Metoda se si do të plotësohet formulari A2 ende nuk është e qartë, megjithëse jemi pranë afatit të shpërndarjes. Një shkresë e Agjencisë Kombëtare të Provimeve referon se plotësimi i tij do të bëhet online, por deri dje nuk ka asnjë konfirmim nëse do të zbatohet apo do të kthehemi te shpërndarja e fletëve të printuara. Udhëzimi për shpërndarjen dhe plotësimin e formularit ende nuk është bërë publik dhe në të tilla kushte rrezikohet vonesa e procesit të shpërndarjes, afateve të plotësimit dhe dorëzimit.
Sivjet, formulari A2 do të plotësohej në mënyrë elektronike. Vendimi u mor nga Agjencia Kombëtare e Provimeve. Drejtori i strukturës, Alfons Harizaj, ka dërguar një udhëzim në të gjitha drejtoritë e shkollave për nevojat logjistike që ato kanë, duke qenë se kjo është praktikë e re për sistemin tonë arsimor. Kreu i AKP-së i ka dorëzuar një kërkesë Drejtorisë Arsimore të Tiranës, që të njoftojë të gjitha shkollat e mesme të ndjekin me rigorozitet kushtet e duhura në laboratorët që ofrojnë internet. Aplikimi i këtij dokumenti do të bëhet online.
Deri dje, nuk dihej me siguri nëse kjo praktikë do të vihet në zbatim, pasi nuk është bërë ende publik udhëzimi për plotësimin e formularit të preferencave. Aktualisht përfaqësuesit e këtij institucioni bëjnë me dije se formulari do të plotësohet sot ose nesër në sajtin zyrtar të MASH, ndërsa nuk sqarohen detajet e tjera.
Për të realizuar plotësimin online, AKP-ja ka udhëzuar që të vihet në dispozicion një laborator i posaçëm që do të përdoret për aplikimin online të formularit A2. “Ky laborator duhet të jetë me të gjithë kompjuterët në gjendje pune, si dhe të lidhur me internet”, ka kërkuar Agjencia Kombëtare e Provimeve. Nga ana tjetër, agjencia që do të merret me procesin e Maturës Shtetërore ka kërkuar që në laborator të ketë një printer të konfiguruar si printer rrjeti dhe të furnizuar me bojë printeri e letër të mjaftueshme të formatit A4.
Duke iu referuar projektit të AKP-së, mësohet se gjatë plotësimit të formularit online do të jenë edhe mësuesit, të cilët do të udhëzojnë nxënësit për të mos bërë gabime. Shpresa Mezini