Kulturë Kinefili Festivali i Filmit në Sarajevë – Lufta Ende Temë e Rëndësishme

Festivali i Filmit në Sarajevë – Lufta Ende Temë e Rëndësishme

79
SHPËRNDAJE

Festivali i 18-të i filmit në Sarajevë u mbyll këtë fundjavë, pas shfaqjes së 210 filmave gjatë javës së shkuar, shumë prej të cilëve ishin të lidhur me konfliktin e viteve 1990-të në Ballkan.

Denis Dzidic BIRN Sarajevë

Festivali i Filmit në Sarajeve u hap më 6 korrik me filmin “Fëmijët” nga regjisorja boshnjake, Aida Begic, i cili paraqet jetët e Rahimas dhe Nedimit, vëlla e motër, prindërit e të cilëve ishin vrarë në luftën në Bosnjë.

Filmi, ngjarja e të cilit është e vendosur në vitin 2009, 14 vjet pas luftës, përdor betejën e 23-vjeçares Rahima për të marrë kujdestarinë e të vëllait të saj të mitur për të eksploruar të gjitha çështjet e një vendi në tranzicion pas lufte, si krim, delikuencë dhe korrupsion.

Marija Pikic, studente e dramës nga Banjalluka e cila luan rolin e Rahimës në film, fitoi çmimin “Zemra e Sarajevës” për performancën më të mirë si aktore femër. Ajo tha se ndihej krenare që punoi në këtë film.

“Filmi është për një gjeneratë në tranzicion. Nuk do t’i quaja të humbur, por një gjeneratë që po mundohet. Po jetojmë në një kohë që është formuar nga e shkuara jonë. I përkasim një brezi që nuk di asgjë për kohën për të cilën flasin prindërit tanë. Përballemi me kohët më të vështira dhe nuk e dimë se çfarë do të sjellë e ardhmja”, tha Pikic, për mediat vendase.

Performaca më e mirë aktorit mashkull iu dha Uliks Fehmiut, për pjesën e tij në filmin serb “Rruga e Shpëtimit” – e regjisorit Miroslav Terzic – i cili fokusohet në një hetim për krime lufte të një njësie paramilitare që ka kryer krime në Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë.

“Krimet e luftës dhe horroret që ndodhën, nuk kanë ndikuar vetëm jetën time, por jetën e secilit në rajon dhe kjo është pse ishte shumë e lehtë për mua të luaja këtë pjesë”, tha Fehmiu, i cili luan rolin e një krimineli lufte dhe ish-anëtar i njësisë paramilitare.

Disa nga dokumentarët e shfaqur në festivalin e këtij viti kishin lidhje me luftën në Bosnjë.

“Ekspozita”, një dokumentar nga Boro Kontic, fokusohet në një seri fotografish të bëra nga Milomir Kovacevic, midis viteve 1986 dhe 1992 në Sarajevë.

Kovacevici fotografoi persona gjatë protestave dhe aksioneve që kishin për synim ndalimin e luftës që eventualisht shpërtheu në Bosnjë, në pranverën e vitit 1992.

Dokumentari “Boris me një I”, i regjisores Vesna Maric, tregon historinë e Boris Cikovicit që u largua nga Sarajeva në maj të vitit 1992, dhe u vra kur ishte vetëm 17 vjeç nga një huligan në Toronto, Kanada.

Festivali i Filmit në Sarajeve, këtë vit pati si pjesëmarrës aktorët e hollivudit Jeremy Irons dhe Angelina Jolie, regjisorja e filmit të vitit të shkuar “Në tokën e gjakut dhe mjaltit” që fokusohet në luftën në Bosnjë.

Marrë nga Drejtësia Tranzicionale në Ballkan