18 maj – Komisioni i Sigurisë mori vendimin më 18 maj për hetimin parlamentar ndaj Ministrisë së Mbrojtjes në disa faza


3 orë – Mbledhja e Komisionit të Sigurisë me dyer të mbyllura ka zgjatur rreth tre muaj. Por debatet më të ashpra kanë qenë vetëm në prani të medias


Përgjimet – Ministri Imami hodhi poshtë përgjimin e paligjshëm të ngritur me forcë nga ana e opozitës nëpërmjet aparaturave të posaçme të SHIU-t


Tetor – Sipas vendimit të Komisionit të Sigurisë, hetimi parlamentar ndaj Ministrisë së Mbrojtjes do të zgjasë në dy faza dhe do të mbarojë në tetor


Opozita: Të hënën jemi në zyrën e SHIU-t


Debate të ashpra në seancën dëgjimore me ministrin e Mbrojtjes


BLEDAR HOTI


Mazhoranca dhe ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, zvarrisin hetimin e miratuar më 18 maj nga Komisioni Parlamentar i Sigurisë. Seanca e djeshme dëgjimore, me prezencën e ministrit Imami, e zhvilluar në Komisionin Parlamentar të Sigurisë, ka dhuruar dy tablo të ndryshme. E para ka qenë ajo që Imami nuk ka pranuar përgjimet dhe se për hetimin parlamentar ka ngritur artificën e paraqitjes së një kërkese të re të dytë për ta realizuar atë. Kjo mësohet se ka qenë kërkesa e përfaqësuesve të mazhorancës, e cila synon të zhvleftësojë vendimin e marrë me datën 18 maj nga Komisioni i Sigurisë. E tillë është ajo që të ngrihet një nënkomision i ri me njerëz që nuk nxjerrin sekretin shtetëror. Në mbledhjen e zhvilluar me dyer të mbyllura mësohet se janë hedhur edhe ide të marrjes së një vendimi të ri. Por opozita në Komisionin e Sigurisë ka bërë të ditur se nuk tërhiqet nga hetimi dhe se vendimi për një vendim të tillë është marrë. Mësohet se është rënë dakord që të hartohet një shkresë tjetër nga kryekomisionieri Leonard Demi për të pranuar që deputetët të lejohen të kryejnë punën e tyre në institucionet që janë në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes. Sipas burimeve, mësohet se pjesë e kontrollit parlamentar do të jetë SHIU. Deputetët e opozitës do të tentojnë të bëjnë një vizitë të hënën në institucionin e posaçëm, SHIU. Mbledhja e komisionit ka nisur me tensione mes mazhorancës dhe opozitës. Pas kërkesës së vetë ministrit Imami, për shkak se ato që do të deklaronte përbënin sekret shtetëror, mbledhja u zhvillua me dyer të mbyllura. Fillimisht ministri ka folur në mbledhje për çështjen “Plani i përhapjes së Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, si dhe ndryshimet strukturore që i janë bërë këtij plani”. Diskutimi i tij ka qenë tejet i gjatë, mbi 45 minuta. Më pas deputetët e opozitës në diskutimet e tyre nuk ngurruan të akuzojnë ministrin Arben Imami për bllokim për hetimin parlamentar. Mbledhja pa praninë e medias ka zgjatur për rreth 3 orë. Pas mbledhjes kanë dhënë deklaratat e tyre, veçmas, nënkryetari i Komisionit të Sigurisë, socialisti Ilir Gjoni, dhe ministri i Mbrojtjes, Arben Imami.


Spitali Ushtarak dhe Porto Palermo


Spitali Ushtarak, Shkolla e Marinës, Bishti i Pallës dhe Porto Palermo nuk do të jenë në të ardhmen si pjesë të zonave ushtarake. Kështu mësohet se u është bërë e ditur nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes, deputetëve në mbledhjen e djeshme të Komisionit Parlamentar të Sigurisë. Mësohet sipas burimeve të gazetës “Shqip”, se ka qenë vetë ministri Imami, i cili ka lënë të nënkuptohet që këto zona nuk do të jenë në varësi të dikasterit që ai drejton. Riorganizimi i ushtrisë nuk parashikon që këto objekte të cilësohen si zona të rëndësishme të posaçme që do të ruhen nga ana e forcave të ushtrisë. Mësohet se Imami ka bërë të ditur se Spitali Ushtarak mund të përdoret për Qendrën Traumatike. Porto Palermo mësohet se ka një kërkesë të Ministrisë së Arsimit për të bërë një muze të “Luftës së Ftohtë” me anijet luftarake. Këto mësohet se kanë qenë të vetmet kritika të opozitës për zhvlerësim të objekteve strategjike që Imami i ka pranuar. Çështja e këtyre objekteve është ngritur në mbledhje nga deputeti i PS-së, Piro Lutaj. Prej kohësh opozita ka hedhur dyshime se këto objekte do të tjetërsohen, duke u përdorur për qëllime ndërtimi objektesh private apo për interesa të caktuara të biznesit të lidhur me qeverinë. Mësohet se opozita pritet të mbajë një qëndrim të ashpër në seancën e sotme parlamentare. Në diskutimet gjatë rendit të ditës pritet që deputetët socialistë të fokusohen për bllokimin që mazhoranca po i bën mbikëqyrjes parlamentare në Ministrinë e Mbrojtjes.


