Ambasadori holandez: Shqiptarët kanë një kujtesë të shkurtër


Ambasadori i Holandës në Shqipëri, Henk Van den Dool, në një intervistë të dhënë për emisionin “Shqip”, të gazetares Rudina Xhunga në “Top Channel”, analizoi zgjedhjet ku ka qenë si vëzhgues, qeverisjen shqiptare, por edhe opozitën. Por ai nuk harron dhe shoqërinë shqiptare…


Çfarë do të thotë të votosh dhe të të numërohet vota në Shqipëri, sipas jush, vëzhgues i njësisë 5, apo jo ambasador?


Unë kam katër vjet që jetoj në Shqipëri dhe e kam parë të gjithë ciklin. Kam monitoruar zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009, kam qenë monitorues zyrtar i OSBE/ODIHR-it, kam qenë i caktuar në zonën e Bushatit dhe Barbullushit në Shkodër dhe më pas kam monitoruar zgjedhjet lokale në 2011-n, ku zgjodha të mos isha më një monitorues i OSBE-së, por i akredituar direkt nga KQZ-ja, pasi më jepte më shumë liri atje ku unë doja të shkoja dhe të monitoroja atë që doja. Dhe sigurisht që nga distanca kam monitoruar njëkohësisht zgjedhjen e Presidentit. Kështu që kam qenë dëshmitar i të tre niveleve. Ju më pyetët për numërimin e votave në njësinë nr. 5 dhe ka qenë vërtet një përvojë e veçantë. Si fillim, numërimi bëhet në fushën sportive të një shkolle. Nga njëra ana ka njerëz që numërojnë votat, duke zbrazur kutitë, nga ana tjetër, sheh plot kuti, të cilat janë ende për t’u numëruar dhe në një mënyrë ose tjetrën, kutitë lëvizin nga njëra anë në tjetrën, skuadrat numëruese, kamerat që fokusojnë çdo votë dhe më pas një audiencë. Sigurisht që unë kam qenë pjesë e kësaj audience dhe audienca në sallë ishte e tillë që ndërhynte duke ulëritur, duke thirrur e duke thënë se duhej të ishte ndryshe, duke pirë duhan gjithë kohës, sigurisht që ventilimi mungonte dhe atmosfera u bë vërtet shumë e tensionuar. Mendova në ato çaste që kjo është demokracia në praktikë, sepse ju e shihni se si funksionon, të gjithë mund ta shihnin, meqenëse ishte live. Në fakt, doli që nuk ishte realisht demokraci në praktikë, sepse sapo filloi të numërohej kutia e fundit, dhe unë isha aty dëshmitar, vvebsiti i KQZ-së u prish, ose u zbardh, transmetimi live u ndalua dhe të gjithë nuk e dinin më se çfarë po ndodhte dhe besoj se ju mund ta kujtoni se në ato çaste, rezultati ishte shumë i ngushtë dhe kishte një diferencë prej 10 votash. Shumë njerëz nuk ishin të qartë se çfarë po ndodhte. Unë dola atë të shtunë pasdreke nga qendra e numërimit, munda të shikoj flamuj blu, munda të shikoj flamuj të PS-së dhe të gjithë që bënin tifo se njeriu i tyre kishte fituar. Më pas, hymë në një situatë të paqartë.


Prej së cilës kemi dalë?


Zgjedhjet lokale të 2011-ës kanë hyrë në histori, ka një rezultat për këtë, ka një rezultat për Tiranën, ka një kryetar bashkie që bën detyrën e vet dhe ajo çka po përpiqen të gjithë shqiptarët të bëjnë, bashkë me mbështetjen e ndërkombëtarëve, është që t’i përgjigjen rekomandimeve të cilat janë dhënë, sepse ka qenë vërtet një situatë e paqartë për Tiranën, e cila zgjati për shumë javë. Kur rezultati është kaq i ngushtë mund të ketë vërtet arsye për t’i rinumëruar, për të parë nëse votat ishin numëruar në mënyrë e duhur, apo nëse votat e deklaruara të pavlefshme ishin vërtet të pavlefshme. Por jam shumë i sigurt që mund të mos kishte zgjatur aq shumë, sa zgjati, sepse kjo çoi në lindjen e dyshimeve nga shumë monitorues, sepse disa lojëra politike ishin duke u bërë, dhe zgjedhjet nuk duhet të jenë lojëra politike. Ato janë thjesht hedhje vote, numërim dhe rezultati që del prej numërimit të votës. Ndërkohë që raporti i OSBE/ODIHR ishte në mënyrë të pazakontë, jashtëzakonisht kritik. Nuk ka rëndësi se çfarë thonë njerëzit, këto raporte janë të ndërtuara në mënyrë të tillë që të ketë shumë “por” ose “apo” ose “megjithëse”, por kur lexon një sërë raportesh të tilla, mund të gjykosh nëse janë kritike apo jo. Dhe raporti i OSBE/ODIHR-it ka qenë vërtet shumë kritik dhe po kaq i ngjashëm ka qenë edhe ai i vitit 2009 në zgjedhjet e përgjithshme. Ka pasur rreth 50 rekomandime prej të cilave, ndër më të rëndësishmet, ishte rekomandimi i parë. Aty thuhet “Duhet të shohim vullnet politik”.


Të gjitha gjasat tregojnë se në çfarë rruge po shkojmë. Për shembull, zgjedhja e presidentit, a ishte një tregues?


Mendoj që procesi ka qenë sipas Kushtetutës dhe presidenti i ri është një politikan i respektuar. Unë e kam takuar atë si ministër i Drejtësisë, po ashtu edhe kur ka shërbyer si ministër i Brendshëm. Mua më ka dhënë përshtypjen e një njeriu të balancuar, serioz dhe që meriton respekt dhe unë shumë sinqerisht, (e kam bërë edhe më parë), e uroj shumë për detyrën e re, sepse nuk besoj se do të jetë një detyrë e lehtë. Kur flasim për procesin, për mua si vëzhgues, ka qenë një proces i çuditshëm. Deri në raundin e parë nuk ka pasur asnjë kandidat. Unë mbeta i çuditur kur filluan zgjedhjet dhe nuk kishte kandidat. I vetmi kandidat i dukshëm, ishte një hije nga e shkuara, i cili erdhi nga Vjena dhe nuk u mbështet nga askush. Më pas procesi filloi të zhvillohej, të zgjerohej dhe u bë shumë e qartë, se komuniteti ndërkombëtar, tha se ne vërtet duam që të jetë një proces gjithëpërfshirës, një proces i tillë do të tregonte maturinë e demokracisë shqiptare. Në fakt ai nuk ishte fare një proces gjithëpërfshirës. Presidenti i zgjedhur, ish-ministri Nishani, është një njeri shumë i balancuar dhe i respektuar, por unë nuk e di se çfarë do të bëjë ai si president, sepse ai asnjëherë nuk pati shansin të prezantonte platformën e tij, vizionin e tij për postin e presidentit. Mendoj se duhet të them, si ambasador dhe jo si person, se u zhgënjeva nga ky proces dhe mënyra se si ai u zhvillua. Kisha shpresuar se do të kishte qenë një proces më gjithëpërfshirës, kisha shpresuar për një president i cili do të mbështetej nga një mazhorancë e pastër ose një mazhorancë e cilësuar mundësisht. E vërtet që procesi ishte kushtetues, veçse Kushtetuta, ashtu si çdo ligj tjetër, ka një shkronjë, por ka edhe një shpirt. Besoj që ajo çfarë Kushtetuta nënkupton është që të ketë një president që gëzon votën dhe mbështetjen e një shumice të cilësuar.


Në fakt, ata që duket se nuk do të na e bëjnë këtë dhuratë janë politikanët shqiptarë. Do të doja të ndalonim të flisnim për disa prej tyre. Jo thjesht për personat, sesa për institucionet që përfaqësojnë; p.sh. Kryeministri Sali Berisha.


Z. Berisha është një politikan me shumë përvojë dhe ai është kryeministri i këtij vendi. Unë kam një lloj ndjesie, për të cilën mendoj se edhe ai do të ishte dakord me mua, se qeveria është duke qeverisur. Kështu që roli i z. Berisha, pra roli i një kryeministri dhe i qeverisë së tij, është që të sigurohet se reformat zbatohen në mënyrë që të arrihet statusi i vendit kandidat. Besoj se e bëra shumë të qartë dhe dua ta bëj përsëri, se këto 12 prioritete të rëndësishme, të cilat janë formuluar pothuajse dy vjet më parë, nuk janë ndonjë shpikje dhe teknikisht nuk janë aq të vështira për t’u arritur. Ne kemi parë vendin tuaj fqinj, Malin e Zi, të cilët kishin 7 çështje për të adresuar dhe ia arritën qëllimit. Këto gjëra nuk janë të paarritshme, thjesht kërkojnë vullnet dhe përkushtim politik. Nuk dua të tregohem cinik, por ne sinqerisht mendojmë ndonjëherë, nëse vërtet ka vullnet politik për statusin. Nga njëra anë nuk është mirë të thuash; ne po përpiqemi, por opozita po e hedh gjithçka në erë dhe njëkohësisht nuk është e drejtë ajo që thuhet nga ana tjetër, që ne po bëjmë punën tonë si opozitë, por pala tjetër na bllokon për çdo gjë dhe nuk na merr parasysh. Ky është një prioritet kombëtar, kështu që forcat politike duhet ta hedhin këtë hap, të kapërcejnë pozicionet e tyre fikse, tradicionale politike dhe të bashkojnë forcat. Dhe siç e thashë, kjo nuk ka të bëjë me ndonjë shkencë të madhe, thjesht kërkon vullnet politik dhe këto gjëra mund të rregullohen edhe përpara tetorit, mbase jo të gjitha detajet, por duhet të tregohet se ka një vullnet të mirë dhe ka përkushtim për të arritur atë objektiv. Nëse kjo arrihet, atëherë komisioni mund të rekomandojë statusin e vendit kandidat.


Në fakt, z. ambasador, ju e prekët opozitën por unë do të doja t’ju pyesja personalisht për emrin që kryeson opozitën, Edi Rama.


Ajo që më impresionon si person tek Edi Rama është se ai nuk është një politikan tradicional. Nuk më takon mua ta gjykoj nëse është pozitive apo negative, por ai nuk është një politikan tradicional, në një kohë që skena politike shqiptare dominohet nga politikanë tradicionalë. Mua më ka pëlqyer shumë ajo që ka bërë Edi Rama si kryetar i Bashkisë së Tiranës, sidomos për periudhën përpara se unë të vija, pra gjatë mandatit të tij të dytë dhe të tretë. Me gjithë burimet e tij të limituara ai arriti t’ia ndryshonte fytyrën këtij qyteti, duke e bërë atë një vend tërheqës. Kur shoh fotografitë e mëparshme, nuk mendoj se Tirana ka qenë një vend aq tërheqës. Ai solli një lloj energjie të re me kreativitet të spikatur, gjë që ishte shumë e nevojshme. Ndërkohë që në mandatin e tij të fundit, ajo energji dhe ai dinamizëm në njëfarë mënyre humbi, ndoshta për shkak se ishte në konflikt me qeverisjen qendrore, ndoshta sepse ai u përqendrua më tepër të ishte udhëheqës i opozitës, sesa kryetar i Bashkisë së Tiranës. Por ai ka lënë një trashëgimi shumë të madhe për Tiranën. Nuk besoj që kjo do merret si një deklaratë politike, por besoj se ai i ka lënë shumë trashëgimi Tiranës dhe këtë mund ta shohësh në mënyrën se si qyteti është duke u zhvilluar tani. Si lider i Partisë Socialiste, ai ka bërë një zgjedhje të tijën. Ai zgjodhi të mos ishte anëtar i Parlamentit. Dhe kjo krijon një lloj sfide të veçantë për t’u dhënë zë gjërave që duhet të thotë një opozitë. Unë mendoj që nuk është shumë e thjeshtë të udhëheqësh partinë tënde, ndërkohë që nuk ke një karrige në atë Parlament. Megjithatë kjo është një zgjedhje që ai e ka bërë vetë. Unë do të kisha imagjinuar, megjithëse nuk kam sferën magjike që të shoh dhe parashikoj të ardhmen, por mendoj se ai do të vazhdojë ta udhëheqë Partinë Socialiste në zgjedhjet e vitit 2013 dhe besoj se ai dëshiron që t’i fitojë këto zgjedhje. Unë gjithashtu do kisha imagjinuar që tani ka ardhur koha për të dhe Partinë Socialiste, për t’u bërë më të rëndësishëm se në zgjedhjet e vitit 2009, apo zgjedhjet e vjetshme në Tiranë. Kjo do të ishte hera e tij e tretë, që shkon në zgjedhje si lider i partisë dhe besoj se është i vendosur që do t’i fitojë ato zgjedhje.


Në fakt, një pjesë e votuesve shqiptarë ishin më 21 janar në një protestë të drejtuar nga opozita shqiptare. Mënyra se si përfundoi ajo protestë, si mendoni se ka ndikuar te të rinjtë në Shqipëri? Tek opozitarët? Dhe kur them opozitare, nuk kam parasysh vetëm Partinë Socialiste.


Ndonjëherë, kur flas me të rinjtë, fare hapur, dhe u them atyre gjëra që sapo i përmenda si për shembull, kur nuk jeni dakord me diçka dilni në rrugë dhe mundohuni ta ndryshoni atë, atëherë përgjigja është: Po, po, të shkojmë dhe pastaj të na vrasin si më 21 janar! Aty dhe përfundon e gjithë biseda, gjë e cila më vret, kur e dëgjoj dhe më vret gjithashtu, kur duhet të them se ka një të vërtetë të madhe në këtë. Jam i bindur se askush nuk ka dashur të ketë atë rezultat që patëm në fund të 21 janarit, nuk ka dashur askush, që të ndodhte ajo që ndodhi. Gjërat dolën tmerrësisht jashtë kontrollit dhe mënyra sesi u menaxhua situata, nuk u bë në mënyrën më të kënaqshme të mundshme. Ende nuk ka investigime të besueshme, nuk ka çështje gjyqësore të mbyllura, vendime të marra. Ka thjesht shumë pyetje por asnjë përgjigje.


Unë ende, pas katër vjetësh në Shqipëri, kam vështirësi të kuptoj mënyrën sesi funksionon kujtesa e shqiptarëve. Nga njëra anë shqiptarët kanë një memorie jashtëzakonisht të largët, dhe kjo jo vetëm e lidhur me komunizmin, por edhe më hershëm. Të gjithë e dinë kush i bëri çfarë, në shekullin XIV . Në vendin tim kjo është diçka tërësisht ndryshe. Unë nga arsimimi jam historian, por në Holandë njerëzit nuk janë shumë të lidhur me historinë, ata thjesht jetojnë me të tashmen. Unë shpeshherë i shikoj me respekt shqiptarët, të cilët e dinë historinë e tyre dhe jetojnë me atë histori, dhe kjo më bën të jem i pasigurt në atë që kuptoj, se pse kujtesa e shqiptarëve shkon kaq larg dhe është njëkohësisht shumë e shkurtër. Do t’ju tregoj një histori. Kur u bëra ambasador, kalova javët e para në një hotel, në Tiranë, dhe në dhomën time shikoja televizionet shqiptare. Një ditë po shikoja televizor dhe kuptova se çfarë i kishte ndodhur z. Kosta Trebicka, i cili u gjet i vdekur në një pjesë të Shqipërisë, larg makinës së tij. Kur e pashë këtë, reagimi im i parë ishte “oh, kjo ngjarje do më mbajë të angazhuar si ambasador për dy vitet e ardhshme”, sepse ishte vërtet një ngjarje shumë e rëndësishme në sytë e mi. Por ndërkohë, ajo ngjarje u shua për dy javë dhe askush nuk e përmendi më qysh atëherë. Dhe as në atë kohë nuk pati një investigim të besueshëm. Keni pasur shpërthimin në Gërdec, 26 të vrarë, shumë pyetje, asnjë përgjigje ende dhe kjo më bën të them se unë nuk e kuptoj, se si shqiptarët arrijnë t’i pranojnë këto gjëra. Diçka e rëndë ndodh dhe menjëherë humbet, harrohet dhe zhduket nga kujtesa. Ndërkohë që në të njëjtën kohë, ju jetoni me historinë tuaj, shumë herë më tepër, sesa vendet e tjera të Europës Perëndimore. Unë nuk e kuptoj këtë gjë.


Marre me shkurtime nga emisioni “Shqip” në “Top Channel”