Kryesoret Korçë: Zhduken 60 vepra, mungon inventari

Korçë: Zhduken 60 vepra, mungon inventari

633
SHPËRNDAJE

Pas vjedhjes së vitit 1994, kur u zhdukën 21 piktura të Mios, vidhen edhe 30 të tjera. E bija e piktorit ka pak shpresa se mund të gjenden. Është shumë e lënduar që fondi i të atit po humbet

Suzana Mio: Jam e tmerruar, po bëhet krim me veprat e babait

Janë plot 60 vepra të zhdukura nga galeria “Guri Madhi” në Korçë. Rreth 30 prej tyre mendohet se i përkasin piktorit të njohur Vangjush Mio. Drejtori i qendrës kulturore “Vangush Mio”, pjesë e së cilës është edhe galeria, Vladimir Topi, theksoi se kanë ngritur një grup pune që po bën inventarizimin e veprave. Mësohet se Bashkia e Korçës ka bërë kallëzim në prokurori, ndërkohë që policia ka sekuestruar dokumentacionin për të bërë verifikimet e rastit. Problemi qëndron në faktin se gjatë këtyre viteve, kjo galeri nuk ka pasur një inventar të saktë të veprave që ruheshin në fondin e saj. Si pasojë nuk dihet as se prej sa kohësh këto vepra i mungojnë galerisë. Drejtori Topi ka theksuar se problemi ka nisur në momentin kur ish-përgjegjësi i galerisë, piktori Sotiraq Xega është larguar nga detyra dhe vendin e tij e ka zënë një djalë i ri. “Ne kemi ngritur një grup pune që po bën inventarin, që besojmë se do të mbarojë nesër (sot). Punonjësi i galerisë, tani është një punonjës i ri, kurse punonjësi që e ka pasur për 10 vjet inventarin, refuzoi të bënte dorëzimet. Ne ngritëm grupin e punës për të kryer inventarin, pasi kanë dalë shqetësime dhe zëra të kësaj natyre. Sipas punonjësit që ka qenë nuk ka pasur deklaratë për thyerje, vjedhje të veprave, kjo është çudia më e madhe”, shprehet Topi. Kur e kemi pyetur se sa vepra ruhen në fondin e kësaj galerie, Topi nuk ishte në gjendje të jepte një shifër të saktë, por u shpreh se do të prisnin inventarin. Nga ana tjetër, Sotiraq Xega ka kundërshtuar akuzat e ngritura ndaj tij, duke theksuar se gjatë kohës që ai ka qenë përgjegjës, në vitet 2001-2011, nuk është bërë asnjëherë inventar i plotë. Nga ana tjetër, veprat e galerisë “Guri Madhi” janë të kataloguara në Qendrën e Inventarizimit të Pasurive Kulturore. Specialistët shprehen se është përfunduar i gjithë fondi i kësaj galerie, çka do të lejojë që të bëhen edhe verifikimet për veprat që mungojnë. Ndërkohë, në mungesë të një inventari të vazhdueshëm, do të jetë shumë e vështirë të përcaktohet koha se kur janë vjedhur këto vepra. Ka zëra që besojnë se kjo mund të jetë një vjedhje e vjetër dhe jo e këtyre dy viteve të fundit. Policia po kryen verifikimet dhe pritet që sot, ngjarja të sqarohet më tej.

 

Oliverta Lila

Vajza e vetme e piktorit Vangjush Mio, Suzana, e ka mësuar që në mëngjes vjedhjen e 60 pikturave, mes të cilave 30 të babait të saj. Nuk do që të komentojë gjatë, sepse ndjehet e lënduar për të dytën vjedhje që i bëhet fondit të veprave të të atit, pas asaj të vitit 1994. Ndonëse këto vepra nuk janë pjesë të fondit të familjes, por të galerisë “Guri Madhi”, Suzana shprehet se po i bëhet krim veprave të Mios, por edhe të piktorëve të tjerë korçarë.

Zonja Suzana, kur mësuat për humbjen e veprave nga Galeria e Arteve?

Një shoqe më lajmëroi në mëngjes se lajmi po jepej në televizion, por unë e kisha fikur. Më tha që ishin vjedhur 60 piktura, mes tyre, 30 të babait tim.

Si u ndjetë?

U tmerrova. Është një krim që po i bëhet veprave të babait tim, por edhe të piktorëve të tjerë korçarë. Jam shumë e dëshpëruar dhe e vrarë shpirtërisht. Këto janë punë në pronësi të shtetit, sepse babai im ia ka shitur për 5 mijë lekë të vjetra, por ky veprim më vret, sepse bëhet e dyta vjedhje e veprave të babait tim.

Çfarë ndodhi me veprat e vjedhura më parë?

Vjedhja e parë u bë në vitin 1994 në shtëpinë muze. U vodhën 21 piktura atë kohë. Na lanë vetëm dy piktura, një natyrë të qetë dhe “Pogradeci”. Bashkëshorti im, i cili tani ka 5 vjet që nuk jeton më, nuk rreshti duke i kërkuar dhe duke shkuar institucioneve. U vumë në kontakt dhe me Interpolin. Deri më sot nuk është gjetur asgjë. U bënë kaq vite dhe nuk ka gjurmë të tyre. Çështja u arkivua nga policia. Të paktën të gjenden këto.