Debatet


Leonard Demi: Të nderuar kolegë, sipas planit tashmë të miratuar sot do të zhvillohet seanca dëgjimore e ministrit të Mbrojtjes, z. Arben Imami, për planin e përhapjes së Forcave të Armatosura dhe ristrukturimit që i janë bërë këtij plani. Kanë ardhur për të raportuar gjithashtu zv.shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral Sandër Lleshi dhe shefi i operacioneve, Vladimir Avdiaj. Z. ministri ka bërë të ditur se informacioni që do bëhet i ditur është i klasifikuar, ndaj ftoi mediat të largohet…


Ilir Gjoni: Z. kryetar, është ky komision që vendos nëse mbledhja do të zhvillohet e hapur apo jo. Nuk e vendos ministri, i cili ka  konsideruar si punëtor dhe fshatar. Unë shpreh mikpritjen për ministrin që nuk ka lejuar deputetët të ushtrojnë ligjërisht funksionin e tyre. Ju keni ardhur pas kërkesës së komisionit, ku ne si opozitë kemi kërkuar mbikëqyrjen. Ju përkujtoj se hapat e kësaj mbikëqyrje kanë ndjekur rrugët ligjore.


Arben Imami: S’kam ardhur të flas për deklarata politike


Ilir Gjoni: Këtu flasim sipas ligjit. Nuk mund të na tregosh arrogancë, pasi kemi ardhur me shkresën e firmosur nga kryetari i komisionet, me firmën e sekretarit të përgjithshëm të Kuvendit më datën 3 korrik.


Leonard Demi: Z. Gjoni ju faleminderit.


Arben Imami: Unë mund të vij dhe në një moment tjetër…


Ilir Gjoni: Jo, jo. Nuk do vish kur të duash ti, por kur të thërrasim ne zoti ministër se dhe këtë duhet ta kuptosh që këtu të kemi thërritur ne, dhe nuk ke ardhur me dëshirën tënde.


Arben Imami: Ne s’do diskutojmë për këtë tani.


Ilir Gjoni: Zoti ministër, këtu të kemi thërritur ne dhe nuk mund të bësh arrogancë. Atë arrogancë që ke bërë kundrejt deputetëve në ministrinë e drejtuar prej jush, është ajo arrogancë që ka vrarë njerëz në Gërdec dhe ajo arrogancë që ka vrarë në 21 janar. Ja ku i ke shkresat zoti ministër që të kanë zbatuar deputetët kur kanë ardhur atje. Po të përmend shkresën 1606 që zoti Demi e keni bërë vetë. Ju ka ardhur ju me firmën e Jozefina Topallit.


Leonard Demi: Po, pikërisht për këtë arsye do flasim.


Ilir Gjoni: Është shkresa 1608/1 drejtuar po ju e datës 25.06 po e miratuar nga Jozefina Topalli. Keni marrë tri kontakte me përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes.


Leonard Demi: Zoti Gjoni këto janë të kaluara.


Ilir Gjoni: Janë të kaluara, por unë nuk kam pasur mundësi që të bisedojë më ministrin e Mbrojtjes. Nuk kam pasur asnjë mundësi që t’i komunikojë shqetësimin tuaj, shqetësimin e fshatarëve dhe të punëtorëve. Unë do merrem me zbatimin e ligjit. Prania e tij sot nuk më duhet se e keni kërkuar ju, dhe që mazhoranca po kërkon të kontrollojë mazhorancën. Këtu nuk ka asnjë naiv që ta besojë se ju po kërkoni të kontrolloni vetveten. Ne kemi kërkuar në mënyrë eksplicite mbikëqyrjen në institucionin e ministrisë. Unë i bëj thirrje zotit ministër që mbas kësaj seance ai të na japë mundësinë që edhe në mbështetje të ligjit për statusin e deputetit, i cili në nenin 7 të tij thotë: “Drejtuesit kryesorë  të ministrive dhe institucioneve të tjera qendrore detyrohen të presin me përparësi deputetin sa herë që ky kërkon takim që lidhen me problemin e ushtrimit të detyrës së tyre”. Ju na e keni refuzuar këtë z.ministër dhe nuk ka lidhje fare me procedurat. Ju keni shkelur edhe këtë ligj. Unë po shfrytëzoj rastin që zoti ministër nesër të na japë mundësinë që të shkojmë dhe të takojmë e të vendosim kontaktet për planin e veprimit të kontrollit të vendosur nga komisioni i sigurisë.


Leonard Demi: Komisioni i Sigurisë do veprojë sipas rregullores së Parlamentit. Nëse Ministria e Mbrojtjes e quan informacionin e klasifikuar, atëherë ne duhet ta marrim si të tillë.


Piro Lutaj: Ne që jemi iniciatorë të një kërkese për të bërë mbikëqyrjen në Ministrinë e Mbrojtjes, e kemi ditur shumë mirë se plani i përhapjes së forcave të armatosura në Republikën e Shqipërisë është një sekret dhe këtë nuk kemi pritur të na e thoni sot ju, apo dhe ministri. Jam këtu sot për të thënë diçka tjetër lidhur me procedurën dhe me fillimin e mbledhjes tuaj. Kemi fatin që kemi ministrin afër, por ne kemi pasur shumë mundim për ta takuar ministrin nga afër. Ministri i Mbrojtjes është këtu i ballafaquar me një praktikë. Ose ministri i Mbrojtjes ose grupi iniciator i Komisionit të Sigurisë Kombëtare duhet t’i kërkojë falje opinionit publik. Nëse ne i kemi rënë në qafë ministrit të Mbrojtjes apo dhe shtetit shqiptar, apo nëse ne i kemi kërkuar një gjë të ligjshme të miratuar nga 22 burra këtu për të shkuar dhe për të mbikëqyrur sukseset e Ministrisë së Mbrojtjes.


Leonard Demi: Ne e kemi thërritur ministrin në një seancë dëgjimore, të gjitha procedurat i kemi bërë të njohura.


Ilir Gjoni: Ministri kishte për detyrim ligjor të na priste atje ku i takonte.


Piro Lutaj: Kemi dy shkresa nga Kuvendi i Shqipërisë për ministrin e Mbrojtjes. Kam një pyetje për ju. Keni një përgjigje zyrtare për këto dy shkresa që i kemi bërë ministrit të Mbrojtjes apo keni vetëm njoftimet e ministrit në konferenca dhe për mediat, i cili thotë se nuk ka një praktikë ligjore për mbikëqyrjen e Ministrisë së Mbrojtjes. Kam fatin se sapo mbërriti kryetari i grupit parlamentar i PD-së, i cili është anëtar i Komisionit të Sigurisë dhe ka qenë anëtar i marrjes së vendimit. Ose Parlamenti i Shqipërisë ka falsifikuar shkresat dhe i ka dërguar dokumente të paqena Ministrisë së Mbrojtjes, ose ministri i Mbrojtjes ka vendosur që të mos e njohë Parlamentin e Shqipërisë dhe ta konsiderojë kontrollin e Komisionit të Sigurisë kontroll punëtor fshatar kinez e vietnamez. Sqaroni opinionin publik. Komisioni i Sigurisë Kombëtare e ka të drejtën e mbikëqyrjes së Ministrisë së Mbrojtjes në bazë të praktikës që keni miratuar apo jo. Nëse nuk e ka, jam unë bashkë me kolegët e mi dhe t’i kërkojmë opinionit publik falje. Përndryshe, ministri i Mbrojtjes bashkë me ju që keni firmosur një praktikë, duhet të dilni dhe t’i thoni opinionit publik se ju keni qenë të pavëmendshëm ose nuk doni që legjislativi të kontrollojë ministritë në Shqipëri.


Astrit Patozi: Përfitoj nga mundësia që më dha zoti Lutaj që m’u referua për një vendim. Konfirmoj se ky komision nuk ka marrë vendim për të ushtruar kontroll fizik në Ministrinë e Mbrojtjes. Komisioni i Sigurisë ka atributet të ushtrojë kontroll në institucionet e linjës, por nuk e ka marrë asnjëherë atë vendim. Ky komision, ka një plan pune, i propozuar nga kryetari, që ka për detyrë të organizojë punën e komisionit dhe t’u përgjigjet kërkesave të deputetëve. Kryetari ka ngritur disa grupe pune në përgjigje e respekt të interesimit të opozitës. Ky komision nuk ka marrë vendim që disa prej deputetëve të shkojnë në MM. E kam lexuar vendimin. Ky komision nuk ka votuar që disa prej jush apo prej nesh të shkojnë dhe duke cenuar edhe figurën e deputetit. Ne nuk kemi asnjë merak. Na u tha se duhet të kërkoni ndjesë. Duhet të jeni ju ata që në mes të zhegut kanë shkuar te dera e ministrisë a thua se po kërkoni armë bërthamore. Nuk kemi asgjë për të fshehur në çdo qelizë të shtetit shqiptar. Por ju, nuk mund të abuzoni. Ju jeni në hall, e kuptoj nervozizmin tuaj. Një opozitë në hall që nuk ka ç’të bëjë tjetër, nuk keni asgjë për të gjetur. Do ju ftoja shumë sinqerisht që të rivlerësoni rolin dhe misionin e deputetit. Ju nuk mund të abuzoni se deputet nuk do të thotë i gjithëpushtetshëm. Një deputet është i gjithëpushtetshëm kur është institucional. I keni lejuar vetes të shndërroheni në hiç duke kërkuar në rrugë joinstitucionale diçka që nuk ju takon. Kush ju ka privuar informacionin ju? Ja ku e keni ministrin është i hapur për të gjitha çështjet.


Ilir Gjoni: Ju s’mund të vini në komision të abuzoni dhe gënjeni. Ju nuk mund të gënjeni për shkresat e këtij komisioni.


Armando Prenga: Ju zoti Patozi po veproni me dy standarde, një herë firmosni edhe një herë nuk e njihni.