Ministri i Mbrojtjes mohon akuzat për përgjimet. “Nuk kemi kapacitetet të përgjojmë zyrtarët e diplomatët”


Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, ka raportuar sot përpara  Komisionit të Sigurisë, gjatë të cilit ka pasur debate mes përfaqësuesve të mazhorancës qeverisëse dhe opozitës. Në përfundim të seancës dëgjimore, ministri Imami ka deklaruar përpara mediave se u është përgjigjur të gjitha pyetjeve të socialistëve dhe se çështja e kontrollit në Ministrisë së Mbrojtjes, është çështje e parlamentit. “Duhet të ketë një plan konkret kontrolli,edhe kryeministri kur vjen për kontroll e ka këtë plan. Kontrolli parlamentar është shumë i rëndësishëm”, tha ai.


Ndërsa në lidhje me akuzat e ngritura nga opozita për trafik armësh, Imami deklaroi edhe njëherë se Ministria e Mbrojtjes shet armë, por nuk trafikon.


“Nuk ka trafik, unë i raportoj Kuvendit çdo tre muaj për të gjitha shitjet me detaje, i raportoj edhe kryeministrit. Shitja e armatimeve nuk është trafik, është e domosdoshme, ose do ti shesim ose do harxhojmë për t’i shkatërruar me kosto më të lartë”, u shpreh ai më tej.


Ndërkohë për akuzat e PS-së se ushtria ka përgjuar opozitën dhe diplomatët e huaj, Imami ka deklaruar se: “Unë jam i interesuar të ngrihet një komision i mbështetur në ligj dhe të hetojë. Ne punojmë kundër terrorizmit. Jemi pjesë e NATO-s. Nuk kemi kapacitetet të përgjojmë zyrtarët e diplomatët”, shtoi ai.


18 korrik 2012 (gazeta-Shqip.com)