Razma: Turizëm malor dhe klimë kurative

Vendi rrëzë Veleçikut, ku freskia mirëpret turistë nga e gjithë Shqipëria

Ardi Hoti

Përveç turizmit bregdetar me plazhin e Velipojës, Shkodra ofron dhe turizmin malor me bukuritë e rralla natyrore të bjeshkëve. Vetëm 35 kilometra larg qytetit të Shkodrës, 800 metër mbi nivelin e detit, ndodhet zona turistike e Razmës, ku në këto ditë të nxehta, temperatura maksimale është vetëm 25 gradë. Përveç klimës së freskët dhe kurative, kjo është një zonë me vlera të spikatura peizazhi, e pasur me pyje pishe dhe ahu. Rruga e asfaltuar deri në qendër të Razmës, afërsia me Shkodrën, çmimet tepër konkurruese, klima kurative, qetësia, ushqimi tradicional (mish fërliku) dhe bukuria natyrore janë këto disa nga arsyet pse Razma gjithnjë e më shumë po kthehet në një qendër dominuese e turizmit malor në Veri të Shqipërisë.

Me bukuritë natyrore dhe peizazhin e mrekullueshëm fillon të takohesh sapo lë Komunën e Kastratit në Malësinë e Madhe. Duke u ngjitur rrugës malore të asfaltuar, pamja përballë arrin fort larg deri te liqeni i Shkodrës. Për të vazhduar më pas rrugën nën shoqërinë e pemëve të larta dhe ajrit të pastër, deri sa arrin rrëzë Veleçikut. Fshati me pak shtëpi duket se rron nën hijen e malit të Veleçikut, nga lartësia e të cilit arrin të shohësh Shkodrën dhe Podgoricën. Është fundjavë dhe të bëjnë përshtypje jo makinat e shumta me targa të Shkodrës, por ato me targa kryesisht të Tiranës dhe Durrësit. Të organizuar në ekskursione shkollash apo udhëtime turistike familjare ose shoqërore, Razma bëhet mikpritësja e shumë turistëve nga e gjithë Shqipëria, pse jo, edhe e turistëve të huaj.

Përveç pushuesve nga rrethe të ndryshme të Shqipërisë, kjo zonë po frekuentohet edhe nga të huajt. Dy shtetas nga Polonia, Martin e Katerin Pronobis, motër e vëlla, të cilët, pasi kanë shëtitur shumë zona të Shqipërisë, kanë vendosur për të kaluar disa ditë në zonën turistike të Razmës. Ata kanë mbetur tepër të impresionuar nga klima, bukuritë natyrore, mikpritja dhe dashuria e banorëve të zonës. Turistët nga Polonia shprehen se do t’i tregojnë dhe miqve të tyre për Razmën dhe vitin tjetër do vijnë të shoqëruar me më shumë miq.

Razma u ofron njerëzve edhe shërbim kurativ. Një banor nga Durrësi shprehet se “prej tri vitesh vij në Razëm. Verën e kaloj këtu, pasi jam i sëmurë me zemër dhe klima këtu më ka bërë shumë mirë. Këtu vijnë shumë njerëz kryesisht astmatikë, alergjikë dhe të sëmurë me zemër, pasi ajri këtu ka vlera kurative”, shprehet pushuesi.

Dreka tradicionale në këtë zonë është mishi i qengjit në fërlik. Në çdo lokal, në kohën e drekës, gjendesh përballë një fërliku. Konkretisht, siç rrëfejnë pronarët e hoteleve, një drekë e servirur e gjitha me mish të bollshëm qengji e me birra, mund të kapë vlerën e 7 mijë lekëve për katër persona. Por, një problem që e shqetëson turizmin e kësaj zone është uji i pijshëm, që sipas banorëve, duhet të ishte 24 orë. Pavarësisht premtimeve të shumta në zgjedhje të ndryshme, Razma vazhdon të ndiejë mungesën e ujit të pijshëm.

