Fluturimi i parë i Bombardier CSeries është planifikuar për në fund të 2012


Prodhuesi kanadez i aeroplanëve Bombardier ka shpenzuar katër vjet dhe 3.5 miliardë dollarë kanadezë për të zhvilluar familjen e aeroplanëe CSeries, me synimin për të realizuar një avion të gatshëm për të konkurruar në tregun e madhësisë mesatare të 100-149 pasagjerëve. Megjithatë, shumë janë skeptikë mbi fatin e këtij aeroplani, i cili po hyn në konkurrencë me produktet më të famshme të kompanisë europiane Airbus dhe asaj amerikane Boeing.


“Sapo ne të fluturojmë, nga fundi i këtij viti, besoj se njerëzit do të binden që ne jemi në rrugë të mbarë,” thotë shefi i kompanisë Guy Hachey.


Konkurrentët aktualë në këtë segment janë të mirënjohurit A320 dhe B737, aeroplanë me përmasa të mesme, që nuk pëlqehen shumë nga pasagjerët për shkak të pasigurisë që krijon pamja e tyre në krahasim me gjigandët e ajrit. Një konkurrent tjetër të vogël në këtë treg është E-195, prodhuar nga Brazili.


Sipas Hachey, asnjë kompani tjetër në botë nuk ka ndër mend t’i hyjë punës për një avion të ngjashëm për shkak të dominimit të dy gjigandëve, por Bombardier beson se do t’ia dalë.


CSeries do të jetë në gjendje të shpenzojë 20 për qind më pak karburant dhe emision në krahasim me A319 dje B-737, por problemi i vetëm i këtij aeroplani është që nuk ka dalë ende në fluturim, ndërkohë që dy gjigandët po përgatiten të përballen me konkurrencën e re.


Si europianët ashtu edhe amerikanët, po punojnë në një program për zëvendësimin e motorëve të aeroplanëve ekzistues me synimin për të rritur rentabilitetin e karburantit. Ndërkohë, avionët e tyre kanë qenë në qarkullim tashmë prej dekadash dhe kjo i ka dhënë kohë për përmirësime. Nëse në ndonjë treg tjetër, një produkt me këtë moshë do kishte dalë sakaq në pension, në botën e aviacionit nuk është aspak kështu.


Megjithatë, Bombardier beson se avioni i tyre do të jetë sërish më eficent në karburant se sa variantet e modifikuara të dy gjigandëve aktual. “Edhe pasi konkurrentët të instalojnë motorët e tinj, ne sërish do jemi 12 për qind më eficent,” – thotë drejtori.


Megjithatë, porositë për avionin e ri kanë qenë të pakta dhe të pamjaftueshme. Gjithsej 139 njësi janë kërkuar nga 13 kompani ajrore. Por për Bombardierin, shifra është e kënaqshme pasi nënkupton se prodhimi për tri vitet e para është shitur sakaq dhe me daljen në fluturim, më shumë porosi do të vijnë.


12 korrik 2012 (gazeta-Shqip.com)