Al Assad ne vitin 2011


Rebelët në Siri po luftojnë sot në qendër të Damaskut në një distancë të vogël nga pallati presidencial duke mbajtur të lartë presionin mbi regjimin e diktatorit Bashar Al Assad, vendndodhja e të cilit për momentin nuk dihet me saktësi.


Pas vrasjes së udhëheqësve kryesorë të regjimit në një atentat me bombë dy ditë më parë, besohet se Al Assad mund të jetë pranë fundit të sundimit të tij shumëvjeçar. Zyrtarët e qeverisë së tij thonë se presidenti gjendet në pallatin presidencial nga ku po jep udhëzime për luftën që po zhvillohet në kryeqytet, por diplomatë perëndimorë bëjnë të ditur se ai është larguar sakaq nga Damasku dhe gjendet në qytetin bregdetar të Latakias.


“Informacioni që disponojmë është që Assad gjendet në një rezidencë në Latakia që prej tri ditësh,” tha një kundërshtar i regjimit në kushtet e anonimitetit. Rajoni i Latakias banohet gjerësisht nga anëtarë të minoritetit Alavit, ku bën pjesë edhe Assad.


Një diplomat i rëndësishëm i tha Reuters se “mbetet për t’u parë nëse Assad do të jetë në gjendje të ruajë strukturën e komandimit të ushtrisë pas vrasjes së Ministrit të Brendshëm dhe kunatit të tij. Humbjet e tij qenë të rënda, ndonëse jo fatale”.


Damasku pa sot luftime për ditën e pestë radhazi dhe këto janë luftimet më të ashpra në kryeqytet që nga fillimi i revoltës kundër sundimit të familjes Assad 16 muaj më parë.


19 korrik 2012 (gazeta-Shqip.com)