Këshilli Bashkiak Tiranë, sherr për: romët, liqenin dhe anëtarin e dhunuar nga kreu i policisë bashkiake


Lorina Mixha  


Këshilli Bashkiak Tiranë është mbledhur dje pas dy muaj e gjysmë.

Lulzim BashaKreu i këshilltarëve të majtë, Aldrin Dalipi, ka kërkuar nga kryebashkiaku Lulzim Basha të diskutohet seriozisht mbi problemin e dhunimit të këshilltarit Florian Pullazi nga ana e kreut të policisë bashkiake, Floren Hoxha. Madje, sipas Dalipit, Basha duhet të kërkojë falje për sjelljen e kreut të policisë bashkiake. Kryetari i bashkisë ka shprehur rezervat e tij lidhur me denoncimin duke thënë se këto janë shpifje dhe mashtrime.


Po ashtu Dalipi ka kërkuar diskutim lidhur me problemin e romëve të mbetur pa punë për shkak të pezullimit që i është bërë nga strukturat e bashkisë, mbetja pezull 420 banesave sociale, si dhe për taksat e vendosura ndaj biznesit. Kreu i këshilltarëve të majtë ka kërkuar që në rend të ditës të përfshihej edhe diskutimi lidhur me prerjen e drurëve në parkun e Liqenit Artificial duke dëgjuar dy të ftuarit e shoqërisë civile, Artan Lame e Xhemal Mato. Edhe pse ata nuk ishin pajisur me një leje të posaçme, kreu i bashkisë dhe kreu i këshillit i ka lejuar të ftuarit të flasin rreth çështjes.


Pas aprovimit të Bashkisë së Tiranës për dhënien me qira të ambienteve të konviktit të gjuhëve të huaja, një universiteti privat, dje dy këshilltarët e PD-së dhe LSI-së nuk ishin të pranishëm në mbledhje.


Anëtarët Dhori Kule dhe Shezai Rrokaj nuk kanë qenë të pranishëm në mbledhje duke mos votuar kështu për tri vendimet e marra në këshill.


Gjithsej janë 55 këshilltarë bashkiak, 29 “Aleanca për Qytetarit”, dhe 27 “Aleanca për të ardhmen”. Nëse Kule dhe Rrokaj mungojnë sërish në mbledhjet e këshillit bashkiak, “Aleanca për Qytetarin” barazohet me vota me “Aleancës për të Ardhmen”.


Po ashtu, për herë të parë, Basha ka dhënë deklaratën e tij në lidhje me projektin e Rrugës së Elbasanit. Sipas tij, tenderi është bërë online dhe projekti ka qenë aty për 45 ditë. “Ai segment rruge është rrugë kombëtare dhe gjendet në territorin e bashkisë. Është hapur tenderi për ndërtimin e kësaj rruge, pas miratimit të projektit nga këshilli i rrugëve. Shkalla e transparencës ka qenë maksimale, projekti ka qenë aty për ditë të tëra dhe tenderi u krye online. Sa për shpronësimet, bashkia bisedoi një për një me çdo familje”, tha Basha.


Sipas tij sipërfaqja e gjelbër e prekur për shkak të punimeve për zgjerimin e Rrugës së Elbasanit do të rikuperohet 10 herë brenda vitit. Basha është shprehur se projekti pasi ka kaluar në këshillin teknik i është dërguar Drejtorisë së Përgjithshme të rrugëve. Sipas ligjit, drejtoria ka hapur tenderin për ndërtimin e rrugës.


Këshilli bashkiak miratoi dje vendimet: “Për pagesën e kuotës së anëtarësisë së Bashkisë së Tiranës në Shoqatën e Bashkive të Shqipërisë për vitin 2012. Shumica e këshilltarëve aprovoi miratimin e anëtarësimit dhe financimit të kuotës së anëtarit të asociuar të Bashkisë së Tiranës në Eurocities, rrjeti i qyteteve më të mëdha europiane”. Një tjetër vendim i miratuar ishte: “Për dhënie stimuli nxënësve me rezultate të shkëlqyera të qytetit të Tiranës. Nuk u miratua kërkesa e këshilltarëve të Partisë Socialiste për ngritjen e një komisioni të përkohshëm.


Nuk u fut në rend të ditës projektvendimi i këshilltarit Agim Kraja lidhur me vendimin për devijimin e qarkullimit të automjeteve që përshkojnë aksin rrugor nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit” deri te sheshi “Skënderbe”, gjatë faljes së veçantë të Namazit të Xhumasë, e cila kryhet çdo ditë të premte pranë xhamisë së Et’hem Beut.