Kreu i grupit parlamentar të PS ka kërkuar zbardhjen e tij për deputetët, Topalli ka theksuar se duhen të paktën tri ditë kohë


Seanca e sotme plenare ka nisur me replika mes kreut të grupit të PS, Gramoz Ruçi dhe kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Ruçi ka kërkuar që ligjvënësit të njihen me draftin e reformës zgjedhore, si dhe me kalendarin e këshillit legjislativ dhe komisionit të ligjeve për ndryshimet Kushtetuese.


“Sapo përfundoi mbledhja e konferencës së kryetarëve dhe u vendos që drafti për reformën zgjedhore të përfshihet në axhendën e ardhshme. Drafti duhet të vijë në parlament, në mënyrë që deputetët të njihen me të dhe mos të ndodhë që të vijë ditën e enjte dhe më pas të diskutohet”, – deklaroi Ruçi.


Por kryetarja e kuvendit, Jozefina Topalli theksoi se ekspertët të cilët do të merren me zbardhjen e draftit, kanë kërkuar të paktën 3 ditë kohë për ta zbardhur atë dhe pas do t`i paraqitet deputetëve për t`u miratuar në seancën e së enjtes. Sipas Topallit, pavarësisht dëshirës për ta votuar që sot, drafti i reformës zgjedhore mund të votohet vetëm seancën e të enjtes tjetër.

12 korrik 2012 (gazeta-Shqip.com)