BLEDAR KURTI
Është krijuar një perceptim i gabuar në lidhje me heronjtë dhe shpëtimtarët e politikës shqiptare. Shumica prej nesh vazhdon t’i shohë figurat kryesore politike në vend të veshura me kostumin e heroit ose të antiheroit. Dhe kur asnjëri prej tyre nuk duket se ka grintë mesianike vazhdojmë t’i varim shpresat tona se një ditë do vijë një njeri apo një parti që do ta bëjë Shqipërinë vendin më të begatë në botë. Në fakt, sa herë një popull ka pasur këtë pritshmëri u ka hapur derën diktatorëve, të cilët, ose kanë sunduar me grusht të rëndë me dekada të tëra, apo kanë sjellë konflikte luftarake botërore, ose kanë mbetur në histori si karagjozë dhe drejtues qesharakë.
Fatkeqësisht, ne vazhdojmë të varim shpresat tona në figurën e një njeriu ose në logon e një partie. Ka individë apo parti që janë munduar të transmetojnë frymë apo kauzë, por edhe këto janë jashtë kontekstit globalist dhe modern si në politikë ashtu edhe në çdo fushë tjetër. Atë që nuk po e kupton asnjë nga drejtuesit politikë apo kryesitë e partive politike është se vendit i duhet forcimi dhe mbarëvajtja e sistemit në të gjitha hallkat burokratike. Vendit nuk i duhet më retorikë por burokraci, nuk i duhen më shumë politikanë sesa specialistë dhe teknicienë, më shumë fjalime prekëse sesa propozime dhe skema funksionale që prekin çdo aspekt të shtetit dhe jetës së qytetarit.
Kanalet televizive janë të mbushura plot me heronj politikë ku njëri premton se do rilindë një komb, tjetri do ta mbrojë nga pushtuesit dhe sulltanët, një tjetër do sjellë një frymë të re, dikush tjetër do kryejë reforma, e gjëra të tjera si këto. Çfarë nuk shihet në TV është gjuha profesionale ekonomike, juridike, mjekësore, arsimore, etj., specialistë dhe teknicienë që debatojnë se cila formulë apo skemë është më efikase për të zgjidhur problemet e shumta që ka vendi ynë. Mediat janë të mbushura me heronj që tundin shpatën, duke sharë armikun por fshihen prapa kodrës kur fillon beteja mbi zgjidhjen e problemeve të prekshme për këdo.
Vendi ynë nuk e ka luksin të udhëhiqet nga heronj mediatikë dhe shpëtimtarë politikë. Ne na duhet një sistem që funksionon. Na duhet një sistem i qëndrueshëm burokratik, i hermetuar nga politika, motorët e të cilit punojnë pavarësisht rotacioneve në qeveri. Nuk i duhet njeriu dikush që e përshkruan plot mjeshtëri urinë e të papunit, por dikush që shpjegon me detaje se si do të hapë vende të reja pune. Nuk kërkon ndonjë nivel të lartë intelektual të kuptosh se drejtësia, arsimi, ekonomia, ushqimi, rendi, turizmi, etj., kanë probleme, por se si do zgjidhen ato! Midis një aktori të talentuar dhe të kollarisur, me një gjuhë tërheqëse dhe prezencë televizive dhe një specialisti me syze të trasha që skuqet nga kamerat, por që ofron zgjidhje për problemet, është lloji i këtij të dytit ai që i duhet këtij vendi. Koha e ka treguar se donzhuanët politikë dhe heronjtë mediatikë e çojnë vendin në kriza, ndërsa teknicienët me grintë burokratike drejtojnë qeveritë teknike për të larë kusuret e aventurave të politikanëve të papërgjegjshëm që e dëshirojnë karrigen e pushtetit por nuk dinë si të qeverisin.
Ç’është më e keqja, as në partitë opozitare, ato të cilat duhet të propozojnë pa pushim alternativa dhe zgjidhje problemesh, nuk ekziston një logjikë konstruktive dhe profesionale mbi teknikalitetet e qeverisjes. Për shembull, është e pashpjegueshme dhe e pajustifikueshme që PS, partia më e madhe në vend, me kapacitete të pashtershme, mjaftohet me premtime për një turizëm modern, një arsim europian, infrastrukturë si të BE-së, shëndetësi universale, drejtësi e pakorruptuar, sport për të gjithë e parulla si këto që nuk i apelojnë as njeriu me kapacitetin më minimal intelektual. Argumentet politike të një force serioze politike duhet të bazohen mbi çfarë dhe si, përndryshe nuk tregohen aspak serioze përpara njerëzve.
Heronjtë tanë janë kopjacë të imazhit politik botëror, sidomos atij amerikan. Por drejtuesit e vendeve të zhvilluara e kanë luksin të zhvillojnë beteja mediatike dhe gara popullariteti, pasi kanë një motor burokratik që nuk ndalon kurrë së punuari, ndërsa vendi ynë ka një sistem me arna që duhet ndrequr dhe ndoshta ndryshuar në disa kategori të caktuara.
U japim kredite politikanëve tanë për intuitën që kanë, për retorikën e mrekullueshme, për grintën e liderit, për frymën që transmetojnë, për imazhin inspirues, etj., por le të sfidojmë këdo prej tyre që e sheh veten si hero dhe shpëtimtar të problemeve që ka ky vend me papunësinë, ekonominë, drejtësinë, arsimin, shëndetësinë, infrastrukturën, etj., me një pyetje shumë të thjeshtë: Si?