Huamarrja
Halimi deklaron në vitin 2005 se, përveç një shume prej 70 mijë eurosh të marrë në bankë, ka marrë edhe 50 mijë euro borxh nga një person fizik. Një borxh ky pa interesa i marrë për 17 vjet. Por pak vite më vonë ai deklaron se ka shlyer 20 mijë euro nga kjo kredi, por gjithashtu shton se ai vetë po në këtë kohë ka dhënë hua 20 mijë euro kesh për një tjetër person fizik.
Deklarata në ILDKP
Në inventar, apartamente, zyra, troje dhe toka bujqësore
Fatjona Mejdini
Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, mund të quhet me plot gojën një njeri i pasur, i cili zotëron pasuri të konsiderueshme në prona të paluajtshme. Si një ish-gjyqtar dhe avokat, pasuria e të cilit në vitin 2003 ishte një apartament 65 m2 i ndërtuar përpara vitit 1990, një autoveturë dhe 33% e një toke bujqësore e përfituar në një fshat të Korçës nga ligji 7501, pas gjashtë vitesh në politikë pasuria e tij është shumëfishuar. Duke iu referuar deklaratave të tij zyrtare të pasurisë deri në vitin 2011, Eduard Halimi tashmë disponon një mori pasurish të paluajtshme, që nisin nga zyra me sipërfaqe 118 m2 në bulevardin kryesor të Tiranës, deri tek apartamenti i banimit po në Tiranë prej 140 m2, një apartament në Durrës me sipërfaqe 68 m2, truall në Mullet me sipërfaqe 1 100 m2 dhe një garazh, i cili kap vlerën e 15 000 eurove. Po kështu ai deklaron se në vitin 2011, kohë në të cilën është emëruar si ministër i Drejtësisë, ka blerë një automjet “Benz” me vlerë 42 000 euro. Po kështu Halimi ka ruajtur të pashitur edhe tokën bujqësore që ka në Korçë.
Procesi
Nëntë deklaratat e pasurisë së Eduard Halimit (2003-2011) tregojnë në mënyrë të detajuar pasurinë dhe kohën kur ministri aktual i Drejtësisë e ka krijuar atë. Në vitin 2004, Halimi dorëzon në institucionin e sapokrijuar për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, pasuritë e tij nisur nga detyra e ish-gjyqtarit në qytetin e Gramshit. Në këtë deklaratë është e detajuar edhe pasuria e tij fillestare familjare. Por në vitin 2005, Halimi bën një tjetër deklaratë pasurie pranë ILDKP-së, këtë radhë nisur nga funksioni i tij si zëvendësministër i Drejtësisë. Në këtë deklaratë, Halimi detajon pasurinë e krijuar në vitet 2004-2005, vite në të cilat shikohet një rritje e konsiderueshme e pasurisë. Kështu, në vitin 2005 Halimi deklaron se ka blerë me vlerë 220 000 euro një apartament zyrë prej 118 m2 dhe po kështu ka paguar 66 000 euro për dy apartamente dhe një dyqan, në total ka nxjerrë një shumë prej 280 000 mijë eurosh. Si burim të ardhurash për këtë shumë, Halimi deklaron se ka marrë një kredi 70 000 euro në bankë, plus 50 000 euro si hua pa interes, duke krijuar një shumë prej 120 mijë eurosh. Po kështu deklaron se ka fituar të ardhura nga puna e tij si avokat në një studio ligjore, 8 000 000 lekë në vit. Por vetëm një vit më vonë Halimi tregon se ka shitur dy apartamentet dhe dyqanin që kushton 166 000 euro (nga të cilat kishte paguar vetëm 66 mijë) për një vlerë 185 000 euro, pra duke përfituar me këtë transaksion rreth 20 mijë euro. Në këtë kohë, Halimi deklaron se ka blerë edhe një apartament në qytetin e Durrësit me vlerë 48 000 euro. Por në vitin 2007 Halimi ka vendosur ta shtojë edhe më shumë pasurinë e tij, duke blerë një apartament me vlerë në total, 112 000 USD dhe duke dhënë vetëm këstin e parë të tij që është 30 000 euro. Ndërkaq Halimi deklaron se ka shitur apartamentin e tij të blerë në vitin 1994 dhe këtë shitje e ka bërë në dy pjesë, njëherë duke shitur shtesën e tij dhe më pas duke shitur apartamentin e plotë.
