Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pritet të lirohet nga Tribunali i Hagës të martën.Fatmir Aliu BIRN Prishtinë
Haradinaj, ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, për rajonin e Dukagjinit, është liruar përkohësisht në pritje të vendimit përfundimtar për rigjykimin e tij.
“Ramush Haradinaj është liruar nga paraburgimi dhe po presim të arrijë në Prishtinë më vonë gjatë ditës së sotme”, tha për BIRN-in një burim i partisë së Haradinajt, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, AAK.
Tribunali i Hagës, ICTY, e liroi Haradinaj përkohësisht në maj të këtij vitit dhe ai qëndroi 6 javë në Prishtinë.
ICTY përfundoi seancat dëgjimore për rastin Haradinaj et al, më 27 qershor, dhe vendimi pritet të jepet në shtator.
Haradinaj, Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj, të gjithë ish-luftëtarë të UÇK-së u kthyen në ICTY për një rigjykim të pjesshëm, pasi prokuroria e bindi gjyqtarin e apeleve se nuk kishte dhënë kohë të mjaftueshme të dëgjonte provat nga dy dëshmitarë kyçë.
Prokuroria argumentoi se Haradinaj dhe Brahimaj u shpallën të pafajshëm sepse dëshmitarët ishin “kërcënuar dhe shantazhuar” dhe nuk mund të bënin dëshmi objektive.
Në vitin 2008, Haradinaj dhe Balaj u liruan nga të gjitha akuzat për krime lufte dhe krime ndaj njerëzimit pas një gjyqi trevjeçar. Brahimaj u dënua me gjashtë vjet burgim për trajtim mizor dhe torturë.
Treshja në rast, e njohur si Haradinaj et al, më parë ishin paditur për akuza në lidhje me vrasje, pengmarrje, torturim dhe përdhunim të serbëve, romëve dhe shqiptarëve, midis marsit dhe shtatorit të vitit 1998.
Haradinaj, 43-vjeçar, u padit në vitin 2004 derisa ishte kryeministër i Kosovës dhe u dorëzua vullnetarisht në Tribunal. Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, AAK, gëzon mbështetje të gjerë politike në Kosovë.
Marrë nga Drejtësia Tranzicionale në Ballkan