Sot pritet të mbërrijnë në Korçë specialistët e veprave të artit për të bërë verifikimet. Inventari konfirmoi mungesën e 61 veprave, nga të cilat, 27 të piktorit Vangjush Mio. Sotiraq Xega i ka deklaruar grupit hetimor se çelësi i arkivës mund të jetë kopjuar
Ish-përgjegjësi i galerisë: Janë të miat
Oliverta Lila
Pas konfirmimit nga inventari se në galerinë “Guri Madhi” në Korçë mungonin 61 vepra, policia ka bërë kontroll në shtëpinë e ish-përgjegjësit, Sotiraq Xega. Në banesën e tij në Drenovë janë gjetur rreth 1 mijë piktura, për të cilat Xega pretendon se kanë autorësinë e tij. Rreth 24 piktura të realizuara nga Xega gjenden të regjistruara në fondin e galerisë së Korçës, ashtu si edhe vepra të piktorëve të tjerë korçarë. Veprat që janë gjetur në shtëpinë e Xegës do të jenë nën mbikëqyrjen e policisë, ndërkohë që sot pritet që specialistët e veprave të artit të mbërrijnë në Korçë për të bërë verifikimet, nëse mes një mijë veprave të gjetura në shtëpinë e Xegës, do të rezultojnë piktura që i mungojnë fondit. Më parë, policia ka bërë edhe një kontroll në banesën e përgjegjësit aktual të galerisë, por mësohet se në të nuk janë gjetur piktura. I pyetur nga grupi hetimor, mësohet se Xega ka deklaruar që çelësi i arkivit mund të jetë kopjuar dhe se ai mund të mos ketë qenë poseduesi i vetëm. Po ashtu, ai ka thënë se në ekspozitën e fundit ku u paraqitën punime të Mios, katër prej tyre janë zhdukur. Në një prononcim në “Top Channel”, ai hodhi akuza edhe për vjedhje të këtyre veprave për t’ua bërë dhurata zyrtarëve të shtetit dhe biznesmenëve. Sot pritet që hetimet të zbardhin më tej skandalin e vjedhjes së 61 pikturave dhe gjetjen e personave përgjegjës.
Inventari
Në ditën e tretë të denoncimit të zhdukjes së veprave nga galeria “Guri Madhi” në Korçë, pas kryerjes së inventarit, është konfirmuar mungesa e 61 veprave, nga të cilat 27 të piktorit Vangjush Mio. Pas përfundimit të inventarit, drejtori i galerisë “Guri Madhi”, Vladimir Topi, ka deklaruar për mediat se ngarkohet me përgjegjësi ish-përgjegjësi i arkivave, Sotiraq Xega, pasi ky i fundit ka refuzuar të bëjë dorëzimet e inventarit të Galerisë së Arteve dhe nuk ka vënë në dispozicion të komisionit kartelat e regjistrimit të veprave. “Ekziston një urdhër i vitit 2002, nga titullari i bashkisë së asaj periudhe, sipas të cilit administrimi dhe përgjegjësia e galerisë i ngarkohet personit, i cili ka firmosur marrjen në ngarkim të fondit fizik të galerisë në atë kohë. Për inventarin e fundit gjatë të cilit u konstatua mungesa në fondin e galerisë, personi materialisht përgjegjës është njoftuar në prezencë të komisionit dhe ka kundërshtuar të bëjë dorëzimin e inventarit të galerisë së arteve ‘Guri Madhi’ dhe nuk ka vënë në dispozicion të komisionit kartelat e regjistrimit të veprave. Nga ana tjetër, Bashkia e Korçës ka kërkuar një proces auditimi për mënyrën se si ka funksionuar kjo galeri. Kërkojmë që organet e drejtësisë të bëjnë sa më shpejt dhe objektivisht punën e tyre, për zbardhjen e kësaj ngjarjeje dhe rikthimin e veprave që mungojnë në fondin e Galerisë së Arteve ‘Guri Madhi’ në Korçë”, ka deklaruar Vladimir Topi. Skandali i vjedhjes së 61 pikturave ka shërbyer edhe si motiv debatesh në mbledhjen e këshillit bashkiak, ku këshilltarët e djathtë kanë kërkuar reagim të kryetarit të bashkisë, z. Niko Peleshi. “I gjithë opinioni qytetar korçar, të gjithë njerëzit e artit dhe kulturës, e gjithë Shqipëria është sot e shokuar nga skandali i vjedhjes së 61 pikturave në galerinë ‘Guri Madhi’ të qytetit tonë. Çudia më e madhe është se nuk shohim asnjë akt dorëheqjeje, nuk shohim asnjë urdhër të kryebashkiakut për pezullim dhe për të bërë përgjegjës drejtuesit e institucionit ku ndodhi një nga vjedhjet më të mëdha të shekullit për Shqipërinë. Kjo të çon në mendimin se pikturat janë zhdukur sistematikisht dhe në vazhdimësi”, është shprehur këshilltarja e djathtë në bashki, Jonela Spaho. Policia po heton edhe për persona të tjerë që mund të jenë përfshirë në ngjarje, por pa bërë të njohur emrat.
61 vepra
Inventari i kryer në galerinë “Guri Madhi” ka konfirmuar mungesën e 61 veprave të fondit, mes të cilave, 27 të piktorit Vangjush Mio. Drejtori i qendrës kulturore të qytetit ka bërë përgjegjës ish-kujdestarin Sotiraq Xega
24 piktura
Sipas katalogimit të bërë në galerinë “Guri Madhi”, pjesë e fondit të galerisë janë edhe rreth 24 piktura të ish-përgjegjësit të galerisë, piktorit Sotiraq Xega. Ndërkohë në shtëpinë e tij në Drenovë, policia ka sekuestruar rreth një mijë piktura, të cilat do të verifikohen nga specialistët