Akuza - Kryeministri deklaroi se ka një mal të turpshëm falsifikimesh për t’u përvetësuar shtëpitë ish-pronarëve, duke e quajtur një çështje që duhet të merret prokuroria
Punësimi - Kryeministri theksoi dje, se rifillimi i punimit të tokës bujqësore në ato pjesë ku është lënë djerrë do të ndihmojë edhe në punësim. Rritja e papunësisë në vend mesa duket ka shqetësuar Berishën dhe po kërkon forma të reja të kthimit të qytetarëve në punë
Kushti - Çështja e pronave është një nga kushtet thelbësore që ka vendosur Komisioni Europian në kuadër të 12 rekomandimeve për marrjen e statusit të vendit kandidat. Kthimi i pronës tek i zoti është një nga elementët bazë që kërkon Europa në këmbim të pranimit të Shqipërisë më afër në rrugën e integrimit
FRD - Zërat tashmë të konfirmuar, se kreu i shtetit, Bamir Topi, do të jetë në krye të FRD-së, duket se kanë bërë që Kryeministri Berisha ta rikthejë vëmendjen te çështja e pronave. Fakti që Topi si një ish-pronar mund t’u japë shpresë pronarëve të mbështesin FRD-në
Pakënaqësitë - Shoqatat e ish-pronarëve kanë shprehur pakënaqësinë e tyre mbi masat e pakta që, sipas tyre, ka marrë kjo qeveri për të kryer procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave. Pronarët kërkojnë dhe abrogimin e ligjit të tokave bujqësore 7501
Kryefjala e mbledhjes së djeshme të qeverisë, ishin pronat. Kreu i qeverisë, Berisha, foli për disa nisma, që lidheshin jo vetëm me tokën bujqësore, por dhe me nevojën për t’iu kthyer ish-pronarëve banesat, të cilat në një pjesë janë të uzurpuara nga pronarë të rinj. Ky rikthim i Kryeministrit te kjo çështje duket se motivohet nga kthimi i Bamir Topit në jetën politike nën siglën e Frymës së Re Demokratike, parti që çështjen e pronave e ka në krye të prioriteteve të saj. Për sa u përket tokave bujqësore, qeveria miratoi dje një nismë ligjore, e cila u jepte drejtuesve të njësive vendore të drejtën për të përcaktuar tokat e lëna djerrë në territorin e tyre që do të jepeshin me qira në këmbim të shumës simbolike prej 1 eurosh, por mbi bazën e kushteve për përdorim. Nga ana tjetër, Berisha kërkoi dje nga ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, që të ndërmerrte një nismë ligjore, e cila do të përfshinte Entin e Banesave për lirimin e banesave të zëna të ish-pronarëve.
Qiraja
Kryeministri Berisha riktheu dje në vëmendje problemin shqiptar të tokave të lëna djerrë, duke paraqitur edhe një nismë të veçantë në qeveri për këtë çështje. Sipas Berishës, qeveritarët vendorë duhet të bëjnë gjithçka që tokat e papunuara të territorit të tyre t’u jepen atyre që kanë vullnetin për të punuar, duke mos humbur pronësinë, por duke zbatuar dhënien e taksës prej 1/10-n pronarëve të tokës. “Unë ftoj kryetarët e komunave dhe të bashkive të bëjnë gjithçka që tokat e papunuara të territorit të tyre t’u jepen atyre që kanë vullnet për të punuar, kur ato kanë të zotin, natyrisht pronësia nuk humbet, por jepen me të dhjetën, një taksë kjo e drejtë, e ndershme, e shkruar edhe në librat e shenjtë, mijëra vjet më parë. Aty ku toka është djerrinë, apo komunale t’ua japin me një euro kundrejt kushteve për të zhvilluar plantacionin apo fermën blegtorale”, theksoi Berisha duke i kërkuar ministrit të Bujqësisë, Genc Ruli, që të marrë masat që kjo nismë të mos dështojë.
Strehimi
Kryeministri Berisha i kërkoi dje ministrit të Transportit, Sokol Olldashi, që të përgatisë një projektligj, i cili do të mundësojë kthimin e disa banesave te pronarët e tyre legjitimë. Sipas tij, qeveria duhet të merrte të gjitha masat që të strehonte dhe banorët që do të prekeshin nga kjo nismë. “Ne u ofrojmë banuesve të tyre kredi me zero interes, por shtëpia e pronarit duhet të lirohet. Ne kemi mbi dy vjet që kemi përcaktuar shumën, kemi ofruar kredinë, por diku funksionon, diku jo se kryetari i bashkisë nuk i pyet. Kjo nuk do të jetë më kështu. Pronarëve duhet t’u kthehen shtëpitë”, deklaroi Berisha, duke ia shkarkuar një pjesë të dështimit për këtë nismë, të zgjedhurve vendorë.
F.Mejdini