Extra Reportazh TRAGJASI: Fshati midis malit dhe detit

TRAGJASI: Fshati midis malit dhe detit

3126
SHPËRNDAJE

Mjedisi – Me zhurmën e dallgëve në vesh dhe erën e njohur të jodit në hundë e njëherësh në një mjedis pastoral, ashtu si në poemën e Naim Frashërit Tragjasi qëndron aty mospërfillës

Ftesa – Kush t’ia dijë vlerat, le ta vizitojë; kush të mos ia njohë lavdinë, le të largohet; kush të ketë ngut dhe “turizmin kulturor” ta ketë kuptuar vetëm si një lidhje me qytetet, le të shohë punën e vet

Mali – Këtu krenaria dhe jeta kanë kuptim të lidhur me malin, tufën, bejkën e bardhë. Deti është për ata të kryeqytetit. Peshku është për ata që s’kanë mish në tryezë. Pse të fusësh peshk në shtëpi kur ke tufën tënde?

Një bujk – vendës zbuloi krejt rastësisht, duke lëruar tokën, dy relieve në gur, njëri prej të cilit i jep kuptim emrit të supozuar të fshatit

Në relievin – e parë gjendet figura e një orakulli që u flijon perëndive një cjap, dhe dihet se në greqishten e vjetër “tragos” quhej cjapi

Në planin – ballor të relievit të dytë shihen portretet e dy kalorësve romakë, kurse në sfond janë dy shigjetarë bashkë me mburojat e tyre

Riti – i flijimit të kujton festimet e njohura Bakhanale apo Dionisiake. Në relievin tjetër gjendet emri “Dimenion”, të cilit ende nuk i është dhënë kuptim

Vendasit, ata janë lebër të vërtetë dhe emri Labo këtu është shumë i përhapur

MONIKA SHOSHORI STAFA

Për të shkuar në Tragjas nuk mjafton tabela njoftuese pak metra para se të kapërcesh urën për në Orik. Qindra e mijëra autovetura kalojnë përditë nga Vlora drejt Llogarasë dhe ajo tabelë i përcjell me indiferencë. Për të shkuar në Tragjas, duhet të nisesh posaçërisht për në Tragjas. Ky është një prej ceneve të përgjithshme të shqiptarëve: tre kilometra larg detit dhe njëherësh në freskinë e shpatit të malit; me zhurmën e dallgëve në vesh dhe erën e njohur të jodit në hundë e njëherësh në një mjedis pastoral, ashtu si në poemën e Naim Frashërit, Tragjasi qëndron aty mospërfillës – kush t’ia dijë vlerat, le ta vizitojë; kush të mos ia njohë lavdinë, le të largohet; kush të ketë ngut dhe “turizmin kulturor” ta ketë kuptuar vetëm si një lidhje me qytetet, le të shohë punën e vet. Në fakt, janë të shumtë ata që thjesht kalojnë duke lënë mënjanë Tragjasin piktoresk dhe Orikun antik drejt “mishit në hell” dhe kosit në Llogara apo drejt “peshkut në tullë” në Bregdet. Dhe, harrojnë se çfarë kanë lënë prapa.

E para gjë që të vjen në mendje kur e ke marrë vendimin për t’u kthyer në Tragjas është: midis malit dhe detit. Ky është një fshat që lan këmbët në ujët e kripur të detit dhe flladit kryet në freskinë e majave të maleve. Kaq pranë dy mikroklima thuajse larguese ndaj njëra-tjetrës, zor se mund t’i gjesh kund. Të zgjohesh në mëngjes me zërin e këndesit në vend të orës me zile dhe të flesh në mbrëmje me nanurisjen e valëve aty poshtë, është një gjë e rrallë. Por tragjasiotët nuk e mbajnë veten për njerëz të detit. Ata janë lebër të vërtetë dhe emri Labo këtu është shumë i përhapur. Deti nuk është gjë për ta. Nëse mundohesh të gjesh një peshkatar nga Tragjasi, do të jetë një mundim i kotë. Këtu krenaria dhe jeta kanë kuptim të lidhur me malin, tufën, bejkën e bardhë. Deti është për ata të kryeqytetit. Peshku është për ata që s’kanë mish në tryezë. Pse të fusësh peshk në shtëpi kur ke tufën tënde? Mund të qëndrosh me ditë të tëra në tryezat bujare të tyre dhe peshkun nuk e sheh. Tragjasiotët duan “kërmë”. Ka “kërmë”? Do të thotë ka mish të pjekur? Atëherë të gjitha gjërat janë në rregull.

Një pikëpyetje e madhe për ne për nënçmimin e hapur të peshkut këtu në Tragjas, ku, megjithatë, shoqëruesja e parë e peshkut, vera, është pjesë e krenarisë së vendit. Ajo quhet “Tragos”, si emri i vjetër i fshatit, të cilin vendësit e mbajnë po aq të hershëm sa koha ilirike, dhe është një markë e regjistruar. Me verën “Tragos”, vendësit mburren më shumë për emrin që ajo mban dhe që i çon në lashtësi. Në fakt, emri i këtij fshati del në burimet dokumentare të paktën prej fundit të mesjetës e këndej. Në tri letra që krerët e Himarës dhe të fshatrave që e përbënin atë, drejtuar Selisë së Shenjtë në Romë, për të kërkuar mbrojtje prej saj, mundësisht duke i trajtuar njësoj si arbëreshët unitë, emri i Tragjasit del në disa forma: “Trago”, “Trage”, “Trageste”, “Trazhe”. Pak vjet më parë, një bujk vendës zbuloi krejt rastësisht, duke lëruar tokën, dy relieve në gur, njëri prej të cilit i jep kuptim emrit të supozuar të fshatit. Në relievin e parë gjendet figura e një orakulli që u flijon perëndive një cjap, dhe dihet se në greqishten e vjetër “tragos” quhej cjapi. Riti i flijimit të kujton festimet e njohura Bakhanale apo Dionisiake. Në relievin tjetër gjendet emri “Dimenion”, të cilit ende nuk i është dhënë kuptim. Në planin ballor të relievit të dytë shihen portretet e dy kalorësve romakë, kurse në sfond janë dy shigjetarë bashkë me mburojat e tyre. Një reliev romak që ndodhet në Paris ka një ngjashmëri të madhe me të gjithë elementët etnografikë dhe artistikë me dy relievet e Tragjasit. Ne nuk e dimë a ka qenë Tragjasi apo një vendbanim tjetër, me emër tjetër, por në këtë vend ka pasur jetë prej më shumë se dymijë vjetësh.

Burrat e fshatit janë shumë të interesuar për të na bindur se Tragjasi këtu ka qenë që në kohën e Krishtit. Madje, diskutojnë si njerëz të kënduar. “Përderisa në Orik ka pasur amfiteatër, pse të mos e besojmë se ‘Tragjas’ vjen nga ‘tragedion’, ‘tragjedi’”? Tragjedia antike këtu nuk ka qenë e panjohur. Megjithëse duket më shumë një fantazi, sepse kërkime arkeologjike të mirëfillta nuk ka pasur, është interesante këmbëngulja e vendësve.

Ata thonë se “Tragjasi i vjetër” është një vendbanim shumë i ri, sepse ka dhe një Tragjas akoma më të vjetër, e pastaj dhe një tjetër akoma më të vjetër, deri sa mbërrijmë kohët ilire. Nuk duhet të habitesh aspak nëse këtu thërresin në ndihmë emrin e Norbert Joklit apo të Gustav Majerit për të provuar se kanë të drejtë për origjinën ilire, pse jo dhe pellazge, të emrit të fshatit të tyre. Për ta, Tragjasi ka qenë para se të themelohej Oriku, të cilin e njohin me indiferencë si ngulim helen. Por ama, helenët gjetën Tragjasin, që dinte të lundronte dhe gjithashtu dhe të prodhonte ushqime bujqësore e blegtorale. Në topografinë e Tragjasit ka një vend që quhet “Sofa” dhe disa duan ta lidhin me “Sofia”, “dritë”. Për të vajtur në Sofë nga fshati ka vetëm një shteg, dhe kjo është Qafa e Shullërit, që vjen nga latinishtja “solanum”, vend me diell, siç është vërtet Tragjasi. Pastaj fillon një ngjitje e thikët, derisa të del përpara një çezmë që quhet “çezma e Sofës”, e cila buron që poshtë një kodre me një pamje të çuditshme, e ngjashme me një shtëpi me çati gjigante të pjerrët dhe që quhet “Maja e Qytezës”. Disa mendojnë  se kjo “Sofa” a “Sofë” është “homonime me Sofjen e Bullgarisë”, domethënë me Shën Sofinë. Arkeologët, që ende nuk janë dukur këtu, kur dëgjojnë fjalën “qytezë” dhe “gradishtë”, mendojnë për lashtësi.

Në mesjetë, Tragjasi ishte pjesë e Bregdetit, do të thotë e Himarës, së bashku me Kallaratin, që del me emrin “Kallojerati”; së bashku me Kuçin dhe shumicën e fshatrave nën Vjosë, deri në urën e Leklit. Shkurt, tre shekuj më parë Tragjasi nuk ishte Labëri, por Bregdet. Pastaj Himara dhe rrethinat erdhën duke u rrudhur, deri sa u mbyllën nën Karaburun dhe nën malin e Vetëtimës, Akrokeraune.

Nuk janë vetëm të dhënat arkivistike dhe ato historike, por dhe mënyra e jetesës së sotme, që të kujtojnë filmin e mjeshtrit Anagnosti: “Gjoleka, i biri i Abazit”. Në Tragjas myslimanët trashëgohen me djem e vajza me emra të krishterë dhe anasjelltas. Bashkëbiseduesit tanë, këtë konstatim e presin me krenari. Po, kështu është, ne kemi qenë dhe jemi të tillë, për ne feja nuk ka ndonjë rëndësi dallimore. Kemi qenë të krishterë e jemi myslimanizuar. Kemi pasur kisha dhe kemi xhami. Por këtu në Tragjas, më së shumti vëmendjen na e tërheq ai që shumica e njerëzve e quajnë “Varri i çifutit”. Ky varr monumental është gjurma e fundme që ka mbetur prej Tragjasit të vjetër, i cili, siç thuhet, u dogj nga themelet gjatë luftës. Po në cilën luftë? Në luftën e Vlorës apo në luftën antifashiste? Botimet enciklopedike thonë në luftën antifashiste, gjatë betejës së Gjormit. Por Tragjasi është djegur nga rrënjët tri herë. Pyetja është: kur u shkul nga mali për të zbritur vetëm 3.5 kilometër larg bregut të detit, duke mbetur gjithnjë i njëjti Tragjas lab?

Këtu tragjasiotët ndahen. Një pjesë mendojnë se Tragjasi i Vjetër u zhduk në fund të vitit 1920. Por të tjerët thonë se kjo ndodhi në Luftën e Dytë. Nga Tragjasi i Vjetër tashmë kanë mbetur vetëm gërmadhat e banesave të ngritura disa shekuj më parë, ndërtime të fortifikuara, fortesa të vogla. Në to reflektohet një traditë mjaft e pasur në ndërtime. Janë gjurmët e 280 ngrehinave karakteristike prej guri, në pjesën më të madhe dykatëshe. Por të gjitha të shuara deri në themele. Në fakt, fshati është djegur tri herë, dhe të tria herët është ringritur nga hiri.

Në Shqipëri ka shumë varre që quhen “të çifutit”: në Fterrë, në Berat, në Ulqin dhe këtu në Tragjas. Megjithëse gjurma e yllit të Davidit duket shumë qartë në këtë vend të shenjtë, disa nga vendësit thonë se ky varr ka një emër tjetër. Dhe në të vërtetë, diku duken shenja të shkrimit silabik, por a është shkrim hamit apo semit është vështirë për ta thënë. Një gjë është e sigurt: edhe varri i Sabetha Zevit në Ulqin, në kështjellën e Balshajve ka dy emra: të heroit hebre dhe emrin e një babai bektashi: Mehmet Dadai, domethënë Mehmet Dedei. Të dhënat historike në rastin e “Varrit të çifutit” të Tragjasit të çojnë tek Matatthia i vitit 1929, i cili ishte anëtar i këshillit bashkiak të Vlorës dhe përfaqësonte fshatin e tij. Në vitin 1931, kur mbaroi regjistrimi i popullsisë shqiptare, i pari dhe i fundmi në të cilin edhe hebrenjtë u pranuan si bashkësi, Matatthia u rizgjodh në këshillin bashkiak. Një vit e gjysmë më parë, kur, në një konferencë ndërkombëtare kushtuar shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri ia paraqita fotot e “Varrit të çifutit” doktor Zino Matatthia, i cili ka jetuar dhe është ‘Qytetar Nderi’ i Beratit, sa i pa, tha: “Po, ky është varri i gjyshit tim, do të shkoj të vë një tufë me lule”. Doktor Matatthia është kthyer prej dy dekadash në atdheun e të parëve, por shqiptarët nuk i ndan nga zemra. Në vitet 1999-2000 ai kryesoi një mision humanitar në Kosovë për të ndihmuar të lënduarit dhe për të përkrahur të mbeturit pa prindër, një solidaritet sa hebre, aq dhe shqiptar. Sidoqoftë, këtu në Tragjas mendjet janë të ndryshme. Dhe mua do të më dukej çudi që të ishin të gjithë më një mendje: është varr çifuti apo varr kleriku bektashi. Kryemëvete si gjithë lebërit e si gjithë shqiptarët, me një ngulmin që nuk shprehet me zë të lartë, secili mbahet me të vetën.

Kur sheh Tragjasin e vjetër, të vjen ta besosh atë anekdotën e njohur: “Edhe një çezmë që patëm, na e dogji gjermani”. Ky është një fshat lufte, dhe në luftë janë njësoj, burra e gra. Ne qëndrojmë në heshtje para një monumenti pa emra, në të vërtetë para një guri përkujtimor, që dikur ka pasur dhe shenjime për gratë qendrestare të Tragjasit që ushtria naziste i viktimizoi pa dhënë asnjë shpjegim. Është një fshat rezistence dhe të bën përshtypje se lapidarët dhe përmendoret nuk janë rrëzuar si gjetiu. Këtu ka lindur Zonja Çurre, një emër me të cilin kanë qenë edukuar e frymëzuar breza të tërë. Tani ajo nuk është më në tekste shkollore, sepse shkolla e mëparshme ishte moralizuese, e tani i bie të jetë demoralizuese. Mirëpo, lapidari është aty. Po qe se hapet bisedë për luftën, të rinj e të vjetër në Tragjas janë gati të flasin. Në të vërtetë, duke i dëgjuar rrëfimet e tyre krenare, të duket se ka një padrejtësi kur flitet për “gropën” e gjoks-rrahësve të Labërisë. Tragjasi ka luftuar, sot është kohë tjetër, por nderimi për të shkuarën nuk është kurrfarë pengese për paqen e ngrohtë që ka zënë vendin e luftës së ftohtë sot. Ndërsa vendësit rrëfejnë për trimat dhe trimëreshat e Tragjasit, mua më vjen ndërmend ceremonia e organizuar nga presidenti i mëparshëm i Francës, Zhak Shirak më 29 gusht 2004, në 50-vjetorin e çlirimit të Parisit. Presidenti frëng nuk përtoi të kalonte një për një heronjtë e rezistencës dhe t’u vendoste vetë nën sup dekoratën e merituar, duke përsëritur pa përtuar: Unë, Zhak Shirak, President i Republikës Franceze, të nderoj ty Klod Melro, luftëtar i rezistencës antifashiste, në emër të shtetit që kryesoj, me dekoratën e mirënjohjes.

“Po me urën ç’patën?!” Shpesh kjo monofazë, që një prej karaktereve të filmit “Kur zbardhi një ditë” e thotë për të protestuar kundër bombardimit të urës nga nazistët, gjendet në dialogët tanë të përditshëm. Është kthyer në një frazeologji, kur duam të flasim për një padrejtësi të dukshme. Ura që shembën nazistët, në fakt është shembur nga ekipi realizues i kinostudios “Shqipëria e re” në vitin 1971, kur u realizua filmi. Ura ka qenë shumë e vjetër, e dalë nga funksioni, për shkak të vdekjes së Tragjasit të vjetër. Disa thonë se ka qenë treshekullore. Të tjerë përmendin sa ka pasur një shenjim për kohën dhe ndërtuesin. Kanë hequr keq artistët e Kinostudios për ta shembur, sepse ishte shumë e fortë. Pastaj duhej të rindërtohej, si e kërkonte skenari. Në Tragjas ka shumë njerëz që e mbajnë mend xhirimin e filmit. Këto janë mjediset e vërteta ku u luajt fati i urës. Vendësit thonë se mirë u bë, sepse është e vërtetë që nazistët donin ta ndanin Labërinë nga Bregdeti, Tragjasin nga Himara. Por ura u dhimbset dhe mbi të gjitha nuk ua falin kryetarëve të kooperativës, që nuk e morën fondin që u kishte borxh Kinostudioja për ta rindërtuar urën apo për të bërë një vepër tjetër. Janë të shumtë ata që duan të flasin për këtë, dhe kanë të drejtë. Ura, edhe në mos funksiononte, ishte një kujtim të parësh, një përmendore, dhe duhej kompensuar.

Tragjasi është një fshat që ka dhunti natyrore të panjohshme. Ka freskinë e malit, ka muzikën e jetës në natyrë, ka qytetin dhe detin nën këmbë, ka historinë dhe lapidaret, ka kullat e lebërve kryelartë, ka artin aq gjenuin, që të bën pjesë të këngës, bejtit, lëvdimit, dollisë, por dhe të ironisë dhe qesëndisë, po e pruri rasti. Në Tragjas mund të hysh në këngë pa qenë nevoja të vrasësh, të bësh një heroizëm. Sigurisht, këto janë këngë për një ditë, “re per una notte”. Për ta merituar atë këngën që trashëgohet brez pas brezi, duhet tjetër meritë. Megjithatë, njeriu ndihet më se i nderuar edhe me vargjet e improvizuara që lebërit tragjasiotë ia marrin e ia kthejnë njëri-tjetrit.

Me 1300 banorët e vet, me 38 dëshmorë e katër heronj të luftës antifashiste, tri herë i djegur e i zhuritur, me 600 kuadro të lartë që i ka dhënë vendit në një gjysmë shekulli, me një toponomastikë ku ka gjurmë helene, romake, sllave, hebraike, iliro-shqiptare dhe turko-osmane, Tragjasi dëshmon se është një vendbanim ku nuk është ndërprerë jeta ndër shekuj. Një fshat me jetë bujqësore e blegtorale, fshat i dhive dhe cjepve, i mullinjve dhe kasolleve të barit, i jetës tradicionale me këngën: ky është Tragjasi, ku njeriu nuk ka pse të presë një rast, një ftesë, një kujtesë, një thirrje, një mik, që të kthejë rrugën për ta vizituar. Dhe ky nuk është Tragjasi i dy-tre hoteleve luksoze, me night club-e dhe me taverna. Ky është fshati në buzë të detit që rron si malësorët e Kurveleshit, ky është fshati i dy mijë vjetëve që rron me high definition; ky është vendi ku mund të dëgjosh histori të pafundme, që prej trimërive deri tek ironia me ata që rrojnë me kuzhinë peshku. Ky është fshati ku fare lehtë mund të lindë nostalgjia njerëzore për një kohë kur kishte shkolla, kishte vizita udhëheqësish, kishte sjellje me protokoll.

Tragjasi, vendi me histori, jetë tradicionale dhe jetë moderne. Është Tragjasi i Skënder Muços, për të cilin nuk dëgjohet të flitet shumë, megjithëse personazh qendror i romanit “Para agimit” të Shefqet Musarajt, një veprimtar politik që pati fund të paqartë; njëherësh dhe i Kastriot Muços – Hero i Popullit dhe i Skënderit tjetër, Hasko, shkrimtar për fëmijë, së bashku me vëllanë artist, Birçe Hasko, për të cilin nuk dimë ç’të themi: ka hyrë apo nuk doli dot kurrë prej lëkurës së labit!

Një gjë është me rëndësi: Tragjasi e ka shumëfishuar emrin: tek vera, në Facebook, në multimedia, në hoteleri dhe turizëm. “Where is Tragjas?”, është një prej pyetjeve që kërkon përgjigje prej të huajve në cyberjournalism.

Gjurmët – Me 1300 banorët e vet, me 38 dëshmorë e katër heronj të luftës antifashiste, tri herë i djegur e i zhuritur, me 600 kuadro të lartë që i ka dhënë vendit në një gjysmë shekulli, me një toponomastikë ku ka gjurmë helene, romake, sllave, hebraike, iliro-shqiptare dhe turko-osmane, Tragjasi dëshmon se është një vendbanim ku nuk është ndërprerë jeta ndër shekuj

Paqja – Tragjasi ka luftuar, sot është kohë tjetër, por nderimi për të shkuarën nuk është kurrfarë pengese për paqen e ngrohtë që ka zënë vendin e luftës së ftohtë sot

Kërkesa – Tragjasi e ka shumëfishuar emrin: tek vera, në Facebook, në multimedia, në hoteleri dhe turizëm. “Where is Tragjas?”, është një prej pyetjeve që kërkon përgjigje prej të huajve në cyberjournalism

Shenjat – Megjithëse gjurma e yllit të Davidit duket shumë qartë në këtë vend të shenjtë, disa nga vendësit thonë se ky varr ka një emër tjetër. Dhe në të vërtetë, diku duken shenja të shkrimit silabik, por a është shkrim hamit apo semit është vështirë për ta thënë.