Aktori rrëfen për Tmz: “Ndihem i shkatërruar. Ju lutem, mos spekuloni”
“Nuk ka dhimbje më të madhe se humbja e një fëmije”. Këto kanë qenë fjalët e para të Sylvester Stallone, pas vdekjes së të birit, Sage. Aktori amerikan thyen heshtjen dhe ka lëshuar një deklaratë të shkurtër për faqen elektronike të Tmz.
“Ndihem i shkatërruar,- rrëfen interpretuesi i Rambos,- e do ju lutesha të respektonit kujtimin e tim biri. Dua ti jap fund spekulimeve dhe diskutimeve për vdekjen e tij”.
Sage Stallone u gjet i vdekur në apartamentin e tij në Hollywood. Gruaja që merrej me pastrimin e shtëpisë së tij e ka gjetur të vdekur dhe ka lajmëruar menjëherë ndihmën e shpejtë dhe policinë e Los Angeles. Producenti dhe regjisori amerikan, i lindur nga marrëdhënia e Sly me Sasha Czack, dyshohet se u shua në moshën 36-vjeçare nga një overdozë ilaçesh.
“Ju përgjërohem të respektoni kujtimin e djalit tim të talentuar dhe të ndjeni mëshirë për nënën e tij të admirueshme. Kjo humbje do të na rëndojë gjatë gjithë jetës sonë, Sage ishte fëmija ynë i parë dhe qendra e universit tonë”, ka shtuar Stallone.
Vdekja e Sage mbetet ende një mister. Fillimisht u dyshua se viktima ishte gjetur 3-4 ditë pas vdekjes, por hipoteza u hodh poshtë nga avokati dhe miku George Braunstein, i cili deklaroi se vetëm 17 orë më parë se të gjendej i vdekur, Stallone kishte postuar disa foto në Facebook.
George ka hedhur poshtë edhe pistën e vetëvrasjes: “Sage ishte një djalosh plot jetë, nuk ishte një person i mbyllur apo depresiv. Dua të saktësoj se nuk ka pasur kurrë probleme me drogën apo alkoolin. Përveç kësaj kishte në plan të martohej së shpejti” ka tregua Braunstein. Ndërkohë autoritetet kanë lajmëruar se rezultatet e analizave toksikologjike do të bëhen të ditura vetëm pas disa muajsh.
16 korrik 2012 (gazeta-Shqip.com)