Halimit iu besua në fillim të vitit 2011 drejtimi i komisionit hetimor për ngjarjet e 21 janarit


Deputetit të zgjedhur nga lista e PD-së në Durrës, iu deshën vetëm dy vjet për të kaluar nga deputet në ligjvënës


Milionat e anëtarit të qeverisë


Karriera


Fatjona Mejdini


Eduart HalimiEduard Halimi mund të konsiderohet si një nga deputetët fatlumë të grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Kjo për vetë faktin se pas dy vitesh deputet i këtij grupi, Halimi arriti të emërohej si ministër i Drejtësisë, një dikaster i rëndësishëm ky i qeverisë “Berisha”. Eduard Halimi u zgjodh si deputet i PD-së nga listat e kësaj partie në Qarkun e Durrësit në vitin 2009, në një vend të sigurt të kësaj liste. Halimi arriti të zgjidhej si deputet në Durrës, ndonëse ai ka lindur në Korçë dhe po kështu, aktivitetin e tij si avokat e kishte ushtruar në Tiranë. Gjithsesi, shumë shpejt ai do të spikaste në këtë grup, duke dalë shpesh në foltoret e PD-së dhe duke artikuluar ndaj kundërshtarëve politikë deklarata të forta dhe duke marrë dhe pozicionin e sekretarit të grupit parlamentar të demokratëve. Një moment i rëndësishëm politik për Halimin ishte dhe fillimi i vitit 2011, kohë në të cilën ngjarjet e 21 janarit tronditën opinionin publik. Eduard Halimi u përzgjodh nga shumica drejtuese pak ditë më vonë, që të ishte në krye të komisionit hetimor për këto ngjarje, për të vërtetuar faktin se krerët e lartë të shtetit, si Ina Rama dhe Bamir Topi kishin marrë pjesë në një puç shteti për rrëzimin e qeverisë “Berisha”. Ngritja e këtij komisioni bëri bujë të madhe, nisur nga fakti se një pjesë e madhe e opinionit publik nuk mendonin se më 21 janar krerët më të lartë drejtues të shtetit, duke përfshirë dhe kreun e SHISH-it kishin ndërmarrë një puç të mirëfilltë ndaj pushtetit të Kryeministrit Berisha. Ndonëse ky komision ende nuk ka nxjerrë asnjë rezultat për sa i përket puçit të shtetit, pak muaj më vonë, Eduard Halimi u emërua nga Kryeministri Berisha si ministër i Drejtësisë, duke zëvendësuar në këtë pozicion, Bujar Nishanin. Shkak për këto lëvizje në kabinet u bë vendi i mbetur bosh në Ministrinë e Brendshme nga kandididimi i Lulzim Bashës për Bashkinë e Tiranës. Por kjo ministri duket se nuk ishte e panjohur për Halimin, i cili në tetor të vitit 2005 dhe deri në qershor të vitit 2008, mbajti pozicionin e zëvendësministrit të Drejtësisë. Në qershor të vitit 2008, atij i jepet mundësia për të mbajtur pozicionin e Avokatit të Përgjithshëm të Shtetit, post të cilën e mban vetëm për një vit, nisur nga kandidimi që iu bë si deputet në listën e PD-së në Durrës. Gjatë viteve 2003-2005 Halimi ka qenë shpesh ekspert ligjor pranë komisioneve hetimore parlamentare, në mbështetje të qëndrimeve të Partisë Demokratike. Karrierën e tij profesionale, Halimi e ka nisur si gjyqtar i Gramshit dhe po kështu, nga viti 2000 deri në 2005, ka punuar si avokat. Në krye të drejtësisë shqiptare, Halimi ka theksuar se do të ketë si prioritet luftën ndaj korrupsionit dhe abuzimit që gjyqtarët bëjnë me pushtetin.


 


 


Apartamenti në bregdet


Ashtu si pjesa dërrmuese e zyrtarëve shqiptarë, edhe Eduard Halimi zotëron një apartament në qytetin bregdetar të Durrësit, të cilin e ka blerë në vitin 2006.


 


Vetëm në vitin 2010, ka përfituar 35 mijë euro


Të ardhurat e fituara nga zyrat e dhëna me qira 


Ministri i Drejtësisë është përpjekur të përfitojë në maksimum nga qiradhënia e objekteve, të cilat i ka nën pronësi. Rasti më specifik është ai i dhënies me qira të zyrave të tij në dy Kullat Binjake, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Një vit pas blerjes së këtij objekti, pra në vitin 2006, Halimi deklaron se i kishte dhënë me qira këto zyra, duke përfituar 30.000 euro qira. Por një vit më pas, pikërisht në vitin 2007, ai deklaron se ka përfituar nga qiraja e këtyre zyrave, 25.000 euro. Në vitin 2008, Halimi në deklaratën e tij dorëzuar pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive thekson se nga qiraja e objektit për një vit ka përfituar vetëm 12.500 euro. Një vit më vonë, pra në vitin 2009, Halimi deklaron se ka përfituar përsëri një shumë prej 25.000 eurosh. Në vitin 2010, ministri aktual i Drejtësisë thekson se ai ka arritur të përfitojë 35 mijë euro vetëm nga qiraja e të njëjtit objekt. Në vitin 2011, të ardhurat nga kjo pasuri e paluajtshme shkojnë përsëri në shifrën vjetore prej 25.000 eurosh. Duket se mosbërja e një kontrate afatgjatë për këtë objekt me vlerë të konsiderueshme në tregun e pasurive imobilare tregon për një strategji, e cila mund të jetë më fitimprurëse.