Në vitin 2009, ku Eduard Halimi u kandidua si deputet i PD-së në Qarkun e Durrësit, ai thekson mes të tjerash se ka harxhuar rreth gjashtë mijë euro për arredimin e zyrës së tij politike. Në vitin 2010, Halimi deputet vendos të bëjë edhe një blerje tjetër të rëndësishme në koleksionin e tij të pasurive, këtë radhë në Mullet, zona që përfshihet në Komunën e Petrelës dhe që është një truall me një sipërfaqe prej 1 100 m2 dhe me vlerë në total prej 95 700 euro.
Transaksionet
Ministri i Drejtësisë duket një person që ka një pasion të veçantë për blerjet dhe shitjet e pasurive të paluajtshme. Në të gjitha deklaratat e tij të pasurisë tregohet qartë se ai nuk ka qëndruar asnjë vit nga këto nëntë vite pa blerë apo pa shitur pasuri të tij.
Diferencat
Në vitin 2004, Halimi kishte një apartament 65 metra katrorë dhe një shtesë në Tiranë të shitur. Kishte një tokë bujqësore në Korçë.
Në vitin 2011, pasuria e patundshme u shtua me 3 apartamente të tjera, një garazh, një truall dhe një automjet luksoz
Pasuria e paluajtshme:
Nga shtëpia e vogël tek apartamentet e bollshme
Rritja e pasurisë nga viti 2004 në vitin 2011
Në vitin 2004
- Apartament banimi i ndërtuar para vitit 1990 me sipërfaqe 65 m2 dhe shtesë-100% në Tiranë (e shitur)
- Tokë bujqësore 10 000 m2 nga ligji 7501 -33% – Korçë (e pashitur) Autoveturë tip “Benz” 250 – 7 milionë lekë (i shitur)
Në vitin 2011:
- Apartament zyrë 118 m2 (Twin Tower)- 220 000 euro – 50%
- Apartament 140 m2 (Rr. “Abdyl Frashri”) – 112 000 USD
- Apartament në Durrës 68 m2 – 48 000 euro
- Truall në Mullet 1 100 m 2 – 95 700 euro
- Automjet “Benz” 42 000 euro
- Garazh – 15 000 euro
Deklarata
“Qytetarët të flenë të qetë, bandat janë në burgje”
Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, duke folur gjatë një konference të titulluar “Praktikat më të mira në drejtësinë kriminale”, ka thënë se Shqipëria nuk është më një vendstrehim për bandat dhe krimin e organizuar. “Sot falë policisë shqiptare, vendi ynë nuk është më strehim për krimin e organizuar dhe bandave. Është detyrë e çdo qeverie që të hartojë paketa ligjore për të luftuar krimin e organizuar dhe të fitojë betejat me të”, tha Halimi. “Pak vite më parë, miratuam një nga ligjet më të rëndësishme, ligjin antimafia, opozita e kundërshtoi me orë të tëra, por qeveria ishte e vendosur, duke e cilësuar betejë me tolerancë zero këtë luftë ndaj krimit të organizuar dhe bandave. Që të luftosh krimin duhet ta godasësh atje ku i dhemb më shumë, te pasuria. Vetëm vlera e pasurive të sekuestruara nga Krimet e Rënda është mbi 20 milionë euro, dhjetëra apartamente banimi të sekuestruara çdo vit, njësi tregtare, biznese, troje, automjete luksoze që përbëjnë rezultatet e luftës ndaj krimit të organizuar”, tha ai. “Sot kam kënaqësinë që një trupe gjyqësore t’i drejtohem me një falënderim për punën, përkushtimin në të mirë të drejtësisë në luftën e pareshtur ndaj krimit. Jemi jashtë hartës problematike të krimit të organizuar, qytetarët e bëjnë gjumin e qetë, bandat janë brenda kangjellave të burgjeve”, vijoi më tej Halimi.