Zhurmat, gjobiten për prishje qetësie 56 subjekte

Aksioni

Inspektorati i Mjedisit: Po ndotet deti, kemi konstatuar 66 shkarkime të ujërave të zeza 

Në mes të sezonit veror, pushuesit po ndeshen me gjithfarëlloj problemesh: zhurmat e përnatshme, ndotjen e detit nga shkarkimet e paligjshme e sidomos nga ujërat e zeza. Konkretisht nga fillimi i muajit janar e deri në fund të qershorit, Inspektorati i Mjedisit me strukturat e shpërndara në të gjithë vendin ka konstatuar 66 subjekte që shkarkojnë ujërat e zeza në det. Veç tyre ka penalizuar 56 subjekte për ndotjen akustike, si dhe ka kërkuar heqjen e licencës për 3 të tjerë. Drejtori i Kontrollit të Mjedisit në Ministrinë e Mjedisit, Alfred Deshati, deklaroi dje se situata e krijuar nga zhurmat e lokaleve do të ndryshojë shumë shpejt. Sipas tij, aksioni i kryer në fundjavë në Tiranë është vetëm fillimi i punës për të vënë para ligjit të gjithë ata që krijojnë shqetësim te qytetarët.

Sipas udhëzimit për sezonin veror, nga e hëna në të premte lokalet e natës mund të operojnë me muzikë të lartë deri në orën 23:00, ndërsa për fundjavën, leja shtyhet edhe një orë, deri në mesnatë.

Një tjetër pikë ku po fokusohen inspektorët e mjedisit janë dhe zonat bregdetare. Kreu i mjedisorëve sqaroi se sot nis në Durrës monitorimi i shkarkimeve të paligjshme të ujërave të zeza në det.

Ministria e Mjedisit ka kryer nga periudha janar-qershor rreth 3990 inspektime në rang vendi, ku gjobat më të shumta janë vendosur për ndotjen bregdetare rreth 66 të tilla me vlerë 39 milionë e 200 mijë lekë dhe 56 gjoba për ndotjen akustike me vlerë 7 milionë e 930 mijë lekë. L.Mixha

Autor te 12 Korrik 2012. Sociale. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry