Trupat mbrojtese te Kosoves, foto ilustruese


Katër të pandehurve nga Peja, mes tyre një polic dhe një ushtar i FSK-së, të dyshuar për vepra të rënda penale, u është shtyrë seanca e konfirmimit të atakuzës për shkak të vonesës së prokurores dhe mosveprimit të saj.


Në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë të enjten ishte caktuar të mbahet seanca e konfirmimit për katër të pandehur nga Peja, të cilët akuzoheshin për vepra penale të blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike, trafikim me njerëz dhe mbajtje në pronësi në kontroll, në posedim ose në shfrytëzim të paautorizuar të armëve.


Njëri nga të pandehurit ishte polic i Kosovës e tjetri tetar në Forcën e Sigurisë së Kosovës, që të dy të suspenduar pas fillimit të hetimeve dhe arrestimit të tyre.


Gjykatësi i konfirmimit, përmes ftesave kishte urdhëruar që seanca të fillonte në orën 10. Ftesat ishin dërguar tek prokurorja Besa Krajku, të pandehurit dhe mbrojtësit e tyre. Por seanca për konfirmimin e aktakuzës nuk filloi deri në orën 11, kjo për shkak të mos ardhjes së prokurores së rastit. Madje në kohë ftesës i ishte përgjigjur edhe njësiti i transportit të burgosurve, të cilët të paraburgosurin e kishin sjell me kohë në seancë.


Gjykatësit të procedurës paraprake iu deshtë që përmes telefonit të thërriste disa prokurorë që të paraqiteshin për të zëvendësuar prokuroren që mungonte. Por ftesës së gjykatësit iu përgjigj vetëm prokurori Sabri Ademaj i cili në seancë erdhi i papërgatitur, kjo pasi që lënda ishte shumë voluminoze dhe as që e kishte me vete.


Me të ardhur prokurori, ai tha se është dashur të thirret shkrimorja e prokurorisë, kjo pasi që ata e dinë më mirë se kujt i është dorëzuar lënda. Por gjykatësi tha se i ka thirrur të gjithë prokurorët me radhë vetëm që seanca të mos shtyhet.


Seanca nuk u mbajt për shkak se mbrojtësit e të pandehurve që në fillim të seancës deklaruan se shkresat e lëndës nuk i kanë marrë dhe se kontestojnë kompetencën territoriale, kjo pasi që veprat penale për të cilat prokuroria po i akuzonte supozohet se të pandehurit i kishin kryer në Pejë e jo në Prishtinë.


Avokati Gëzim Baloku tha se të pandehurit akuzohen se kanë kryer veprat penale, por se nuk tregohet vendi i kryerjes së veprave penale. Ai shtoi se policia ka kryer hetimet në Prishtinë, dhe si pasojë e kësaj edhe kallëzimi penal i ka shkuar Prokurorisë se Qarkut në Prishtinë e jo asaj në Pejë.


Gjykatësi tha se për këtë kërkesë të mbrojtjes gjykata do të marrë një aktvendim të veçantë, të cilin do ta dorëzojë tek palët me kohë. Ai jashtë procesverbalit i tha mbrojtjes se “keni pas kohë me e parashtru me parashtresa çështjen e kompetencës, ju e bëtë e unë do e refuzoj”.


Mbrojtja më pas kërkoi nga gjykata që të urdhërojë prokurorin që t’iu japë shkresat e lëndës, kjo pasi që të njëjtit nuk kishin marrë asnjë shkresë nga lënda dhe nga hetimet.


Për këtë shkak, gjykatësi mori aktvendim dhe shtyri seancën për datën 15 gusht në ora 10.


Marrë nga gazetajnk.com