 


Asetet dhe pasuria e zyrtarëve për vitin 2011


ILDKP publikon javën e ardhshme deklaratat e reja


Në fillim të javës së ardhshme pritet që Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive të bëjë publike të gjitha deklaratat e reja të zyrtarëve të lartë, të mesëm dhe të vegjël, për vitin 2011. Një pjesë e tyre kanë dalë, një pjesë janë ende në proces, dhe “Shqip” ka siguruar disa nga këto deklarata që do t’i publikojë menjëherë sapo ILDKP-ja të nxjerrë dokumentet e reja. Deklarata e pasurisë e ministrit Eduard Halimi, u arrit të sigurohej e plotë që në vitin e parë që ai e ka dorëzuar, në 2004-n. Por, duke qenë se si ministër nuk është publikuar deklarata e tij e pasurisë, “Shqip” e botoi atë për t’ia bërë të ditur publikut. Javën e ardhshme pritet të bëhen publike të gjitha deklaratat e reja, me anë të të cilave, si dhe në vitet e kaluara do të bëhet analiza e plotë e ndryshimit të aseteve pasurore, të qeveritarëve, deputetëve, zyrtarëve të lartë, politikanëve të lartë të mazhorancës dhe opozitës, në mënyrë që publiku të marrë vesh me hollësi në lidhje me të dhënat e “xhepave” të njerëzve që votohen çdo katër vjet apo edhe janë emëruar në administratë për t’i shërbyer publikut.


 


Shitja e pronave


Nuk dihen arsyet se pse Halimi ka blerë në vitin 2005 dy apartamente dhe një dyqan dhe i ka shitur këto prona vetëm një vit më vonë. Gjithsesi, ky transaksion i ka shtuar 20 mijë euro.


 


Tapia e pronës me sipërfaqe 10 mijë metër katrorë


Toka bujqësore e përfituar nga ndarja sipas ligjit 7501


Eduard Halimi, mesa duket, në mënyrë familjare, vijon të përfitojë nga ndarja e tokës bujqësore, sipas ligjit të tokës 7501, ligj që është miratuar në fillim të viteve 1990 dhe kundërshtohet haptas nga pronarët. Në deklaratën e tij të parë të pasurisë, dorëzuar në ILDKP, ministri aktual i Drejtësisë deklaron se ai zotëron 33% të një toke në një fshat të Rrethit të Korçës të fituar pikërisht sipas ligjit në fjalë. Halimi detajon se sipërfaqja e kësaj toke, që e ka në pronësi, e cila sot ka një sipërfaqe prej 10.000 metër katrorë. Kjo pronësi duket ironike në një moment kur Ministria e Drejtësisë është organi kryesor në vend që koordinonin punën për kthimin dhe kompensimin e pronës, sipas interesave të pronarëve të ligjshëm të tokës. Këta të fundit, nga ana e tyre, janë kundërshtarë të “betuar” të ligjit 7501, i cili ndonëse është kritikuar dhe kundërshtuar shumë vitet e fundit, vijon të mbetet në fuqi. Kundërshti ndaj këtij ligji kanë dhe përfaqësuesit e Partisë Republikane, të cilët janë të aleatët të Partisë Demokratike në qeverisje.


 


Ministri ka preferuar zonën e periferisë së kryeqytetit


Apartament dhe troje në zonën e Mulletit


Komuna e Petrelës, në periferi të Tiranës, ka nisur të formohet si një zonë rezidenciale, në të cilën gjithmonë e më shumë po shtohen vilat e banimit dhe mundësitë për argëtim. Duket se kësaj joshjeje nuk i ka rezistuar as Eduard Halimi, i cili në vitin 2010, gjatë kohës që ishte pjesë e grupit parlamentar të PD-së, deklaron se ka blerë një truall në Mullet, fshat pjesë e komunës së Petrelës, me një sipërfaqe prej 1.100 m² me një vlerë prej 95.700 eurosh. Ndonëse Halimi deklaron se vitet e fundit kishte blerë një apartament tepër të bollshëm në kryeqytet. Trualli në Mullet, ndonëse nuk jepen detajet se për çfarë do të përdoret, duket se do të jetë një rezidencë e ardhshme banimi. Për shkak të fluksit të kërkesave për banim në periferi të kryeqytetit dhe vlera e trojeve në këtë zonë ka pësuar gjatë viteve të fundit rritje të konsiderueshme në vlerë, duke krijuar një zonë rezidenciale dhe luksoze vetëm pak kilometra larg kryeqytetit.