Fushë-Kruja, qyteza e tritolit

Banesat – Banesat e zalljanëve janë rrethuar me mure të larta dhe me porta hekuri, sikur nga momenti në moment do jenë pre e ndonjë sulmi të befasishëm armiqësor, ndërsa lëvizjet nëpër rrugë janë të rralla

Fabrika – Nga dita në ditë, fabrika e çimentos, e cila në dy vjet është sulmuar nëntë herë me eksploziv, ka rritur sigurinë me më shumë roje private dhe me kamera vëzhgimi në të gjitha anët e rrethimit

Frika – Një 60-vjeçar, i cili rri pranë një karburanti, afër urës së shpërthyer pak kohë më parë, pasi i biri ka një lavazh, shprehet se vetëm në Kabul mund të kesh shpërthime më shumë se në Fushë-Krujë

Vendi ku mesazhet e konflikteve jepen me shpërthime eksplozivi

Bledi Gilaj

Fushë-Kruja është gdhirë sërish me shpërthim eksplozivi, duke mos e ndalur dot bashkëjetesën me eksplozivin. Banorët janë tmerruar, pak pas mesnate, nga zhurma tronditëse e shpërthimit, duke menduar, se sërish objekt ka qenë fabrika e çimentos, por që tashmë, për herë të tretë radhazi brenda një muaji, eksplozivi ka shpërthyer brenda qytetit. Dëmet kanë qenë vetëm materiale, por eksplozivi, bashkëjetuesi i padëshiruar i këtyre banorëve, ka sjellë panik te të gjithë, duke i bërë të shtrihen në darkë me frikën se do zgjohen me ndonjë shpërthim, e duke u zgjuar në mëngjes me pyetjen, nëse ka pasur ndonjë rast tjetër gjatë natës.

Që në hyrje të Fushë-Krujës, aty ku qëndrojnë furgonët, sapo shoferët e nxirë nga dielli të shohin me mjetin e gazetës konstatojnë: “Paskeni ardhur për shpërthimet me tritol”. Për ta, por edhe për banorët e tjerë, ky është refreni i përditshëm, sidomos kur mes qendrës kalojnë betonieret apo makina të tonazhit të lartë plot me thasë çimentoje. Në fakt, ata habiten vetëm me rastet e fundit të shpërthimeve të ndodhura brenda qytetit, në prona private dhe publike apo në pronësi të fabrikës së çimentos, duke të lënë të mendosh se për çdo mesazh, të shpërthejnë një sasi eksplozivi në derë të shtëpisë ose të biznesit.

Brenda në qytet…

Në rreth-rrotullimin e qendrës së vogël të qytezës, marrim rrugën gjysmë-bulevard, për të cilën, një djalë i ri imcak, me flokë të zeza, na tregon se është rruga për në Krujë dhe që te kryqëzimi i Unazës së Vogël, që të çon edhe te Burgu i Sigurisë së Lartë të Fushë-Krujës, ndodhet dyqani ushqimor, i cili është i fundit që ka pasur fatin e keq, t’i vënë në qepen një sasi jo të vogël tritoli. Pa kaluar as 50 metra, kur ecën në rrugën e ngushtë, plot trafik, në anë të djathtë ndodhet rajoni i policisë, ndërsa vetëm pak metra më tutje, në të njëjtën anë, është edhe bashkia e qytetit.

Treqind metra më tutje, është kryqëzimi, ku në anën e brendshme të qytetit ndodhet një dyqan, që shet shapka, e përbri tij, një ushqimore. Nuk është vështirë për të dalluar se tritoli i mesnatës së të dielës, duke u gdhirë dita e djeshme, ka qenë i vendosur aty. Mbi 20 burra janë mbledhur përpara dyqanit, ndërkohë që qepeni i dëmtuar nga shpërthimi i fuqishëm, është ngritur pak lart. Ndërsa brenda dyqanit, bashkëshortja e tregtarit u shpjegon grave të zonës, të cilat e dëgjojnë me vëmendje për shpërthimin që ka tronditur qytetin, e shpeshherë shfryjnë duke ngushëlluar “T’u ketë marrë të keqen, e vetëm gëzime paçi”.

Ndërsa një grua e re, e cila banon sipër dyqanit të shpërthyer, ende nuk e ka marrë veten nga tmerri që ka përjetuar. Për disa minuta, nuk kishte arritur të mblidhte veten, për të parë se çfarë kishte ndodhur. Ajo u shpjegon grave të tjera momentin e shpërthimit, e gjatë gjithë kohës mban dorën poshtë gojës, duke lëvizur gishtat, sikur po mban ritmin e muzikës që dëgjohet pak nga lokali në krahun tjetër të kryqëzimit, ku në dy tavolina të vjetra janë ulur dy punëtorë të kanalizimeve. Një burrë i moshuar, teksa i jep dorën tregtarit Shkëlqim Kulla ngre zërin, sikur po shpërthen me gjendjen e krijuar “Po me ty ç’patën o Çimi. Mendova se sërish kishte plasur andej nga fabrika, pasi tritoli na është bërë si alarmet në ushtri”, shprehet ai duke e ngushëlluar për fatkeqësinë.

Vetë i dëmtuari nuk e ka besuar se radhën e tritolit e ka pasur dyqani i tij, i marrë me qira prej vitesh. “Isha në shtëpi, po haja darkë, nuk kisha shumë që e kisha mbyllur dyqanin, kur dëgjova shpërthimin”. “Djali që ishte zgjuar më tha ‘babi i vendosën prapë tritol fabrikës’ dhe dola jashtë për të parë. Ndenja në ballkon për disa minuta, kur erdhi një komshi dhe më tha se shpërthimi kishte ndodhur te dyqani im”, tregon Shkëlqim Kulla, të cilit i duhet të ndërpresë fjalën herë pas here për t’u përshëndetur me njerëzit, që kanë dëgjuar lajmin dhe pyesin për të ditur diçka më tepër.

Për në Zallë

Por, pak metra më afër qendrës e më afër rajonit të policisë ndodhet një tjetër lokal, i cili ka rënë pre e shpërthimeve me tritol pak ditë më parë. Atij ia kishin vënë tritolin në gjeneratorin e energjisë, e policia dyshon shumë se mund t’ia kenë bërë për shkak të zhurmës, pavarësisht se ishte brenda parametrave.

Megjithatë, krateri i shpërthimeve, aty ku shkojnë sytë çdo herë që zhurma i zgjon të tmerruar banorët e paktë të kësaj qyteze, ndodhet disa minuta më larg, pikërisht pranë fshatit Zallë, aty ku ndodhet fabrika e vjetër çimentos. Rrugës për aty duhet të kalosh mbi urën, e cila më shumë se një muaj më parë ishte objekt i një tjetër shpërthimi, në tentativë për të dëmtuar firmën, që të mos transportohej çimentoja e prodhuar.

Mure fortesash

Vetëm pesë minuta rrugë me makinë ndodhet fabrika, e cila është rrethuar si një kështjellë e mesjetës, me mure katër metra të lartë, e me disa metra tel me gjemba sipër avllisë. Në portën kryesore ndodhen disa policë privatë, ndërkohë që i gjithë rrethimi survejohet me kamera sigurie. Duhet të kalosh anash këtij muri për të shkuar në Zallë, pikërisht tek ato familje, që policia ka ngritur dyshime e ka arrestuar meshkujt e familjeve, si autorë të kërcënimeve ndaj pronarëve të fabrikës së çimentos.

Sapo kalon fabrikën, e kupton këtë se mbaron asfalti, rruga e ngushtë të nxjerr përballë dy tabela, që të drejtojnë te Rruga e Shpellës dhe te Rruga e Zalljanëve. Por, kur i hyn kësaj rruge, në çdo moment të shoqërojnë mure me blloqe betoni, 3-4 metra të larta dhe porta hekuri, pavarësisht se e gjithë lagjja bien kushërinj mes njëri-tjetrit. Duket sikur ndodhesh midis dy fortesash, në njërën anë fabrika dhe në anën tjetër banesat e Zalljanëve, të cilët presin të goditen ose të kryejnë goditjen e radhës.

Tashmë jemi në fshat, i cili ka varësi nga Bashkia e Fushë-Krujës dhe jo nga ndonjë komunë. Në anë të djathtë të një përroi, i cili nuk ka shteruar plotësisht, ndodhet banesa e Fredjan Zallës, personi i arrestuar rreth dhjetë ditë më parë, pasi policia ka ngritur dyshimet se ka kërcënuar drejtorin e fabrikës së çimentos, Charles Bouri, me disa mesazhe telefonike. Pas disa minutash trokitje në portën e madhe të hekurit, asnjeri nuk del. As në banesën e xhaxhait të tij nuk përgjigjet kush, ndërkohë që edhe në fabrikë nuk pranon njeri të flasë. I vetmi që flet në fshat është një 11-vjeçar, i cili ka një karrocë të mbushur me bar, i cili tregon me gisht shtëpitë e banorëve, të cilëve u duken vetëm çatitë përtej mureve të larta.