A e dini se sa vepra të babait tuaj ruhen në fondin e galerisë “Guri Madhi”?

Jo, as drejtuesit nuk e dinin. Komunikova me ta, më thanë se mund të jenë rreth 30 vepra të babait tim mes atyre të humbura, por kaq. As ata nuk dinin më shumë.

Shpreson se mund të gjenden?

Nuk di ç’të them. Thonë që po merret policia me këtë punë dhe të shpresojmë se mund të gjenden. Ata që i kanë marrë, duket që ia dinë vlerat këtyre veprave.

Pas vjedhjes së parë, e ruani personalisht shtëpinë muze?

Po, e ruaj me polici private. Më jep shteti 30 mijë lekë të reja, me të cilat paguaj për ruajtjen.

A kanë interes vizitorët?

Nuk është ndonjë interes shumë i madh. Kryesisht të huaj vijnë.

 

 

“Veprat e Mios shiten nga 5-20 mijë euro”

Zana Varvarica Kuka: Humbja, katastrofë kulturore

Kritikja e artit, Suzana Varvarica Kuka, e quan një katastrofë kulturore dhe një cenim i identitetit artistik të Mios vjedhjen e 30 veprave të piktorit korçar. Ajo po punon për një monografi të tijën dhe ende nuk kishte arritur të merrte imazhet e veprave. Nuk e ka mësuar asnjëherë numrin e saktë të veprave të Vangjush Mios që ndodheshin në galerinë “Guri Madhi”, por thotë se mund të jenë mbi 45 të tilla. Duke e cilësuar si themeluesin e shkollës së pikturës realiste, Kuka shprehet se humbja nuk ka çmim.

Mbi 60 vepra arti kanë humbur në galerinë “Guri Madhi” në Korçë, mes të cilave rreth 60 janë të piktorit Vangjush Mio. Nga pikëpamja profesionale, çfarë dëmi shkakton kjo humbje në koleksionin që trashëgohet nga Mio?

Së pari më lejo të të them se, sapo e dëgjova lajmin më erdhi shumë keq, pasi jam duke punuar për monografinë e Vangjush Mios. Kjo galeri arti, ende nuk më ka dhënë dokumentacionin e duhur të imazheve të veprave të Mios, që ruhen në fondin e saj dhe të mendosh që janë 30 vepra të zhdukura të tij, kjo është një katastrofë kulturore për vetë identitetin artistik të autorit dhe të atmosferës sociale të qytetit të Korçës. Mua më vështirëson punën dhe qyteti njolloset për të disatën herë për vjedhje të veprave të Mios. Kjo humbje shkakton së pari tronditje thelbësore në trashëgiminë kulturore kombëtare, pasi vlerat artistike kalojnë nga pronësia kombëtare e mbrojtur nga pushteti në këtë rast në pronësinë private, e cila kjo e fundit mban riskun që ato vepra nëse nuk gjenden, do të qëndrojnë gjithmonë të paekspozuara. Dhe arsyeja është shumë e thjeshtë, vepra e Mios kthehet në mall të tregut të zi të veprave të artit.

Si kritike arti, çfarë përfaqëson Mio në pikturën shqiptare, por edhe më gjerë?

Mio është artisti kyç i asaj galerie dhe artisti më i njohur i gjysmës së parë të shekullit XX në Shqipëri. Vlera e Mios barazohet me shkollën e pikturës së artit realist të peizazhit në vendin tonë. Ai është artisti i pari profesionist që ndërtoi elementet bazë të ndërtimit të gjinisë së peizazhit “en plain air” nga artisti. Ai solli për herë të parë në imazhet e pikturës së tij mjedise nga natyra, të cilat janë të pasura me elemente teknike shprehëse dhe elemente shpirtërore pasqyruese. Mio është përfaqësuesi më kryesor i gjashtë piktorëve të parë klasikë shqiptarë. E përdor emërtimin klasik për t’i dalluar “të gjashtët” nga piktorët e pikturës mesjetare të ikonës dhe afreskut kishtar gjatë bizantinizmit të gjatë. Mio ka shumë arsye për të qenë një përfaqësues i parë i pikturës laike shqiptare.

Nëse bëjmë një llogaritje të përafërt me vlerën e tregut, në çfarë shifrash do të shkonte kjo humbje?

Nëse mendojmë si vlerë e artit kombëtar dhe pasuri e trashëgimisë kulturore kombëtare, humbja është shumë e madhe dhe s’ka çmim, pasi dëmi është i pallogaritshëm, në kushtet e një piktori të madh siç është Mio në vendin tonë. Po nëse mendojmë se një pikturë e Mios mund të shitet nga 5000 deri 20.000 euro, atëherë ju mund ta bëni llogaritjen vetë.