Historia – Partizani është themeluar më 4 shkurt 1946. Deri tani, skuadra që u themelua nga Ministria e Mbrojtjes, numëron 15 tituj kampionë, 15 Kupa Shqipërie, një Superkupë dhe një Kampionat Ballkanik
Postkomunizmi – Pas viteve ‘90, klubi u drejtua nga donatorë italianë dhe më 1998-n, president bëhet Albert Xhani. Ai arriti ta ngjisë skuadrën nga Kategoria e Dytë (sot e Para) në Kategorinë e Parë (sot Superioria)
Fundosja – Në fund të sezonit 2008-2009, skuadra ra në Kategorinë e Parë. Por, gjatë sezonit që përfundoi, ajo njohu rënien më të madhe, duke luajtur në Kategorinë e Dytë. Tashmë, e ka siguruar ngjitjen në të Parën.
Futboll Klub Partizani
Nickname: “Demat e Kuq”
Themeluar: 4 shkurt 1946
Trofetë e Partizanit
15 tituj kampionë në Superiore (1947, 1948, 1949, 1954, 1957, 1958, 1959, 1961, 1962–‘63, 1963–‘64, 1970–‘71, 1978–‘79, 1980–‘81, 1986–‘87, 1992–‘93)
1 titull kampion në Kategorinë e Parë (2000-‘01)
15 Kupa të Shqipërisë (1948, 1949, 1957, 1958, 1961, 1964, 1966, 1968, 1970, 1973, 1980, 1991, 1993, 1997, 2004)
1 Superkupë Shqipërie (2004)
1 Kupë Ballkani (1970)
Dilema e FSHF-së, cila skuadër do të luajë në Kategorinë I
Altin Manallari
Vazhdon të jetë në udhëkryq Partizani, një ndër klubet më të lavdishme të futbollit shqiptar, gjiganti, i cili i është nënshtruar fatit të vuajtjeve pafund dhe që tashmë nuk e ka të sigurt nëse do të jetë apo jo një skuadër aktive në sezonin e ardhshëm 2012-2013 në Kategorinë e Parë.
Pa financa – Përgatitjet për edicionin e ri futbollistik, skuadrat i kanë filluar, por Partizani është ende në ajër. Fundosja nga elita e futbollit në Kategorinë e Dytë erdhi për shkak të problemeve financiare. Përveç financave të munguara, drama “e kuqe” u pasua me të tjerë faktorë negativë gjatë viteve të fundit. Partizani, prej gati dy vitesh, orvatet nëpër dyert e gjykatave. Më shumë se për futboll, që pas rënies së ekipit nga Kategoria Superiore, për të kuqtë janë lakuar kryesisht terma si padi, akuza, i akuzuar e të akuzuar. Presidenti Albert Xhani dhe Paro Laçi, që të dy aksionerë të këtij klubi (i pari me 60 për qind, ndërsa i dyti me 40) janë ende në gjykatë për të drejtën e administrimit të klubit. Gjyqi i dytë ishte ai i Rudinës, bashkëshortes së Albert Xhanit, e cila e paditi këtë të fundit, pasi pretendonte që ai i kishte shitur aksionet pa e pyetur. Asaj i lindte kjo e drejtë, sepse ky investim ishte kryer në një kohë kur ata ishin të martuar dhe Xhani nuk e kishte informuar atë. Ndaj ligji ishte në krahun e bashkëshortes. Por asgjë nuk mbaroi këtu, sepse vetëm pak muaj më vonë, në skenë doli Ministria e Mbrojtjes, e cila u përball në gjyq me presidentin Xhani, duke pretenduar logon e këtij klubi. “Odiseja” e këtij gjyqi u ndal, pasi Gjykata e Apelit në Tiranë, me një vendim të formës së prerë, i dha të drejtën e përdorimit të logos dhe stemës së Partizanit Albert Xhanit, ndërsa ministria “iku me bisht ndër shalë”. Sipas këtij vendimi, përfshirja e dikasterit qeveritar në këtë “mesele” mund të konsiderohet një gafë e FSHF-së, e cila edicionin e kaluar zyrtarizoi pa të drejtë Partizanin e ministrisë në Kategorinë II.
Dy Partizanët – Për momentin, Xhani ka vetëm një Partizan në vendime gjykatash, ndërsa mungojnë strukturat, nuk ka ende një ekip apo një staf drejtues, madje nuk ka as para për të garantuar sezonin e skuadrës, vetëm një president. Ky i fundit ka filluar të lëvizë disi: Është parë të konsultohet me Bajkon, por mungojnë hapat zyrtarë. Ndërsa në anën tjetër, një Partizan e ka edhe Paro Laçi, i cili është më aktiv në këtë periudhë: ka grumbulluar futbollistë, ka krijuar një ekip që stërvitet nga Kodrat e Liqenit, ka një staf drejtues, por Partizani i tij është ende i panjohur ligjërisht. Pas vendimit të Apelit, Ministria e Mbrojtjes është tërhequr, por jo plotësisht: në hije ajo mbështet aksionerin Paro Laçi, i cili është ende në garë me Xhanin në gjykatë për të drejtën e klubit. “E bëj unë Partizanin, blej aksionet e Xhanit”, u shpreh aksioneri me 40%, pas bllokimit të përkohshëm të 60% të aksioneve të presidentit nga Përmbarimi për shkak të borxheve ndaj një banke. Por Xhani mësohet se i ka shlyer detyrimet dhe ka rimarrë 60% të aksioneve. Të dy pretendentët i janë drejtuar Agjencisë së Sporteve për të kërkuar një fushë me qira.
Sytë nga FSHF – Por në Kategorinë e Parë në këtë sezon do të luajë ai Partizan, që do të miratojë FSHF, e cila duket se është vënë në siklet. Në një prononcim, sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, Eduard Prodani, është shprehur: “Aktualisht kam një kërkesë të bërë nga aksioneri i Partizanit, Paro Laçi. Nga ana e Albert Xhanit, ende nuk kemi asnjë kërkesë zyrtare për marrjen e skuadrës në dorëzim. Megjithatë, për kërkesën e Laçit do të marrë një vendim Komiteti Ekzekutiv”, ka pohuar Prodani. Edhe nëse Xhani bën kërkesë, ajo mund të hidhet poshtë, nëse presidenti nuk ngrin shumën e duhur për të përballuar sezonin. Por për ligjërimin e mundshëm të Partizanit të “Panjohur” të Laçit, i cili i garanton financat e nevojshme, duhet pritur vendimi i gjykatës, që jepet më 17 shtator, kohë kur sezoni ka nisur. Në këtë rast, do të kishim kampionë pa një Partizan, gjë që është shumë e mundshme.
1946-1998
Sukseset dhe trofetë që ka kaluar klubi i të kuqve në 50 vitet e para
Partizani, një histori lavdie e legjendës së futbollit shqiptar
“Futboll Klub Partizani” është skuadër shqiptare futbolli, që e ushtron aktivitetin e vet në kryeqytet, Tiranë, dhe është themeluar në vitin 1946. Pjesëmarrja e parë në Kampionatin Kombëtar Shqiptar i përket vitit 1947. Më 7 prill 1946, në një ndeshje miqësore kundër 17 Nëntorit të Tiranës, ekipi u quajt për herë të parë me emrin “Partizani”, që e kishte të shkruar edhe në fanellat e kuqe. Partizani e fitoi atë ndeshje me rezultatin 2-0, me golat e O.Pengilit dhe Q.Telitit. Formacioni fillestar në këtë ndeshje miqësore ishte: Çobani, Tepeli, Dibra, Fagu, Kavaja, Pengili, Hoxha, Sakiqi, Bylyku dhe Demneri. Partizani ka marrë pjesë në kampionatin kombëtar për herë të parë në vitin 1947 dhe arriti të fitojë trofe që në debutimin e tij. Të kuqtë fituan përsëri më 1948 dhe 1949, vite kur arritën të fitojnë Kupën. Sllave Llambi ka qenë në krye të ekipit asokohe. Në mbi 60 vjet, Partizani ka bërë emër e histori në futbollin shqiptar, duke u kthyer në një klub legjendar. Ai ka fituar 15 tituj kampionë, 15 Kupa të Shqipërisë dhe 1 Superkupë të Shqipërisë. Një tjetër arritje e madhe është medalja e argjendit në dy evente ndërkombëtare, në Lajpcig dhe Hanoi, duke triumfuar ndaj skuadrave të njohura nga Europa Lindore. Partizani është edhe i vetmi ekip shqiptar që ka fituar një trofe jashtë vendit. Në vitin 1970, të kuqtë fituan Kupën e Ballkanit. Partizani dhe lojtarët e tij të talentuar kanë qenë prej kohësh bazë për ekipin kombëtar. Klubi i kuq është konsideruar edhe nga shumë njerëz se ka bazën më të madhe të tifozëve në Shqipëri, jo vetëm në qytetin e Tiranës, por në mbarë vendin. Pas rënies së komunizmit në Shqipëri, në vitin 1990, Partizani ka qenë më pak i suksesshëm në ecurinë e tij. Të kuqtë kanë fituar Kupën e Shqipërisë në 4 raste në këtë periudhë, respektivisht më 1991, 1993, 1997 dhe 2004, ndërsa kanë arritur të fitojnë titullin kampion vetëm një herë, në vitin 1993.
Themelimi
Më 7 prill 1946, në një ndeshje miqësore kundër 17 Nëntorit të Tiranës, ekipi u quajt për herë të parë me emrin “Partizani”, që e kishte të shkruar edhe në fanellat e kuqe
1998-2012
Rrëzimi nga elita dhe peripecitë që kanë gjymtuar “Demat e Kuq”
Problemet dhe rënia e gjigantit në 14 vitet e epokës “Xhani”
Në dekadën e fundit, Partizani nuk ka qenë ekipi i lartësisë së mëparshme. Për herë të parë, skuadra e pa veten në Kategorinë e Dytë, në vitin 1998, kohë kur e mori si president Albert Xhani. Ai e ngjiti deri në Superiore legjendën e kuqe dhe filloi të afrojë lojtarë cilësorë dhe të huaj, sidomos nga Brazili. Megjithatë, Albert Xhani, i cili ka qenë në krye të të kuqve për 14 vjet, ka fituar vetëm një trofe, një Kupë të Shqipërisë, në edicionin 2007-2008, kur ekipi i kuq drejtohej nga trajneri Hasan Lika dhe mundi në finale Dinamon. Sezoni i mëvonshëm ishte një nga më të këqijtë. Situata e keqe financiare solli rezultate të dobëta dhe Shpëtim Duro mori drejtimin e ekipit. Ai arriti t’i motivojë lojtarët dhe të luajnë një sezon shumë më pozitiv sesa pritej, por nuk mundi të triumfojë Kastriotin në një ndeshje shumë të kontestuar “play-out”-i. Kështu, Partizani u detyrua të zbresë nga Superioria për herë të dytë. Sezoni 2009-2010 filloi edhe më keq. Presidenti Albert Xhani deklaron se nuk do të ketë paga për lojtarët këtë sezon. Para fillimit të gjysmës së dytë të sezonit erdhi aksioner edhe Paro Laçi, me 40 për qind të aksioneve, Lulëzim Sallaku, me 10 për qind, ndërkohë që Xhani mbajti pjesën e mbetur, 50 për qind. Megjithatë, ishte Paro Laçi, që mori përsipër të paguante pagat e ekipit. Partizani lulëzoi disi, duke marrë fitore radhazi, por Laçi vendos të largojë trajnerin Bejzade, të preferuarin e Xhanit, duke sjellë në drejtim Gerti Haxhiun. Pas sezonit 2010-2011, ekipi zbriti për herë të parë nga Kategoria e Parë në të Dytën. Me shumë sforco e probleme, tashmë nën komandën e Ministrisë së Mbrojtjes, e cila tentoi të nxirrte jashtë loje presidentin Xhani, që nga ana e vet vijon betejën ligjore për njohjen e të drejtave mbi klubin e kuq, Partizani lë të Dytën dhe rikthehet në Kategorinë e Parë, ku do të luajë sezonin 2012-2013.
Trofeu i vetëm
Gjatë këtyre 14 viteve që Xhani është në krye, Partizani ka fituar vetëm një trofe, Kupën e Shqipërisë, në edicionin 2007-2008, kur mundi në finale Dinamon