Frika ekziston

Ndërsa pranë fabrikës, aty ku është plot inerte, dy punonjës gërmojnë me kazma dhe kur i pyet në lidhje me dy tufa lulesh të vendosura, si në shenjë përkujtimoreje, në njërin cep të rrethimit të fabrikës, ata shohin një herë nga policët privatë dhe pastaj ulin kokën, duke vazhduar punën e tyre, ndërkohë që vihen re kamerat e sigurisë të vendosura në pika edhe më të larta se muret rrethuese. Policët në portë të fabrikës rrinë në gatishmëri, sikur presin që “armiku” t’i godasë, ndërkohë që shprehen se nuk ka asnjë person që mund të flasë brenda fabrikës. Ndërsa në momentin që largohemi nga kjo heshtje, e cila flet vetëm natën me shpërthime tronditëse, vihen re edhe makina fuoristrada, që kalojnë me shpejtësi që bie në sy, e futen direkt në ambientet e fabrikës, duke të lënë përshtypjen se frika është e pranishme në çdo moment. E si qershia mbi tortë, një 60-vjeçar, i cili rri pranë një karburanti, pasi i biri ka një lavazh, shprehet se vetëm në Kabul mund të kesh shpërthime më shumë se në Fushë-Krujë, pasi në Shqipëri nuk ka vend tjetër.

 

7 qershor – Një sasi eksplozivi shpërtheu duke hedhur në erë shtyllën e tensionit të lartë dhe duke ndërprerë furnizimin me energji elektrike të fabrikës. Ndërsa në maj ndodhën tri sulme të tjera me eksploziv

Policia – Për këtë rast, policia shoqëroi disa persona të fisit Zalla, por nuk fajësoi asnjë

9 qershor – Shpërthimi është dëgjuar pak para mesnatës, në linjën hekurudhore në hyrje të fabrikës. Sasia e lëndës plasëse ishte vendosur në rrugën që lidh fabrikën e çimentos me linjën hekurudhore kombëtare

Policia – Gjatë shpërthimit të tritolit nuk pati të lënduar, por edhe autorët nuk janë gjetur

24 qershor – Veç rasteve për fabrikën e çimentos, Fushë-Krujën e shqetësoi një tjetër shpërthim në qendër të qytetit, në një lokal, i cili katër ditë më vonë, u pasua nga një tjetër eksploziv në lojëra fati

Policia – Ndërsa dje, uniformat blu u përballën me shpërthimin e tretë brenda qytetit në një muaj

Masat

Specialët blindojnë çdo natë qytetin

Shpërthimet e eksplozivit, si për shkak të fabrikës, por edhe në qytet, kanë alarmuar edhe policinë, e cila veç forcave vendore, ka dërguar efektivë nga Durrësi, por edhe nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë për të patrulluar zonën natën. Banorët tregojnë se çdo natë zbresin në qytet 6 furgonë policie, që patrullojnë gjithë natën, ndërkohë që habiten sesi shpërthimi ka ndodhur jo shumë larg rajonit të policisë. Kjo konfirmohet edhe nga burime pranë policisë, e cila shprehet se ka pasur ankesa nga qytetarët, nga frika e krijuar nga shpërthimet, kështu që janë rritur masat për mbarëvajtjen e rendit në këtë qytet. Gjithashtu, kryetari i bashkisë mësohet se i ka kërkuar policisë lokale që të jetë sa më pranë qytetarëve, me qëllim parandalimin e ngjarjeve të rënda kriminale. Sipas të dhënave, situata e goditjes së fabrikës, si me eksploziv, ashtu edhe me vjedhje, nuk ka lënë pa dëmtuar edhe pronat publike, duke u kthyer në një shqetësim shumë të madh, madje, duke kaluar caqet e policisë lokale dhe duke kërkuar ndihmën e qendrës, me qëllim zgjidhjen sa më të shpejtë të saj.

 

Prononcimi

Kreu i bashkisë, Gjon Bardhi, tregon për “Shqip” se Fushë-Kruja ka mbledhur persona nga zona, të cilat në vite kanë qenë problem tejet shqetësues për policinë, siç është rasti i Niklës

 

Shqetësimi

Gjon Bardhi: Për fabrikën, shumë ankesa

Kryetari i bashkisë: Banorët, në panik nga shpërthimet në zonë

Somario

“Aktualisht, fabrika e çimentos përgjigjet, pra kemi marrëdhënie, vetëm për detyrimet financiare ndaj njësisë vendore”

