Kreu i NATO-s nxit bisedimet. Thaçi: Do të bëjmë ushtrinë tonë


Nuk ka zgjidhje ushtarake për Veriun e Kosovës, ka thënë të mërkurën në Prishtinë, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen.


Këto komente, Rasmusen i bëri në përmbyllje të vizitës së delegacionit të Këshillit të NATO-s në Kosovë, me ç’rast ky delegacion takoi komandantin e KFOR-it, Erhard Drevs, përfaqësuesit e misioneve ndërkombëtare, si dhe Kryeministrin Hashim Thaçi dhe zëvendësin e tij, Sllobodan Petroviç.


Me këtë rast, Rasmusen u bëri thirrje liderëve në Prishtinë dhe në Beograd që të vazhdojnë bisedimet, duke ua bërë të qartë se për Veriun nuk do të ketë zgjidhje ushtarake apo të dhunshme.


“Nuk ka zgjidhje ushtarake për këto probleme. Ne duhet të kemi një proces politik, i cili do të sjellë integrimin e plotë të pjesës veriore në Kosovë dhe në shoqërinë kosovare”, theksoi Rasmusen.


“Kjo kërkon angazhim nga autoritetet në Beograd, por edhe guxim politik e përkushtim nga autoritetet politike në Prishtinë”, tha në vijim sekretari i përgjithshëm i NATO-s.


Ai i rikujtoi se ende ka probleme politike të pazgjidhura. “Ka ende probleme politike. Ato duhet të adresohen përmes dialogut dhe për këtë arsye ne e mbështesim dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit që po lehtësohet nga Bashkimi Europian”, theksoi Rasmusen.


Duke u kthyer në retrospektivë, zyrtari i lartë i Aleancës Veriatlantike, tha se vetë reduktimi i numrit të trupave të KFOR-it dëshmon se në Kosovë ka përparime. Në fillim të mandatit më 1999-n, ai rikujtoi se KFOR-i kishte afër 50 mijë ushtarë në Kosovë, kurse tash ka diku prej 5 deri në 6 mijë ushtarë. Kjo, sipas tij, tregon se ka përparime. Megjithatë, aty ku NATO kërkon tani përparime është Veriu i Kosovës.


“Vitin e fundit kemi parë edhe dhunë në pjesën veriore dhe dua të theksoj se ne do të ndërmarrim hapa të nevojshëm për të përmbushur plotësisht mandatin me Rezolutën 1244 për një ambient të qetë e paqësor”, tha Rasmusen.


Lidhur me takimin e zhvilluar me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s dhe Këshillin Veriatlantik, është prononcuar edhe Kryeministri Hashim Thaçi.


Para kabinetit qeveritar, Thaçi tha se aty është biseduar për zhvillimet aktuale në Kosovë, duke theksuar situatën në Veri. Thaçi ka përjashtuar çdo mundësi që ajo pjesë të fitojë ndonjë status special apo autonomi të veçantë. Një çështje tjetër që është diskutuar me zotin Rasmusen dhe Këshillin e NATO-s ishte edhe e ardhmja e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Thaçi tha se çdo vend sovran ka edhe ushtrinë e vet, por u zotua se të gjitha hapat në këtë drejtim Kosova do t’i koordinojë me NATO-n.


 


Deklarata


Thaçi: Duarshtrëngimi me Tadiçin, shumë i vonë


Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se shtrëngimi i duarve me ish-presidentin e Serbisë, Boris Tadiç, është “shumë pak dhe shumë i vonë”, sepse Tadiç nuk e ka bërë një gjë të tillë sa ka qenë president. Në një intervistë për të përjavshmen kroate “Globus”, Thaçi ka thënë se lideri i Partisë Demokratike ka qenë “dy herë President i Serbisë” dhe asnjëherë nuk ka treguar dëshirën e as nuk ka pasur guximin që të shënojë historinë duke shtrënguar duart me përfaqësuesit e Kosovës, por e ka bërë këtë në Samitin e Kroacisë, por jo më në cilësinë e presidentit të shtetit.


 


Replika


Dell: Surroi iu zvarrit Thaçit


Surroi: Ambasadori thur thashetheme


Pas bërjes publike të opinionit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës se Presidentja Atifete Jahjaga duhet të qëndrojë në krye të shtetit një mandat të plotë, deri në vitin 2016, ambasadori amerikan, Christopher Dell, ka bërë publike detajet për lojërat politike që u zhvilluan në garë për postin e presidentit në vitin 2010 dhe 2011. Ambasadori Dell, në një intervistë për gazetën “Kosova Sot”, ka pohuar se Surroi ishte imponuar si kandidat për president të vendit. “Më duhet t’ju them se një veprim që më ka bërë të ndihem i ndotur, duke qenë dëshmitar i tij, ka qenë kur e kam parë Veton Surroin të zvarritet para Kryeministrit, duke e lutur të bëhet president. Kjo ka ndodhur në shtëpinë time, në fund të tetorit apo në fillim të nëntorit”, ka thënë Dell. Veton Surroi ka dhënë një version ndryshe nga ai i ambasadorit Christopher Dell, duke shprehur çudinë sesi një diplomat amerikan bëhet krijues dhe shpërndarës i thashethemeve. “Kam shkuar në rezidencën amerikane me ftesë të ambasadorit Dell për darkë, në të cilën ai ka insistuar në prani të Hashim Thaçit që do të ishte mirë për vendin që unë të bëhem president pas dorëheqjes së Fatmir Sejdiut. Me arsyetimin se kjo do të ishte mirë për të tejkaluar krizën institucionale dhe për ta prezantuar Kosovën më mirë në botë, për shkak të perceptimit negativ që ka z. Thaçi në botë”, ka sqaruar Surroi. “Nuk ka pasur kurrfarë zvarritjeje, as lutje nga ana ime, po ka qenë ide e ambasadorit Dell dhe pjesë e bisedës së tij. Ndërsa Pacollit asnjëherë nuk i jam kërcënuar, por në një takim i kam thënë se do t’i bënte dëm Kosovës zgjedhja e tij për president”.