Konvikti i Gjuhëve të Huaja
Konvikti i Shkollës së Mesme të Gjuhëve të Huaja duhet t’i jepet në përdorim Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë. Duke qenë se studentët e Universitetit të Tiranës po bëjnë mësim me turne për shkak se u mungojnë ambientet, konvikti i shkollës së mesme do të zgjidhte çështjen e mësimit me dy turne, deri në ngritjen e kampusit universitar. Ky ka qenë reagimi i djeshëm i një grupi studentësh të Universitetit të Tiranës. “Marrja e godinës do të sillte një lehtësi shumë të madhe për studentet e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja si dhe të Historisë dhe Filologjisë. Në disa fakultete, mësimi zhvillohet deri në orët e vona të mbrëmjes. Marrja në përdorim e kësaj godine për ne do të ishte zgjidhja përkohshme e duhur deri në përfundim të kampusit”, deklaruan zyrtarisht përfaqësues të këshillave studentorë. Sipas tyre, Universiteti i Tiranës pranon numrin më të madh të studentëve në vend, për rrjedhojë ka nevojë për një infrastrukturë më të madhe.