Tour de France
Çiklisti anglez ka dominuar garën e kronometruar, duke ruajtur kreun në klasifikim
Uigins i jep një shkundje Turit të Francës me një provë fenomenale. Fanella e verdhë ka fituar garën e kronometruar prej 41.5 km nga Arc et Senans deri në Besancon me një kohë prej 51’24”. Ai që ka shkelur i dyti finishin ka qenë shoku i tij i skuadrës Sky, Froome, të cilit i është dashur të vuajë një vonesë prej 35″. Pozicioni i tretë iu rezervua Fabian Kançelarës. Ndërkohë që dita e djeshme ka qenë e vështirë për Kaden Evans: 53’07”. Skuadra “Sky” vazhdon ta dominojë Turin e Francës. Çifti anglez Uigins-Froome fluturon në 41,5 km e etapës së nëntë, duke mundur kështu edhe specialistët e provave kundër erës. Kançelarës, i cili ishte edhe favoriti kryesor në prag të kësaj etape, i është dashur të dorëzohet, pasi kronometri për të u ndal te një vonesë prej 57″ nga kryesuesi, e cila mund të konsiderohet vërtet shumë. Uigins është treguar perfekt, ka bërë një garë shumë të bukur dhe ka demonstruar se është vërtet një çiklist i fuqishëm. Gjithçka që ai dha në këtë etapë ishte për t’u marrë si model. Për të mund të përshtaten fjalët: thjesht i mrekullueshëm. Tani “bluza e verdhë” duket se është i hekurt dhe në garat malore aplikon një taktikë shumë të kujdesshme. Një gjë që nuk munden ta bëjnë Evans, Nibali e Menchov. Që nga e mërkura, pasi dita e sotme do të jetë pushim, të gjithë pasuesit e tij do të duhet të shpikin ndonjë gjë në Alpe. Australiani i skuadrës Bmc ka bërë një kronometër nën pritshmëritë dhe tashmë vazhdon të mbetet i dyti në klasifikimin e përgjithshëm, por me një diferencë nga vendi i parë prej 1’53”. Ndërsa italiani Vinçenco është mbrojtur më së miri, duke bërë një paraqitje më të mirë se sa rusi i Katushas prej 1″. Megjithatë ai ka humbur një pozicion në klasifikimin e përgjithshëm, vend i cili është marrë nga Froome, dhe aktualisht renditet i katërti në klasifikimin e përgjithshëm me një diferencë prej 2’23” nga Uigins. Ditën e sotme çiklistët do ta kalojnë duke pushuar, në kërkim të rikuperimit të energjive. Ndërsa nesër nis etapa e 10, Macon-Bellegarde sur Valserine. Pritet të jetë një garë shumë interesante, pasi gjatë pedalimit çiklistët do të duhet të përballen me disa disheza.
Humbësit
Një paraqitje jo e mirë për çiklistët Kael Evans dhe për Fabian Kançelarën, të cilët përkatësisht me vonesat prej 1’43″ dhe 57″ renditen në vendet 2 dhe 3
Protagonisti
“Çiklizmi është pasioni im më i madh në jetë”
Bredli Uigins ishte shumë i lumtur me fitoren e kronometrit individual në etapën e nëntë të Turit të Francës, fitore e cila i përforcon kryesimin e renditjes së përgjithshme. Çiklisti i “Sky” theksoi se forcën e gjen nga pasioni që ka për çiklizmin, pa të cilin do të ishte “si një robot”. “Kam bërë një punë të madhe psikologjike e fizike edhe pse kam ende shumë për të bërë. E adhuroj këtë sport, kur kam qenë i vogël isha një tifoz i madh dhe jam i lumtur që sot jam kryesues i Turit të Francës”, shprehet Uigins. Britaniku foli edhe për kronometrin individual: “E kisha studiuar mirë terrenin dhe e dija që më përshtatej. Dhashë maksimumin dhe jam shumë i kënaqur. Nuk ishte një distancë e lehtë, sepse ishte një terren plot kthesa dhe me ndryshime ritmi”.
