Lotaria kombëtare, favore në taksa

Ajo që qeveria e quan “taksim i fortë” është në fakt taksim si për çdo biznes normal

Kompania që do të fitojë licencën e lotarisë kombëtare do të jetë e favorizuar në taksa në Shqipëri krahasuar me vendet e tjera.

Ministri i Financave më herët tha se paratë e munguara nga shitja do të kompensohen përmes taksave të larta ndaj kompanisë fituese. Por a është taksa bruto 10 për qind e lartë dhe si taksohet ky aktivitet në vendet e tjera?

Lotaria kombëtare e Austrisë, njëra nga dy konkurrentet që po garojnë për të marrë licencën në Shqipëri, e mbylli vitin e kaluar me një xhiro prej rreth 2.9 miliardë eurosh. Qeveria austriake ka vendosur dy taksa të posaçme mbi lotarinë kombëtare, njëra quhet ‘tarifa e licencës’, ndërsa tjetra ‘tarifa e basteve’.

Vitin e kaluar, sipas të dhënave zyrtare nga vetë bilanci i saj, lotaria austriake pagoi vetëm për këto dy taksa 447 milionë euro ose 15.4 për qind të xhiros totale. Veç këtyre taksave, qeveria austriake i ka vendosur detyrim kompanisë të paguajë viti për vit 3 për qind të xhiros bruto, si mbështetje për sportin. Vitin e kaluar për këtë zë lotaria kombëtare e Austrisë pagoi edhe 80 milionë euro të tjera.

Në total të dyja detyrimet ishin sipas të dhënave të vetë kompanisë 527 milionë euro ose 18.2 për qind të xhiros. Këto janë vetëm taksat e posaçme që lidhen me lotarinë, pa përfshirë taksat e tjera që ajo paguan si çdo biznes tjetër, si Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, Tatimi mbi Fitimin apo kontributet për punonjësit.

Por si do të taksohej e njëjta kompani me të njëjtën xhiro në Shqipëri sipas taksave që ka vendosur qeveria dhe për të cilat pretendon se janë të larta”. Së pari, kompania fituese në Shqipëri nuk do të ketë asnjë detyrim për të financuar sportin apo kulturën. Detyrimet e vetme që ajo do të paguajë, janë dy taksa të lidhura me aktivitetin e lotarisë, ajo prej 10 për qind si tatim mbi xhiron bruto dhe 0.5 për qind si pagesë për mbikëqyrjen.

Në total, me këto dy taksa, nëse do të realizonte në Shqipëri të njëjtën xhiro si në Austri, pra 2.9 miliardë euro, kompania do të paguante këtu vetëm 304 milionë, që përbën 10.5 për qind të xhiros ose gati dy herë më pak sesa në Austri.

Ky krahasim i bazuar në të dhënat zyrtare e rrëzon pretendimin e qeverisë, se kompania që do të fitojë lotarinë do të taksohet fort. Përkundrazi, përveçse po ia shet licencën me çmimin simbolik prej vetëm 3.5 milionë eurosh, qeveria i bën edhe favor te taksat kompanisë që do të fitojë licencën e lotos, në një nga tenderët më të debatueshëm dhe të përfolur në Shqipëri.

Dhe këto llogari janë bërë pa përfshirë fitimet që shpërndahen si çmime për lojtarët. Në Austri kompania ndan 70 për qind të xhiros si fitim dhe nëse i shtohen dhe taksat apo shpenzimet e tjera, fitimi i saj mbetet vetëm 1.3 për qind. Ndërsa në Shqipëri, veç taksave të ulëta dhe licencës gati falas, ajo gjithashtu nuk do të ketë as edhe një detyrim për pjesën që duhet t’u kthejë lojtarëve përmes çmimeve.

Trajtimi - Përveçse po ia shet licencën me çmimin simbolik prej vetëm 3.5 milionë eurosh, qeveria i bën edhe favor te taksat kompanisë që do të fitojë licencën

Krahasimi - Një nga kompanitë në garë organizon lotarinë kombëtare në Austri. Në Shqipëri, kjo kompani llogaritet të paguajë gati dy herë më pak taksa

Autor te 17 Korrik 2012. Ekonomi. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry