Presidenca, në dietë shpenzimesh, trageti italian në dietë karburanti


Avaria në traget mban në det për 14 orë kreun e shtetit shqiptar


Trageti u shoqërua nga një ekip i kapitanerisë dhe në bordin e tij ndodheshin 250 pasagjerë dhe 45 automjete


Vali Qyrfyçi


Avaria e tragetit “Adriatika 1”, në të cilin, në kushte të pashpjegueshme, udhëtonte Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka dhënë një mesazh të fortë për krizën ekonomike si për shtetin tonë, që ndryshe hiqet me fjalë, ashtu edhe për biznesin privat. Duket se për të kursyer buxhetin e Presidencës, pasi nuk ka një arsye tjetër zyrtare, Presidenti i Shqipërisë ka zgjedhur të udhëtojë me mbi 250 pasagjerë në traget, ndërkohë që edhe ky mjet e ka zhgënjyer për shkak të karburantit të dobët që përdorte, duke e lënë për 24 orë në det, pasi udhëtimi ishte parashikuar të zgjaste mesatarisht dhjetë orë. Megjithatë, pas shfaqjes së avarisë në traget, ai nuk ka pranuar të zbresë prej tij, teksa shoqërohej nga e shoqja dhe stafi i tij, për të mbërritur në destinacion me mjete të tjera urgjente. Ai ka vendosur që udhëtimin e mundimshëm prej 24 orësh, pavarësisht se ishte llogaritur të realizohet brenda 9-10 orësh, ta realizojë me “bashkëvuajtësit” e tjerë shqiptarë, me orë të tëra të mbyllur në traget.


Ata kanë mbërritur në port me 12 orë vonesë, pasi në orët e pasdites, lundrimi është vështirësuar edhe nga dallgët. Ndërsa dy orë të tjera kanë vonuar për t’u ankoruar.t Shkaku i vonesës, që ishte defekt në bllokimin e filtrave nga përdorimi i karburantit të një cilësie të dobët, ka treguar si për Presidentin, ashtu edhe udhëtarët e tjerë se jetojmë në periudhë krizash, kur jo vetëm udhëtarët zgjedhin mjetet më të lira të transportit ndërkufitar, por edhe kompanitë e transportit detar për të ulur kostot e tyre zgjedhin furnitorë të dyshimtë karburantesh duke ulur në këtë mënyrë cilësinë dhe sigurinë e shërbimit që ofrojnë.


 


Avaria në traget


Ashtu siç konfirmohet nga të gjitha autoritetet, cilësia e dobët e karburantit me të cilin është furnizuar trageti herën e fundit ka lënë në det të hapur për shumë orë mjetin lundrues të mbushur me udhëtarë. “Adriatika 1” është një nga tragetet e linjës Bari-Durrës që duhet të mbërrinin mëngjesin e së mërkurës në terminalin e trageteve të Portit Detar të Durrësit, pikërisht rreth orës 08:00, por kjo nuk ka ndodhur. Ndër 4 tragetet e linjës, defekt pësoi ai, ku ndodhej kreu i shtetit shqiptar, që nuk kuptohet pse ka zgjedhur këtë transport për një udhëtim pune. Mbase për të dëshmuar që e vlerëson buxhetin e shtetit dhe vështirësitë me të cilat përballet ai, ose institucioni, që drejton edhe për pak ditë, ka pësuar ulje të ndjeshme shpenzimesh saqë mjafton një incident si ai i djeshmi për të nxjerrë në pah gjendjen e një shteti.


Kreu i porteve


Kapiteni i përgjithshëm i porteve, Hysni Aruçi, shprehet për gazetën se “në ndihmë të tragetit ka shkuar rimorkiatori më i mirë që ka Porti i Durrësit, ai “Iliria”, ndërsa rimorkiatori tjetër ka qëndruar në pritje në hyrje të terminalit për të lehtësuar mjetet për ankorimin e tragetit. “Shkak për këtë vonesë të theksuar në mbërritjen e tragetit “Adriatika 1″ në bordin e të cilit udhëtonte edhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi, është bërë cilësia e dobët e karburantit me të cilin është furnizuar trageti në shtetin fqinj dhe pasojat e saj në lëvizjen e mjetit lundrues”, është shprehur Aruçi. Sipas tij, kjo cilësi ka diktuar kufizimin e shpejtësisë në lundrim për shkak të bllokimit të herëpashershëm të filtrave të karburantit. “Adriatika 1” duhej të mbërrinte rreth orës së lartpërmendur, por shpejtësia e kufizuar me të cilën është e detyruar të lëvizë, si dhe rritja e forcës së detit në orët e pasdites i kanë zgjatur pafund orët e qëndrimit në traget për të gjithë udhëtarët. Gjendja ka qenë kritike dhe në drejtim të tragetit, kur ai ka qenë rreth 20 milje larg Portit të Durrësit dhe me gjithë tërheqjen e rimorkiatorit “Iliria”, trageti nuk i ka fikur gjatë të gjithë kësaj kohe motorët, por i ka mbajtur të ndezur me qëllim që të ndikojë në lundrim.


 


Policia kufitare


Nga ana tjetër, drejtori i policisë kufitare, Arben Hajdarmataj, ka deklaruar se trageti ka udhëtuar drejt Durrësit me 2 milje në orë. “Trageti është shoqëruar nga një ekip i kapitanerisë dhe në bordin e tij ndodheshin 250 pasagjerë dhe 45 automjete”, tha Hajdarmataj. Ditët e fundit në detyrën e kreut të shtetit dhe mbase në udhëtimin e fundit në këtë post të lartë shtetëror, z. Bamir Topi do t’i kujtojë gjatë dhe në mos ai, një pjesë e mirë e shtetasve shqiptarë që do të kujtojnë një fund që dëshmon krizën e një vendi, që nuk mund të sigurojë as udhëtim me avion për kryeshtetarin e vet.


 


Udhëtimi


Presidenti


Duket se për të kursyer buxhetin e Presidencës, pasi nuk ka një arsye tjetër zyrtare, Presidenti i Shqipërisë ka zgjedhur të udhëtojë me mbi 250 pasagjerë në traget


 


 


Ftesa


Përse ishte Presidenti në Itali


Më 16 korrik, Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, së bashku me Zonjën e Parë, Teuta Topi, dhe në krye të delegacionit zyrtar shqiptar u nis për një vizitë pune drejt Italisë. Sipas njoftimit në faqen zyrtare të Presidentit të Republikës, vizita u realizua me ftesë të kryebashkiakut të Çelino San Markos, Françesko Kashione, për të marrë pjesë në veprimtarinë kulturore: “Itali-Shqipëri: miqësia mes dy popujve”. Në këtë veprimtari kulturore, që u zhvillua në Komunën e Çelino San Markos të Provincës së Brindisit, në rajonin e Puljas, Kryetari i shtetit shqiptar ishte i ftuar i nderit në shenjë vlerësimi për kontributin e dhënë në thellimin dhe forcimin e marrëdhënieve mes popullit shqiptar dhe atij italian me lidhje miqësore historike e tradicionale. Gjatë kësaj vizite pune, Presidenti Topi zhvilloi edhe disa takime zyrtare me autoritetet e larta vendore të rajonit të Puljas në Brindisi dhe në Leçe dhe natën e vonë të 17 korrikut mori rrugën e kthimit nga porti i Barit drejt atij të Durrësit, rrugë që përkoi dhe me problemet e tragetit të agjencisë “Adriatika” që nuk mundi të mbërrijë në kohë. Prania në traget e kreut të shtetit i dha tjetër rëndësi incidentit, duke nxjerrë në pah realitete dhe problematika të një vendi në krizë, pavarësisht asaj që deklarohet.


 


 


Vështirësia


“Presidenti nuk doli nga dhoma”. Dy orë ankth në port për ankorimin


Udhëtarët rrëfejnë udhëtimin e tmerrshëm


pasagjere Sevdie Shala


Sa i mundimshëm ka qenë udhëtimi me tragetin e djeshëm, aq ka qenë edhe ankorimi në Portin e Durrësit. Edhe pse trageti ka mbërritur rreth orës 20:00 në port, janë dashur pothuajse dy orë të tjera për ankorim në kalatë nga frika e përplasjes. Madje, në vend kanë ardhur ambulanca dhe zjarrfikëse, ndërkohë që e gjithë zona është rrethuar me punonjës të Gardës së Republikës. Situata ka qenë deri diku dramatike, teksa udhëtarët e stërlodhur shikonin me padurim nga lartësia e tragetit që të zbrisnin në tokë. Të gjithë specialistët janë vënë në punë, ndërkohë që trageti me avari është ankoruar pranë tragetit tjetër “Adriatica Queen”. Sipas të dhënave nga kapitaneria, trageti e ka pasur të vështirë për të ankoruar për shkak të bllokimit të motorëve, avari e cila nuk ka lejuar manovrimin e tij. Por, rreth orës 22:00, trageti ka arritur të ankorohet dhe i pari që ka zbritur ka qenë Presidenti i Republikës, i cili nuk ka pranuar të komentojë asgjë mbi këtë avari, por nën masa të rrepta sigurie, është larguar nga porti i Durrësit. Ndërkohë, udhëtarët e tjerë kanë qenë tejet të irrituar për faktin e gjendjes skandaloze brenda tragetit. Gjatë gjithë avarisë, ata tregojnë se nuk kanë pasur as drita dhe as ujë në traget, ndërkohë që i kanë lënë edhe pa ngrënë. Madje, në traget ndodheshin shumë fëmijë, por vetëm një pjesë e vogël kishte arritur të ushqehej, pasi kishin mbaruar ushqimet. Ndërsa në lidhje me Presidentin, udhëtarët kanë treguar se i kanë vënë në dijeni se ai ndodhej aty vetëm rreth orës 13:00 dhe fillimisht nuk e kanë besuar, pasi mendonin se ky informacion ishte dhënë për t’i qetësuar, pasi ishin shumë të irrituar. Ata tregojnë se ai nuk kishte dalë asnjëherë nga dhoma e tij dhe e kanë parë vetëm në momentin që po zbrisnin nga trageti.


 


Shifrat


Mbërrijnë mbi 15 mijë udhëtarë, asnjë avari


Në Portin Detar të Durrësit që nga fundjava dhe deri sot kanë mbërritur me tragetet e linjave detare mbi 15 mijë udhëtarë, shumica e të cilëve bashkatdhetarë, të cilët mbërrijnë për të kaluar pushimet e tyre në vendin tonë ose vazhdojnë drejt zonave ku jetojnë të afërmit e tyre në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. Prej një jave është vënë në funksionim terminali i ri i udhëtarëve duke shkurtuar ndjeshëm kohën e kontrollit dhe shmangur problemet e tjera, kryesisht ato të pritjes nën diell e shi. Aktualisht, janë 46 sportele të hapura që funksionojnë normalisht. Për të përballuar fluksin e madh që pritet në fund të këtij muaji dhe fillim të gushtit ka nisur edhe lundrimi i trageteve shtesë në mesditë.