Kreu i komunës Frakull, Viktor Cervanaku, ka rrëfyer para gjykatës se si është qëlluar Faik Myrtaj
“Ne ishim duke bërë shaka me Faik Murtaj, në momentin kur ai bërtiti ‘diçka më kafshoi’. Menjëherë më pas ai ra përtokë dhe kur ne u afruam, ai kishte vdekur”. Kështu ka rrëfyer përpara togave të zeza, Viktor Cervenaku, kryetar i komunës Frakull në Fier, një prej pjesëmarrësve në protestën e 21 janarit në Tiranë.
Seanca e radhës së çështjes së “21 janarit”, ku katër demonstrues u vranë me armë zjarri në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ka vijuar me dëgjimin e dëshmitarëve të akuzës. Dëshmitari Viktor Cervanaku ka deklaruar se garda nuk ka qëlluar me plumba manovër.
Për shkak të detyrës prej 20 vitesh në polici, ai e kishte kuptuar që në fillim që bëhej fjalë për plumba të vërtetë, ndërkohë që shtoi se në kohën ku po dërgonin Faik Myrtajn në spital, kishin dëgjuar në radio edhe për të vrarë e të plagosur të tjerë.
Dëshmitari tjetër, Vehbi Shkjau tregoi se ishte në rrugicën pranë Gjykatës Kushtetuese, në momentin që ishte plagosur në këmbë, por fatmirësisht jo me një plumb të vërtetë, por manovër. Në gjyq ishin thirrur për të dëshmuar edhe tre efektivë të Gardës së Republikës Mark Ndoj, Ndriçim Mara dhe Agron Malaj,të cilët u shprehën se garda ka respektuar ligjin dhe atyre atë ditë u është dashur të përballen me sulmin e turmës. Në fillim të dëshmisë së tij shefi i armatimit në Gardë, Mark Ndoj ia adresoi fajin vetes për mos hedhjen e firmës nga ish-komandanti, Ndrea Prendi në kohën që ai ka marrë armën në dorëzim në vitin 2009.
Mark Ndoj i tha gjykatës se “është neglizhenca ime që ka ndodhur kjo gjë’, ndërkohë që është pikërisht kjo firmë, e cila mesa duket e shpëtoi Ndrea Prendin nga paraburgimi. Dëshmitari shtoi se ai kishte vendosur në kasafortë armët e dorëzuara prej shoferit të Ndrea Prendit, Margarit Kume, që kishte depozituar dy muaj pas 21 janarit edhe armën e tij edhe dy armë të Ndrea Prendit.
Ish-Komandanti i Gardës së Republikës, Ndrea Prendit dhe gardisti Agim Llupos, akuzohen për “vrasje në rrethana të tjera cilësuese” ndërsa shoferi i Prendit, Margarit Kume po gjykohet për “veprime që pengojnë të vërtetën”.
11 korrik 2012 (gazeta-Shqip.com)
“Ne ishim duke bërë shaka me Faik Murtaj, në momentin kur ai bërtiti ‘diçka më kafshoi’. Menjëherë më pas ai ra përtokë dhe kur ne u afruam, ai kishte vdekur”. Kështu ka rrëfyer përpara togave të zeza, Viktor Cervenaku, kryetar i komunës Frakull në Fier, një prej pjesëmarrësve në protestën e 21 janarit në Tiranë.