Ajo që të bën përshtypje në Razëm, siç rrëfejnë banorët, është fakti se këtu, gjatë natës, patjetër duhet të veshësh diçka me mëngë të gjata, pasi temperaturat bien ndjeshëm. Duke parë të gjitha këto që ofron Razma, shumë investitorë dhe biznesmenë kanë hyrë fuqishëm në investime, duke nisur ndërtime hotelesh nga më luksozët, ku nuk mungojnë edhe pishinat dimërore dhe verore për të bërë plazh në mal. Razma e ndodhur rrëzë Veleçikut dhe veç turizmit veror është një vend ideal për turizmin dimëror, veçanërisht për sportin e skive, tepër i njohur në zonë.

 

 

Shkodër

Gatime tradicionale të shoqërojnë deri te zona e Rrjollit, pranë lagunës së Vilunit

Velipoja, 12 km plazh me rërë dhe ujë të pastër

Plazhi më i madh në Veri të Shqipërisë, Velipoja, nga viti në vit, po tërheq turistë të shumtë, sidomos nga Kosova, të cilët po braktisin plazhet malazeze për të kaluar pushimet në bregdetin shqiptar. Rëra dhe uji i pastër në plazhin e Velipojës kanë bërë që kjo zonë të pëlqehet shumë nga turistët.

Kufijtë e këtij bregdeti shtrihen në Veri deri në Mal të Zi, ndërsa në Jug kufizohet me Shëngjinin, duke sjellë një pamje madhështore, me një vijë bregdetare prej 12 kilometrash gjatësi dhe 300 metra gjerësi rëre nga bregu deri te ndërtesat. Hapësirat e gjelbra, rrugët e hapura për në drejtim të plazhit, uji dhe rëra e pastër, shëtitoret dhe ambientet argëtuese kanë bërë që zona turistike e Velipojës të kthehet në një metropol të turizmit në Veri të Shqipërisë. Pushuesit që dominojë në gjithë plazhin janë ata nga Kosova, të cilët siç shprehen, në Velipojë kanë gjetur kushte tepër të favorshme. Një pushues kosovar që ka ardhur bashkë me familjen e tij, Rifat Jupaj, duke folur për gazetën tregon përshtypjet e tij mbi këtë plazh. “Unë jetoj në Francë dhe vitet e kaluara, i kemi bërë pushimet në Mal të Zi, por shohim se Velipoja është shumë mirë, e pastër dhe na pëlqen shumë ky vend. Është një plazh shumë i madh, ka gjithçka, çmimet janë shumë të mira, besoj se këtu ka perspektivë turizmi. Por, i vetmi problem është fakti se rrugës nga Shkodra në Velipojë, ka shumë bagëti dhe udhëtimi është tepër i vështirë. Për këtë duhet të ishin marrë masa që fshatarët të mos dalin me bagëti në rrugën nacionale, nuk ka kuptim, nuk ka sens”, thotë Jupaj.

Ndërsa kryetari i Komunës së Velipojës, Pashk Ujka, shprehet se këtë vit ka pasur rritje prej 25 përqindësh më shumë të pushuesve, hotelet janë të tejngopur. Madje, ditën e diel, në Velipojë kanë pushuar mbi 120 mijë persona. Më tej, kryetari i komunës shprehet se, përveç sistemimit dhe kushteve në plazh, janë marrë masa për rendin dhe qetësinë, kështu që zona turistike e Velipojës është e mbrojtur nga ndotja akustike. Por, përveç ujit dhe rërës së pastër, një veçori e Velipojës është kuzhina e restoranteve, ku serviren shumëllojshmëri gatimesh, në veçanti peshku që është traditë e zonës. Një tjetër resurs i plazhit të Velipojës është zona e Rrjollit, pranë lagunës së Vilunit, e cila është një zonë krejt e virgjër dhe me një bukuri të rrallë natyrore. Kjo pjesë e Velipojës lidhet me plazhin nëpërmjet urës së re prej dërrase të Vilunit, ndërtuar pak muaj më parë, ndërkohë që pak javë më parë ka nisur edhe ndërtimi i rrugës automobilistike për këtë zonë.

Autor te 16 Korrik 2012. Reportazh. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry