Akuzat – Opozita ka votuar kundër shtimit të financimit për rrugën Levan-Vlorë, duke akuzuar për korrupsion
Gaçi – Deputeti i PS-së, Artan Gaçi, deklaroi se asnjë nga rrugët në Shqipëri nuk i plotësojnë standardet
Olldashi – Ministri i Transporteve bëri të ditur se mazhoranca do të përdorë çdo mjet për të fituar zgjedhjet
Shpërthen ministri i Transporteve, pas akuzave për Levan-Vlorë
Mazhoranca, përveçse kërcënon opozitën se do të ndalojë të flasin të lirë kundër aferave që dyshohen, bëri të ditur dje se do të arrijë të fitojë zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 me çdo mënyrë. Këtë deklaratë e ka nxjerrë nga goja Sokol Olldashi, ministër i Transporteve dhe anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike. Gjatë debatit të ashpër për rrugën në Shqipëri, Sokol Olldashi ka deklaruar: “Me të gjitha energjitë njerëzore, me përkushtim, me vullnet, me duar, me këmbë dhe me pallë po deshët, ne ia kemi dalë t’ju mundim edhe në zgjedhjet e fundit. Do t’ia dalim prapë t’ju mundim sërish me të gjitha mjetet, nëse është e nevojshme edhe me pallë, në çdo kuptim të fjalës që e merrni ju, t’ju mundim prapë. Prapë do t’ju mundim vitin tjetër sepse ky bilanc është në sytë e qytetarëve shqiptarë”.
Opozita
Reagimi i ministrit ka qenë i ashpër, pas akuzave të panumërta të një grupi deputetësh që kanë ngritur çështje të veçanta për rrugët. Sekretari organizativ i PS-së, Blendi Klosi, deklaroi se Olldashi ka dështuar në postin e tij. Por ministri nuk ka kursyer asnjë cak por ka sulmuar ashpër drejtuesin e PS-së. Por opozita nuk është ndalur. Me disa deputetë të saj kanë rrëzuar argumentet e Olldashit. Deputeti socialist, Artan Gaçi, deklaroi se të gjitha rrugët e ndërtuara nga qeveria kanë probleme shumë të mëdha për qytetarët. “Janë ndërtuar disa segmente elektorale që përfundojnë në kryqëzime të ngjashme vdekjesh. Kështu është rruga Fushë-Krujë-Milot, që nis me 2 korsi në Fushë-Krujë, zgjerohet me 4 korsi për 20 kilometra elektorale për të përfunduar me 2 korsi atje ku lidhet me Rrugën e Kombit. Rruga nga plepat për Kavajë, edhe kjo vetëm 20 kilometra, e cila përfundon në kryqëzimin e tmerrshëm të Rrogozhinës, atje ku shesin misra, ku orientohesh për drejtimin e rrugës nga gomat që vënë banorët e zonës si mure mbrojtëse që të mos u hysh në shtëpi me makinë. Vazhdon me autostradën Lushnjë-Fier, po ashtu 20 e ca kilometra me rrugë fshati që e ndërpresin, e në mes ka një kryqëzim 90 gradë diku në Ardenicë, e paparë në gjithë Europën”, deklaroi Gaçi. Ndërkaq, nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Erjon Braçe, në një deklaratë publike në “Facebook” thekson se “rruga Levan-Vlorë ka ‘mbaruar’, paratë nuk janë paguar!! Më në fund, 5 vite e gjysmë larg nga inaugurimi ‘qeveritar’ i nisjes së punimeve, rruga ‘u sos’ – thonë në Vlorë, por paratë nuk janë paguar! Ky nuk është rasti i parë që ndodh kështu. Një vandak me kontrata që bartin ‘fatura të papaguara’ ndodhet në tavolinat e ministrave përgjegjës, në pritje të shlyhen!”. Sipas Braçes janë 150 milionë dollarë të gjitha të kantiereve elektorale të hapur në fund e ta papaguar edhe sot.
Sipas Braçes, sa më shumë u zgjat afati, po aq u rrit kostoja, domethënë paratë që qytetarët shqiptarë paguajnë. Rruga duhet të mbaronte në dhjetor 2009 (sipas kontratës), pastaj në qershor 2010 sipas shtyrjes së afatit, pastaj në qershor 2011, tani në gusht 2012! 2007 ditë për të ndërtuar vetëm 24 kilometra! As 12 metra në ditë, i bie sa gjatësia e zyrës së Kryeministrit.
Nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Erjon Braçe, deklaroi se “në qendër të saj është përsëri Lulzim Basha. Ju që po e mbani për të qeshur në Bashkinë e Tiranës, duhet ta lëshoni dhe t’ia jepni drejtësisë për së dyti për ta hetuar. Me gjithë shpurën e tij. Shqiptarët po paguajnë kostot e korrupsionit të tij me rrugët”.
Akuza
Me të gjitha energjitë njerëzore, me përkushtim, me vullnet, me duar, me këmbë, edhe me pallë po deshët, ne ia kemi dalë t’ju mundim edhe në zgjedhjet e fundit
Faktet e Braçes
Më 10 korrik 2006, kompania “Alpine”, krijon filialin e saj në Tiranë.
-Më 19 korrik 2006 (9 ditë më pas), me urdhër nr. 7582, ministri Lulzim Basha lejon nisjen e procedurës së prokurimit.
Më 24 korrik 2006 (5 ditë më pas), filiali i “Alpine” regjistrohet si biznes në Gjykatën e Tiranës.
Më 18 shtator 2006 u zhvillua faza parakualifikuese me 29 kompani.
Më 13 nëntor 2006 u krye hapja e ofertave financiare të kompanive, ku “Alpine” kishte ofertën më të ulët, me vlerë 41.9 milionë euro.
-Më 2 shkurt 2007, DPRR i kërkon financuesit BEI miratimin e procedurës.
-Më 2 prill 2007, BEI jep miratimin për procedurën e tenderit.
-Më 26 prill, DPRR fton “Alpine” të lidhë kontratën.
-Më 31 maj 2007, “Alpine” firmos kontratën me vlerë 41.9 milionë euro dhe afat 913 ditë.