Policia ndalon vjehrrin e autorit për akuzën e “armëmbajtjes pa leje”
Policia e Kukësit ka zbardhur plotësisht krimin në familje, të ndodhur mëngjesin e së martës në qytetin e Kukësit, ku një 32-vjeçar u godit me pistoletë dhe mjete të forta nga vëllai i tij.
Sipas burimeve zyrtare të kësaj të fundit bëhet e ditur se tashmë është arrestuar jo vetëm vëllai vrasës Ardian Mata,34 vjeç, por edhe bashkëpunëtori i tij i krimit, vjehrri i tij, Sahat Gjuta, 49 vjeç. Ky i fundit është arrestuar në flagrancë për veprën penale të “Prodhim dhe armëmbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake” duke lënë të kuptohet se arma me të cilin 34-vjeçari ka qëlluar mbi vëllain e tij 32-vjeçar ka qenë pikërisht e vjehrrit të tij.
Arma e krimit i është gjetur Gjutës në banesën e tij, pas një kontrolli të bërë nga uniformat blu të drejtorisë së policisë së qarkut të Kukësit në lagjen Gostil të qytetit. Policia deklaroi se si provë materiale u gjet dhe u sekuestrua një pistolete te tipit “EKOL” special 99, kalibër 9 mm,një krehër me tre fishekë ushtarak të kalibrit 9 mm si dhe një gëzhoje e goditur e të njëjtit kalibër, armë e cila dyshohet të jetë arma me të cilën shtetasi Adrian Mata ka qëlluar mbi vëllain e tij. Ndërkaq autori ka deklaruar në polici se i vëllai i dhunonte sistematikisht familjen dhe ky ka qenë motivi i konfliktit, që ka degjeneruar në vëllavrasje.
11 korrik 2012 (gazeta-Shqip.com)