Operacioni
Të arrestuarit – Në pranga përfunduan Miço Thanas Kuro, 29 vjeç, Aurel Lufti Huso, 28 vjeç, dhe Erion Mersin Ajdini, që të tre pronarë të parcelave të ndryshme me bimë narkotike. Gjithashtu u arrestuan Gentian Halili, 19 vjeç, banues në Kukës, dhe Agron Luan Blloshmi, 25 vjeç, nga Librazhdi, punëtorë të mbjelljes së kanabisit
200 policë – Finalizimi i këtij operacioni u arrit në sajë të një pune të organizuar nga policia, ku morën pjesë rreth 200 forca të repartit RENEA, Ndërhyrjes së Shpejtë, Delta Forcë dhe të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër
Asgjësimet – Sa i përket bilancit, nga strukturat e policisë u asgjësuan 5 mijë bimë kanabis, 2 mijë rrënjë kanabis të vendosura në gota plastike të destinuara për mbjellje, të cilat ndodheshin në dy furgonë
Dëmtimet – Gjatë shkëmbimit të zjarrit kanë dalë jashtë funksionit dy bote uji, tre kamionë, si dhe 2 mjete të tipit fuoristradë, që u përkisnin shtetasve të cilët hapën zjarr kundër forcave të policisë
Intervista
Oficeri i forcave speciale rrëfen 8 orët në këmbë me 35 kg në kurriz dhe ndërhyrjen në mal
“Agresorët na qëlluan me mitraloza, ndërsa ne u mbrojtëm me snajperë amerikanë të kalibrit 12.5”
Forcat speciale nuk kishin urdhër që të ndërhynin brenda fshatit të Lazaratit nga frika se mund të kishte viktima në fëmijë dhe gra. Urdhri për ta ka qenë vetëm asgjësimi i tre arave të kanabisit, të cilat ishin identifikuar nga vëzhgimet me helikopterë dhe me avionë. Madje, për të hyrë dhe për të dalë nga ajo zonë, forcave speciale u janë dashur tetë orë rrugë në këmbë, me nga 35 kg për secilin në kurriz. Këto fakte tregohen nga një efektiv i forcave speciale RENEA, i cili detajon planin e goditjes dhe shpjegon përplasjen me armë me të zotët e kanabisit të mbjellë. Speciali X (emri nuk publikohet për arsye sigurie), tregon se janë nisur rreth mesnatës, ndërkohë që ndërhyrja dhe përplasja ka ndodhur sapo ka zbardhur drita.
Mund të na thoni se cili ishte plani i masave dhe kur nisi operacioni?
Plani i masave është detajuar prej disa ditësh dhe ne pasi morëm detyrat u nisëm drejt Delvinës, nga ku do të bëhej ndërhyrja, pasi duhej shmangur fshati i Lazaratit, sepse hyrja mes kësaj zone konsiderohet me rrezikshmëri të lartë. Me helikopterë, gjatë vëzhgimeve ishte identifikuar zona ku ishte mbjellë kanabisi, ajo ndodhej në pjesën e malore të Komunës së Lazaratit, kështu që na u desh të ngjitemi lart në Delvinë. Rreth orës 02:00 të mëngjesit, lamë mjetet në një kodër lart dhe për dy orë kemi zbritur në këmbë, deri afër zonës.
Sa grupe ishit?
Ne ishim dy grupe nga forcat tona, ndërkohë që grupi tjetër kishte ardhur gjatë rrugës anësore të Lazaratit.
Çfarë bëtë kur mbërritët në zonën e përcaktuar?
Aty kontrolluam zonën me dylbi, ndërkohë që ende nuk kishte gdhirë. Më pas, snajperët u vendosën në vende kyçe, pasi parandienim se do të kishim kundërshtim me armë. Pritëm deri sa u zbardh dhe aty kuptuam se ku ishim, vumë re parcelat me kanabis dhe disa persona që punonin dhe kujdeseshin për lëndën narkotike.
Po përplasja me armë si ndodhi?
Në ato momente, disa persona qëlluan me armë ndaj nesh, ku mes tyre mendojmë se kanë qenë edhe të arrestuarit. Ata mendoj se na kanë qëlluar me kallashnikov dhe me mitraloza 12.7. Por menjëherë u kundërpërgjigjëm, duke përfituar edhe nga terreni, pasi ishim në vend më të mirë. Për më tepër patëm ndihmën e snajperëve, që janë amerikanë, të kalibrit 12.5, me anë të të cilëve i detyruam agresorët të tërhiqen. Madje, me anë të snajperëve arritëm të dëmtonim botët e ujit dhe mjetet me të cilat ata lëviznin deri në fshat, duke i nxjerrë jashtë përdorimit.
Po agresorët, pesëshja e arrestuar ishte, apo kishte edhe të tjerë?
Kishte persona të tjerë, të cilët ikën me vrap dhe u futën në disa shtëpi. Ata u frikësuan, pasi ne kishim epërsi, për shkak të terrenit të lartë, kështu që nuk mund të kundërshtonin.
I ndoqët?
Jo, për arsye se ne kemi qenë edhe herë të tjera në Lazarat brenda në fshat dhe kemi vënë re që rrezikshmëria është shumë e lartë. Ata nxjerrin gra dhe fëmijë përpara, kështu që për të mos sjellë ndonjë tragjedi, urdhrat i kishim të qarta që të asgjësonim lëndën narkotike në zonë dhe të arrestonim vetëm ata që ndodheshin aty. Pra, nuk kishim urdhër të hynim në fshatin e Lazaratit.
Si e asgjësuat kanabisin, a ndiheshit nën kërcënim?
Gjatë gjithë kohës kishim grupin tonë që na mbronte, por edhe grupin tjetër. Gjithashtu, në hyrje dhe daljet e zonës, ku ne po asgjësonim rreth 5 mijë rrënjë kanabis, ishin vendosur forca nga Ndërhyrja e Shpejtë apo nga Delta Forcë. Gjithashtu, pesë personat e kapur aty i vumë në pranga, por largimi ishte i vështirë, për shkak të lodhjes. Gjithashtu, vapa bënte të vetën, ndërkohë që armët nuk mund t’i hiqnim asnjë moment. Edhe aroma e kanabisit shtonte lodhjen e vet, e të gjitha bashkë e bënin tejet të vështirë këtë operacion.
Ju thatë që largimi ishte i vështirë. Përse?
Pas gjithë lodhjes, pagjumësisë dhe stresit nga përqendrimi i tepërt për të mbërritur te vendqëndrimi i makinave na u deshën gjashtë orë në këmbë. E gjithë rruga ishte malore. Me vete kishim të gjithë armatimin e mundshëm, që siç dihet nga të gjithë specialistët, arrin deri në 35 kg. Të gjitha këto bashkë e bënë kthimin më të vështirë, ndërkohë që patëm edhe dëmtime të vogla trupore.
A mendohet të ndërhyhet në Lazarat?
Për këtë nuk di ç’të them. Megjithatë, forcat speciale kanë ndërhyrë disa herë në këtë fshat, edhe pse ka pasur pasoja. Nëse ne na kërkohet një veprim i tillë, do e kryejmë.
Red. Ak.
Të dhëna
Rreziku – Ata nxjerrin gra dhe fëmijë përpara, kështu që për të mos sjellë ndonjë tragjedi, urdhrat i kishim të qarta që të mos hynim në fshat
Mbrojtja – Në hyrje-daljet e zonës, ku ne asgjësuam 5 mijë rrënjë kanabis, ishin vendosur forca nga Ndërhyrja e Shpejtë apo nga Delta Forcë
Lodhja – E gjithë rruga ishte malore. Me vete kishim të gjithë armatimin e mundshëm, që siç dihet nga të gjithë specialistët, arrin në 35 kg