Arrestohet vëllavrasësi bashkë me vjehrrin

Policia e Kukësit: Sokol (Ardian) Mataj dhe Sahit Gjutaj vranë Kreshnik Matajn

Sokol alias Ardian Mataj, vëllavrasësi i tre netëve më parë në qytetin e Kukësit, është ndihmuar nga vjehrri për të ekzekutuar para derës së shtëpisë Kreshnik Matajn. Policia e Kukësit ka zbardhur vrasjen e 32-vjeçarit, ngjarje e cila u raportua nga familjarët e viktimës si aksident. Vetëm 15 orë nga vrasja, grupi hetimor zbulon se autori ka qenë pikërisht vëllai i madh. Ai është Sokol Mataj, i cili quhet zyrtarisht Ardian Mataj, pasi kishte ndërruar emrin një vit më parë. Autori ishte përpjekur ta “shiste” vrasjen si një aksident, por që gjatë ceremonisë së varrimit atë e kishte tradhtuar vetvetja. Kthesën vendimtare të rëndësishme në hetimin e çështjes dhe gjetjen shumë shpejt të autorit e ka dhënë grupi i ekspertëve mjekoligjorë që u thirrën nga Tirana, të cilët gjetën në kafkën e viktimës dy predha pistolete. Pas shoqërimit në komisariat të autorit të dyshuar, policia ka zbuluar se në krim ka edhe një bashkëpunëtor, dhe pikërisht vjehrri i Ardianit, Sahit Gjutaj, rreth 50 vjeç me banim në periferi të qytetit të Kukësit. Dje në mesditë, Ardiani dhe Sahiti janë arrestuar dhe do të hetohen për vrasjen 32-vjeçarit para derës së shtëpisë. Ndonëse ende nuk mund të thuhet me shumë saktësi se cila ka qenë arsyeja e vrasjes se vëllait, një emërues i përbashkët i çështjes është se viktima ka qenë person i dhunshëm në shtëpi. Një burim i policisë ka pohuar se edhe dy prindërit Mataj kanë treguar se i biri i tyre i ndjerë, i cili njihej si përdorues i alkoolit, ishte i dhunshëm në shtëpi edhe me ta si prindër. Ndoshta në të ardhmen mund të dalin edhe të dhëna të tjera, por tani për tani, i akuzuari kryesor Ardiani, si dhe familjarët, kanë treguar se viktima ishte një person tepër i dhunshëm. Nga ana tjetër, një burim i besueshëm i policisë thotë se po punohet për të hedhur dritë edhe në pistën që kjo vrasje, e cila u tentua të maskohej si aksident, mund të ketë bashkëpunëtorë të tjerë. Policia raporton se janë dy persona të ndaluar, autori kryesor Ardiani, si dhe vjehrri i këtij të fundit Sahit Gjutaj. Madje mësohet se ky i fundit është arrestuar në flagrancë, fillimisht për armëmbajtje pa leje, pasi në shtëpinë e tij u gjet një pistoletë, për të cilën ekspertët thonë se është arma me të cilën është kryer vrasja e 32-vjeçarit. Varianti kryesor është që arma me të cilën është vrarë viktima ka qenë në posedim të Gjutës, ndërsa Ardiani ia ka marrë dhe pasi ka kryer vrasjen ia ka kthyer. Burime të policisë tregojnë se Gjutaj akuzohet edhe si bashkëpunëtor në vrasje, përkatësisht fshehje e armës së krimit dhe vetë krimit, pasi në shtëpi iu gjet edhe një gëzhojë që vlerësohet paraprakisht si gëzhoja e fishekut që vrau 32-vjeçarin. Një variant tjetër, që mbetet për t’u verifikuar, është që Gjutaj të ketë qenë i pranishëm në krim, madje të ketë ndihmuar në vrasje. Hetimet e mëtejshme pritet të nxjerrin në dritë motivet që çuan në vëllavrasje, një krim i cili kohët e fundit po ndodh shpesh në Shqipëri, por tani për tani klasifikohet si një vrasje e ndodhur për motive të dobëta. S.Dida

Autor te 12 Korrik 2012. Aktualitet, Kryesoret. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry