Presidenti i Republikës, Bamir Topi zhvilloi sot në mesditë një takim të veçantë me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara, Aleksander Arvizu; me kreun e Delegacionit të Bashkimit Europian, Etore Sekui si dhe me kreun e Prezencës së OSBE-së, Eugen Volfart.


Ambasadorët Aleksander Arvizu, Etore Sekui dhe Eugen Volfart vlerësuan rolin moderator, pozitiv dhe konstruktiv të Presidentit Topi si respektues i Kushtetutës, ligjeve të vendit dhe si simbol i unitetit të popullit duke shprehur mirënjohjen edhe për bashkëpunimin e shkëlqyer e të frytshëm që kanë gëzuar me Kreun e Shtetit shqiptar gjatë mandatit të tij presidencial.


Presidenti Topi dhe ambasadorët Arvizu, Sekui dhe Volfart diskutuan edhe për situatën politike në vend, duke nënvizuar domosdoshmërinë e gjetjes së vullnetit të duhur dhe dialogut konstruktiv nga klasa politike për të kaluar nga fjalët në vepra për kryerjen në kohën e reformave të nevojshme për anëtarësimin sa më të shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Europian, siç janë reforma zgjedhore, gjyqësore dhe ajo parlamentare si dhe heqja e imuniteteve.


Në këtë drejtim, Presidenti Topi, duke ndarë të njëjtat pikëpamje me tre ambasadorët, theksoi se realizimi me sukses i këtyre reformave “do të ishte jetik dhe tepër i rëndësishme për demokracinë shqiptare dhe garantimin e votës së lirë të qytetarëve, për ndarjen dhe ekuilibrimin e pushteteve, për ruajtjen e pavarësisë së institucioneve kushtetuese si dhe për vetë të ardhmen integruese të Shqipërisë”.


11 korrik 2012 (gazeta-Shqip.com)