Arvizu, Sequi dhe Wollfarth takohen me Ramën. Kreu i OPS dorëzon draftin
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu, kreu i misionit të BE-së, Ettore Sequi, dhe ai i OSBE-së, Eugen Wollfarth, e kanë nisur javën me një takim në selinë e Partisë Socialiste. Mësohet se ky takim është kërkuar nga kreu i opozitës, Edi Rama, për të diskutuar në lidhje me çështjen më të nxehtë të momentit për politikën shqiptare, atë të imuniteteve të zyrtarëve. Kreu i opozitës, Edi Rama, i ka dorëzuar trojkës së ambasadorëve një projektligj të hartuar nga ekspertët ligjorë të PS-së, në lidhje me heqjen e imuniteteve të zyrtarëve të lartë. Pas takimit që ka zgjatur më shumë se votimi në Parlament për imunitetet, është caktuar data 6 gusht. Me mënyrën sesi e matin kohën shqiptarët, kjo është një kohë e përjetshme. Ka kohë të mjaftueshme për të diskutuar dhe marrë parasysh të gjitha këndvështrimet e ndryshme. “Votimi në Parlament për imunitetet është caktuar data 6 gusht. Me mënyrën sesi e matin kohën shqiptarët, kjo është një kohë e përjetshme. Ka kohë të mjaftueshme për të diskutuar dhe marrë parasysh të gjitha këndvështrimet e ndryshme. Siç ndodh me çdo pjesë të legjislacionit, nuk duhet të lejohet që e përsosura të jetë armik i së mirës. Është koha për të arritur me një ligj të mirë, pasi ekzistojnë disa propozime mbi tavolinë. Bazuar në bisedën që patëm sot, kemi besim se Partia Socialiste kërkon të jetë konstruktive dhe një partner pozitiv në kërkim të konsensusit për imunitetet”, tha Arvizu. “Çështja e imunitetit është vendimtare për Shqipërinë, për rrugën drejt Bashkimit Europian. Po aq të rëndësishme sa imuniteti janë edhe reformat e tjera, si ajo për rregulloren e Parlamentit e arritur në nëntor të vitit të kaluar. Ne shpresojmë që me reformën do të bëhet aq progres sa edhe me imunitetin. Marrëveshja për Kodin Zgjedhor është një hap i mirë, të shoqërohet edhe nga heqja e imunitetit e reforma për rregulloren e Parlamentit. Po e them troç, shpresojmë të arrihet kompromisi. Nuk po u kërkoj politikanëve të pëlqejnë njëri-tjetrin, por të punojnë me njëri–tjetrin”, tha Wollfarth.
“Çështja e imuniteteve, kur ka të bëjë me zyrtarë të rëndësishëm, siç janë parlamentarët, gjyqtarët dhe prokurorët, i jep më shumë vlerë sistemit të garancive dhe sigurive të një vendi dhe për këtë arsye duhet të trajtohet me shumë kujdes. Të qenët i nënshtruar ndaj Kushtetutës dhe ligjit, për të gjithë, përfshi edhe zyrtarët, është shumë e rëndësishme, është themelore, prandaj dënueshmëria për akte që bien në kundërshtim me ligjin apo Kushtetutën duhet të ekzistojë”, tha Sequi. PS-ja, nëpërmjet një deklarate pas takimit, thotë se “opozita e konsideron të domosdoshëm një proces diskutimi gjithëpërfshirës për krijimin e një kuadri ligjor të qëndrueshëm dhe afatgjatë që do t’u shërbejë të gjithë qytetarëve të këtij vendi, bazuar në sugjerimet e konstitucionalistëve, si dhe përvojën e institucioneve që ofrojnë asistencë juridike për vendin tonë si, EURALIUS, projekti “Paka”, Komisioni i Venecias etj.
Arvizu – “Siç ndodh me çdo pjesë të legjislacionit, nuk duhet të lejohet që e përsosura të jetë armik i së mirës”
Sequi – “Të qenët i nënshtruar ndaj Kushtetutës dhe ligjit, për të gjithë, përfshi edhe zyrtarët, është shumë e rëndësishme, është themelore”
Wollfarth – “Po e them troç, shpresojmë të arrihet kompromisi. Nuk po u kërkoj politikanëve të punojnë me njëri–tjetrin”
Berisha: Nëse refuzon, Rama ka kosto
Kryeministri Berisha i kërkoi dje kreut të Partisë Socialiste, Edi Ramës, që të mos e përdorte çështjen e imunitetit për politikë, por të kontribuonte për heqjen e tij në kuadër të interesit më të mirë të shqiptarëve. Madje, kreu i qeverisë theksoi se në rast se PS-ja nuk do e mbështeste nismën e kufizimit të imunitetit, atëherë do të kishte kosto dhe dyshime. “Jam këtu për t’i bërë thirrje zotit Rama të votojë amendamentet për heqjen e imunitetit të zyrtarëve dhe qeveritarëve, të cilat janë hartuar nga ekspertët më të mirë dhe sjellin risitë më të rëndësishme doktrinare të së drejtës kushtetuese. T’i votojmë ato, sepse ky është interes jetik i çdo qytetari shqiptar, i çdo taksapaguesi. T’i votojmë, sepse çdo hezitim, i cilitdo politikani për të mbështetur heqjen e imunitetit, do të ketë jehonën më negative, përshtypjen më negative, te çdo qytetar, pavarësisht nga përkatësia e tyre”, bëri thirrje Berisha.