëndrejtor i Rrugëve.
Por Mimi Kodheli, në emër të opozitës, tha se qytetarët po rëndohen me kosto shtesë, për shkak të një afere të madhe korruptive.
“Pas informacionit që ju kemi kërkuar dhe që shpresojmë ta kemi, ne do të mundësojmë një sqarim të madh publik, lidhur me këtë aferë, e cila nuk është në dinjitetin e asnjë qeverie”, tha Kodheli.
“Nuk është e vërtetë që është projekt i shtrenjtë, përkundrazi është rruga me koston më të ulët në Shqipëri, 2.46 milionë euro për kilometër që nuk e gjen në asnjë autostradë të ndërtuar në rajon me këto parametra teknikë që ka”, tha deputeti demokrat Edmond Spaho.
Rruga Levan-Vlorë është tenderuar në vitin 2007 me një kosto totale prej 42 milionë eurosh. Sipas afateve ligjore, ndërtimi duhet të kishte përfunduar në vitin 2009, por projekti ka pasur zvarritje pa fund dhe tani qeveria miratoi draftin që e rrit koston e saj me 18 milionë euro ose rreth 42.8 për qind. Në media kanë dalë informacione të ndryshme, sipas të cilave, firma që po përfiton shumën shtesë është e lidhur me Kryeministrin, por deri më tani nuk ka pasur një reagim lidhur me akuzën në fjalë.
TCH
Në emër të opozitës, Kodheli tha se qytetarët po rëndohen me kosto shtesë, për shkak të një afere korruptive