Martesa mes kushërinjve është e mikpritur në ranget e fisnikërisë në Tonga


Trashëgimtari i fronit të Tongas në Pacifikun e Jugut është martuar me kushërirën e tij në një ceremoni të zhvilluar në kryeqytetin Nuku’alofa.


Princi i kurorës Tupouto’a Ulukalala dhe bashkëshortja e tij, Sinaitakala Fakafanua, që të dy në moshën rreth 20 vjeç, përshëndetën turmën festive ndërsa dolën nga kisha pas martese.


Banorët vendës po e festojnë ngjarjen në mënyrën e tyre tradicionale dhe po ofrojnë derra të pjekur për gosti. Martesa u zhvillua katër muaj pasi mbreti George Tupou V vdiq në mars. Martesa mes kushërinjve shikohet si një mënyrë për të mbajtur linjën mbretërore të gjakut të pastër në Tonga.


“Ky është një fillim i ri për familjen mbretërore,” tha xhaxhai i dhëndrit, lordi Vaea për televizionin e Zelandës së Re. “Ne po punojmë për të ruajtur monarkinë kushtetuese,” shtoi ai.


Tonga është një grup prej rreth 170 ishujsh të shpërndarë në një territor të gjerë në Pacifikun e jugut dhe është monarkia e fundit polineziane. Është një vend shumë konservator dhe kristian dhe që votoi për herë të parë për të zgjedhur një parlament në vitin 2010. Kjo i dha fund një regjimi feudal që pati sunduar për 165 vjet. Është ish-protektorat britanik që e fitoi pavarësinë më 1970, por nuk është kolonizuar kurrë.


12 korrik 2012 (gazeta-Shqip.com)