Hajredin Kuçi sërish në postin e zv/kryeministrit dhe ministrit të Drejtësisë së Kosovës


Hajredin Kuçi, ka dëgjuar “lutjet” e shefit të tij, kryeministrit Hashim Thaçi dhe është rikthyer në qeverinë e Kosovës.


Të martën ai është ulur sërish në tryezën e punës së zyrës së tij në Ministrinë e Drejtësisë të cilën e ka “braktisur” para rreth tri javëve kur ka dhënë dorëheqje.


Lajmi është konfirmuar nga Ministria e Drejtësisë, e cila ka shpërndarë një njoftim për mediat lokale, ku bënte te ditur se Kuçi në ora 12:30 do të takohet me shefin e EULEX-it, Xavier Bout de Marnhac, ku pritet që ta arsyetojë rikthimin e tij në pozitën e ministrit të Drejtësisë dhe zëvendëskryeministrit. “Ju njoftojmë së sot e martë 10 korrik 2012, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, do të takohet me Shefin e EULEX-it, Xavier de Marnac. Takimi do të zhvillohet në ora 12:30, në Ministrinë e Drejtësisë, objekti ish Rilindja, kati IX, zyra 914”, përfundon komunikata e Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës.


Ndërkohë vetë Kuçi, pasdite ka deklaruar zyrtarisht se është kthyer në postet qeveritare. “Pas takimeve që kam zhvilluar me Kryeministrin Thaçi dhe me Kryekuvendarin Krasniqi, jam kthyer në pozitat e mëhershme. Ky është takimi im i parë zyrtar pas që pas dorëheqjes sime”, ka deklaruar Kuçi në një prononcim të shkurtër pas takimit me Shefin e EULEX-it, Xavier de Marnhac.


Kuçi dha dorëheqjen disa javë më parë, pasi kishte premtuar se nëse nenet problematike për mediat, 37 dhe 38 të Kodit Penal të Kosovës, do të kalonin në Kuvend pa u amandamentuar, ai do të ofronte dorëheqjen e tij. E menjëherë pasi këto nene kaluan në Kuvend, Kuçi dha dorëheqje nga të gjitha postet qeveritare, atë të Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Drejtësisë.


10 korrik 2012 (gazeta-Shqip.com)