Kryetari i Bashkisë së Fushë-Krujës, Gjon Bardhi, e shikon shqetësues fenomenin e shpërthimeve në qytetin ku është zgjedhur si drejtues i pushtetit vendor, duke e vënë theksin mbi panikun që është krijuar te banorët e zonës, si në qytet, ashtu edhe në fshatin Zallë. Që në fillim të shpjegimit të tij për gazetën “Shqip”, ai tregon se Fushë-Kruja ka mbledhur persona nga zona, të cilët në vite kanë qenë problem tejet shqetësues për policinë, siç është rasti i Niklës. “Gjatë punës sime, kam vënë re se nëse qytetarëve në këtë zonë u tregon forcën, ata të përgjigjen me ashpërsi. Sa i përket çështjes së fabrikës, duke u nisur nga ankesat e shumta që kam pasur nga banorët e Zallës, kam parë që komunikimi me drejtuesit e kësaj ndërmarrje me banorët nuk ka qenë aq i mirë. Më tej, në lidhje me shpërthimet si në prona private, ashtu edhe në ato të fabrikës së çimentos, apo prona publike, Bardhi ka deklaruar që rastet në qytet janë sporadike dhe nuk kanë lidhje me shpërthimet, ku është dëmtuar prona publike apo fabrika e çimentos. Ai tregon se për këto shpërthime ka komunikime të shpeshta me organet e policisë, në mbrojtje të qytetarëve, të cilët e kanë zgjedhur në krye të njësisë vendore. Nga ana tjetër, ai tregon se ka pasur shumë ankesa për fabrikën e çimentos. Sipas ankesave, fillimisht, ata i kanë paguar banorët për tokën e zënë dhe për ndotjen, por më vonë, pasi ata kanë bërë disa investime, i kanë ndaluar këto pagesa, si dhe kanë hequr shumë punonjës nga puna, duke sjellë pakënaqësi, që më pas kanë sjellë përplasje. Madje, kjo i ka kaluar përmasat tona dhe të policisë lokale, duke shkuar deri në Ministrinë e Brendshme”, rrëfen kreu i bashkisë. Më tej, Gjon Bardhi shpjegon se firma nuk ka pasur marrëdhënie të mira institucionale as me bashkinë. “Ne kemi pasur komunikime për problemet që lidhen me pushtetin tonë, por fabrika nuk ka lënë tolerancë komunikimi. Këtu bëhet fjalë për çështjet e dokumentacionit, që deri më sot nuk kemi rakorduar, kështu që unë kam përgatitur një dosje, por vazhdojmë të jemi në pritje të dokumenteve të tjera, përndryshe, problemet tona do t’ua bëjmë të ditura organeve kompetente. Aktualisht, fabrika e çimentos përgjigjet, pra kemi marrëdhënie, vetëm për detyrimet financiare ndaj njësisë vendore”, shprehet Gjon Bardhi. Ai tregon se policia ka përforcuar masat pas shpërthimeve dhe nga dita në ditë, ato kanë ardhur duke u përmirësuar.

 

Shpërthimi i djeshëm

Vëllai i oficerit, “viktima” e radhës

Shpërthimi i mesnatës së djeshme ka sjellë dëme materiale dhe panik te qytetarët, por as policia nuk ka një motiv të qartë mbi këtë veprim të dhunshëm. Pronari i biznesit, Shkëlqim Kulla, i cili është vëllai i një oficeri policie në rajonin e Fushë-Krujës, nuk e di mbi kë të vendosë gishtin për këtë ngjarje. “Konkurrencë nuk kam, pasi dy vetë që shesin si unë, janë njerëz të moshuar dhe të nderuar. Jam treguar i drejtë me të gjithë. Duke marrë parasysh gjendjen ekonomike, nuk kam ndaluar borxhin për asnjë dhe nuk ia kam kërkuar askujt”, rrëfen ai, ndërkohë që shpjegon se çfarë ka ndodhur dy net më parë. “Të dielën isha në plazh dhe lashë fëmijët në dyqan. Pasdite, erdha vetë dhe ndenja deri në orën 11:00 të natës. Në atë kohë e mbylla dyqanin dhe shkova në shtëpi. Rreth orës 12:20 të natës, po haja darkë, kur dëgjova shpërthimin. Nuk më shkoi në mendje se ishte dyqani im. Mendova për fabrikën. Më pas, erdhi një i njohur dhe më tregoi. Tritolin e kishin vënë te qepeni. Policia më tha se ishte bombë artizanale dhe më pyeti për ndonjë konflikt, por nuk kam ndonjë. Kam 20 vjet që merrem me tregti dhe prej 12 vitesh jetoj në Fushë-Krujë, por nuk kam pasur kurrë probleme. Nuk di ç’të them”, rrëfen Shkëlqim Kulla për gazetën “Shqip”. Në lidhje me vëllain e tij, ai shprehet se nuk mendon që të ketë pasur lidhje me detyrën e tij, pasi prej vitesh punon në sallën operative dhe është në prag pensioni. Ndërkaq, policia mendon se mund të ketë qenë konkurrencë, por deri në orët e vona të natës nuk ka pasur ndonjë të dyshuar për shpërthimin e djeshëm.

Autor te 10 Korrik 2012. Kryesoret, Reportazh. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry