Aksidentet, “Njollat e zeza” të rrugëve shqiptare

Rrugët e qarqeve të Kukësit, Lezhës dhe Vlorës, më problematike për viktimat e rrugëve.

Seriali vrasës i aksidenteve rrugore vazhdon të mbërthejë Shqipërinë me rrugët e saj të brishta, të cilat vijojnë të jenë burimi kryesor i vdekjeve në vend. Shpeshherë, gjatë stinës së verës, kur mjetet në vend dyfishohen apo trefishohen nga turistët shqiptarë (emigrantët) e të huaj, kemi dëgjuar për aksidente të frikshme. Emigrantët që vijnë kryesisht nga Greqia dhe Italia fajësojnë shoferët shqiptarë, dhe këta të fundit amortizimin e rrugëve apo edhe sinjalistikën rrugore. Po cilat janë akset apo segmentet rrugore më të rrezikshme në Shqipëri? Gazeta “Shqip” ka vëzhguar kryesisht rrugët nacionale, ku vihen re “njolla të zeza” për përdoruesit e rrugëve automobilistike. Bilanci është tragjik, pasi shifrat e të vrarëve apo të plagosurve mund të jenë vetëm në luftë. Më poshtë po publikojmë rrugët dhe akset më të rrezikshme për secilin qark në Shqipëri.

 

Dibër

Policia lokale pohon se në gjashtëmujorin e parë të këtij viti janë regjistruar 23 aksidente rrugore. Bilanci rezulton me 30 persona të lënduar dhe 6 viktima. Ndër shkaqet kryesore të aksidenteve kanë qenë humbja e kontrollit nga drejtuesit e automjeteve për shkak të shpejtësisë, por edhe gjendja jo e mirë dhe mungesa e sinjalistikës në mjaft segmente të akseve rrugore të këtij qarku. Segmentet më të dëmtuara dhe me mungesa në sinjalistikë janë akset nacionale Burrel-Klos, Klos-Qafa e Buallit, Ura e Topojanit-Erebel-Peshkopi, si dhe aksi Qafa e Buallit-Krastë (Martanesh), sidomos segmenti në kthesën e Luçanës, i njohur për numrin e madh të aksidenteve me humbje jetësh njerëzore. Një problematikë tjetër janë edhe rrugët dytësore që lidhin fshatrat me rrugën nacionale.

 

Shkodër

Në këtë qark bëhet fjalë për mbi 200 pika rreziku dhe sërish nuk është marrë asnjë masë. Mungojnë fondet për ndërhyrje në asfaltim të rrugëve, megjithëse në këtë qark kanë ndodhur ndër aksidentet më të renda rrugore në Shqipëri. Kujtojmë autobusin me studentë kosovarë që përfundoi në greminë në Fushë Arrëz, me 21 të vdekur, autobusi në zonën e Pukës, ku humbën jetën 16 persona, aksidenti në Dukagjin, ku një furgon me pasagjerë ra në humnerë, në të cilin humbën jetën 11 persona. Akset tepër të rrezikshme janë Bogë-Theth, Dukagjin-Shkodër, Vermosh-Shkodër, Shkodër-Shllak, Shkodër-Temal, Shkodër-Koman, Fushë Arrëz-Qaf Mali dhe Shkodër. Ndërkohë, pika rreziku ka në rrugën Shkodër–Lezhë, tek kthesa e Beltojës, rruga Shkodër-Muriqan, që ka mbi 20 kthesa, rruga Shkodër-Velipojë, për shkak të amortizimit dhe rruga Shkodër-Hani Hotit, ku nuk ka asnjë sinjalistikë.

 

Lezhë

Aksi rrugor, Fushë-Krujë – Lezhë mbetet një ndër më të rrezikshmit në të gjithë vendin dhe jo vetëm në Qarkun e Lezhës. Ai është problematik që nga Ura e Tapizës, që ndan Kamzën me Fushë-Krujën, duke vazhduar më tej te kryqëzimi i Niklës, deri te ai i Dervenit. Ndërkaq, në Thumanë, një aks është ndërtuar, ndërsa aksi tjetër mbetet i papërfunduar, ndërkohë që duke vijuar më tej, problematike mbetet edhe pjesa te kryqëzimi i Patokut. Kohët e fundit, problem i theksuar është bërë edhe kryqëzimi i superstradës me Rrugën e Kombit, duke shkuar më tej me kryqëzimin e Shënkollit, Rillës, e deri te rreth-rrotullimi në hyrje të Lezhës. Në Fushë-Milot ndodhet një tjetër aks i rrezikshëm, pasi ka një ngushtim rrugës, ku kanë ndodhur dhjetëra aksidente. Nuk përjashtohet rrezikshmëria edhe në Rrugën e Kombit, në aksin Milot-Kalimash, ndërkohë që në Fan të Mirditës janë prerë ndarëset e rrugës.

 

Durrës

Policia mbikëqyr më shumë akset që lidhin qytetet Durrës, Tiranë, Krujë me zonat bregdetare. Pikërisht superstrada Tiranë-Durrës, rruga e plazhit përgjatë segmenteve Ura e Dajlanit-Plepa dhe Plepa-Rrogozhinë, si dhe rruga Maminas-Shën Pjetër, e cila lidh superstradën Tiranë-Durrës me plazhet e Gjirit të Lalëzit, mbeten segmentet më të nxehta rrugore ku dhe regjistrohen herë pas here aksidente automobilistike me pasoja për jetën dhe shëndetin. Një zonë me rrezik të lartë për aksidente është dhe rruga e Fushë-Krujës, veçanërisht në Nikël, Thumanë e Derven. Përmirësimi i infrastrukturës rrugore dhe nxitimi i drejtuesve të mjeteve për t’iu larguar vapës dhe qyteteve të mëdha drejt bregdetit shpesh kthehet në reagim fatal që regjistron viktima për shkak të shpejtësisë në drejtim.

 

Tiranë

Aksidentet e shumta nuk mungojnë as në qytetin e Tiranës dhe zonat përreth, ndërsa si qark, aksidente të shumta numërohen edhe në Kavajë. Shkaku i aksidenteve brenda kryeqytetit është shpejtësia e madhe, megjithëse mjetet brenda qytetit duhet të lëvizin me një shpejtësi deri në 40 kilometra në orë. Shpeshherë janë raportuar viktima në njerëz edhe në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, pasi automjetet ecin mbi shpejtësinë e lejuar. Ndërkohë, një nga vendet ku numërohen më shumë aksidente është zona pranë “Zogut të Zi”. Tjetër zonë problematike është edhe rreth-rrotullimi i Laprakës dhe i Doganës, ku ka dhjetëra aksidente në muaj, madje edhe me viktima. Një nga akset e rrezikshme konsiderohet edhe rruga Tiranë-Elbasan, pikërisht kilometrat e parë, ku ka aksidente në ngjitje dhe zbritje. Aksidente numërohen edhe në qytetin e Kavajës, për shkak të rikonstruksionit të rrugës.

 

Elbasan

Nga një vëzhgim i bërë, vihet re se në akset më kryesore të qarkut, sinjalistika nuk është në parametrat e duhur. Kryesisht vihet re mungesë e tabelave orientuese, mungesë e sinjalistikës vertikale dhe horizontale, mungesë e mbikalimeve në zonat e populluara të autostradave. Akset më të rrezikshme janë Elbasan-Librazhd dhe Elbasan-Rrogozhinë. Situata mbetet më serioze në Labinot Fushë, vetëm pak kilometra larg Elbasanit, ku shtëpitë janë ngritur buzë rrugës dhe vijat e bardha, mbikalimet apo trotuaret nuk ekzistojnë. Këmbësorët çdo ditë përballen me rrezikun e vdekjes nga aksidentet. Po kështu i njëjti fenomen ndeshet edhe në segmentin Elbasan-Metalurgji. Nuk mungojnë aksidentet edhe në rrugën Elbasan-Librazhd, për shkak të kthesave të shumta, apo në rrugën drejt Peqinit.

 

Korçë

Qarku i Korçës vijon të jetë problematik për aksidentet dhe “njollat e zeza” në disa segmente të caktuara, megjithëse shifrat nuk janë si të qarqeve të tjera. Një zonë e rrezikshme mbetet padyshim Unaza e Korçës, ku numërohen mjaft aksidente. Më pas problematike është edhe rruga drejt qytezës së Bilishtit, por edhe rruga Korçë-Pogradec, e cila, në disa pjesë, është e amortizuar, me gjithë ndërhyrjet e bëra vitet e fundit. Një segment i rrezikshëm i kësaj rruge është në fshatin Starove ku muajt e fundit janë numëruar dy aksidente.

 

Berat

Mungesa e sinjalistikës si dhe infrastruktura tepër e shkatërruar janë burimet kryesore të aksidenteve në Qarkun e Beratit. Zonat më të spikatura për burim aksidentesh janë akset nacionale Berat-Fier, Berat-Lushnjë dhe Berat-Skrapar. Po vendet dhe pikat më të rrezikshme ku aksidentet nuk mund të shmangen, pasi mungon sinjalistika, janë zona e “Meteorit” në Kuçovë, rruga pranë fshatit të Vërtopit dhe zona pranë Komunës së Otllakut. Mbikalimi i Otllakut është një burim aksidentesh, pasi është tepër i ngushtë. Nuk mungojnë aksidentet edhe brenda qytetit, pikërisht te “Gjashtëkatëshi”

 

Fier

Zonë e nxehtë është rreth-rrotullimi i Çermës, në rrugën Rrogozhinë-Lushnjë. Problem është edhe rreth-rrotullimi në Kolonjë, në aksin Lushnjë-Fier. Ndërkaq, një tjetër segment rrugor problematik ku ndodhin me dhjetëra aksidente në vit, është ai Fier-Levan. Për shkak se rruga ka disa kthesa të padukshme dhe është krejt e amortizuar dhe me gropa, shpeshherë në këtë segment kanë ndodhur aksidente. Disa jetë njerëzish ka marrë edhe superstrada Levan-Tepelenë, që ende nuk është përfunduar dhe nuk është hapur për udhëtimin e mjeteve. Por, një prej segmenteve të rrugës automobilistike nacionale që ka marrë më shumë jetë të drejtuesve të mjeteve dhe pasagjerëve, është ai që gjarpëron në kthesat e Visokës të Rrethit të Mallakastrës. Gjithashtu, gjithë rruga nacionale që të çon nga qyteti i Ballshit drejt Tepelenës është krejt e amortizuar dhe me gropa që gjenden gjithandej. Mjaft problematike në këtë qark, shfaqet edhe segmenti rrugor Fier-Berat. Rruga automobilistike është krejt e amortizuar dhe gropat arrijnë thellësi deri në 40 centimetra.

 

Gjirokastër

Në këtë qark rrugët dytësore janë amortizuar dhe shpeshherë në këto zona raportohen për aksidente të rënda në humbje jetë njerëzish. Megjithatë, edhe në akset kryesore ka aksidente, ku nuk përjashtohet rruga Gjirokastër-Tepelenë, pikërisht zona pranë parkut natyror të Viroit. Një tjetër “zonë e nxehtë” është edhe rruga Kakavijë-Gjirokastër, ku emigrantët, të mësuar me rrugët dhe sinjalistikën në Greqi, përballen me realitetin shqiptar. Problematike shfaqen edhe rrugët në Tepelenë dhe Përmet, të cilat kanë kthesa të forta.

 

Vlorë

Një nga qarqet më problematikë për numrin e madh të aksidenteve, krahas Kukësit dhe Lezhës është edhe qyteti i Vlorës, ku përfshihen edhe Himara dhe Saranda. Një numër i madh aksidentesh ndodhin në rrugën e quajtur “Transballkanike”. Problematik është dhe aksi rrugor Skelë-Uji i Ftohtë, ku në sezonin veror kjo rrugë jo më shumë se 2 kilometra është një stres i vërtetë për përdoruesit e rrugës. Shqetësuese është edhe Rruga e Lumit të Vlorës, e cila përshkon të gjithë fshatrat e kësaj zone deri në fshatin Kuç. Aksidente numërohen edhe në aksin Levan-Vlorë, pasi ende nuk është përfunduar plotësisht dhe mungon sinjalistika. Burim aksidentesh janë edhe rrugët brenda qytetit në lagjet “Çole”, “11 Janari”, “Ish Ushqimorja”. Ndërkohë, kthesat e Llogorasë janë gjithmonë të rrezikshme për shoferët, apo edhe rrugët pranë Himarës, në të cilat ndodhi aksidenti me studentët nga Elbasani. Problematike është edhe rruga në hyrje të qytetit të Sarandës. R.Rre

Autor te 15 Korrik 2012. Aktualitet. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry