
Ambasadori Amerikan ne Tirane Aleksander Arvizu, Ambasadori i OSBE ne Tirane Eugen Wollfarth dhe Shefi i delegacionit te BE Ambasadori Ettore Sequi. Foto ilustruese
Brukseli e përshëndet ngrohtësisht votimin në parlament që nuk ndryshon pothuajse asgjë në sistemin elektoral.
Ambasadorët e huaj si dhe zëdhënësi i Komisionerit Europian për Zgjerimin Stefan Fule përshëndetën vetëm pak minuta pas votimit, miratimin e të ashtuquajturës “reformë zgjedhore” e arritur me mirëkuptimin e PD-së dhe PS-së në kuvendin e Shqipërisë.
Ligji për ndryshimin e kodit aktual zgjedhor u miratua me 127 vota pro paraditen e sotme në një seancë që zgjati në mënyrë të pazakontë më pak se dy orë dhe ku ambasadorët e huaj qenë të pranishëm si vëzhgues.
Ekspertët ligjorë thonë se me reformën e miratuar nuk ndryshon asgjë thelbësore në kuadrin aktual ligjor të zgjedhjeve, por arritja e një mirëkuptimi duket se bind burrokratët e Brukselit se një nga 12 kushtet për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE është plotësuar.
Ambasadori i SHBA Alexander Arvizu deklaroi pas seancës se dëshironte të shikonte edhe heqjen e imuniteteve të miratuar më 6 gusht.
Ettore Sequi, i cili është ambasador i Bashkimit Europian në Tiranë e përshëndeti gjithashtu marrëveshjen e arritur ndërsa zëdhënësi i Fules tha se arritja e reformës zgjedhore është një hap i rëndësishëm drejt integrimit.
“Kam besim se ky vullnet politik jo i lehtë për t’u arritur do të vazhdojë të karakterizojë politikën në të ardhmen,” tha Sequi.
Burrokratët e Brukselit kanë disa muaj që po i kërkojnë gati me të lutur udhëheqësve politikë në Tiranë të arrijnë mirëkuptim për disa reforma, ku cilësia e reformave po lihet në dorë të dytë.
Analistë të ndryshëm sugjerojnë se për shkak të ndryshimit të konjukturës gjeopolitike në Ballkan, veçanërisht marrjes së pushtetit nga nacionalistët në Serbi, burokratët e Brukselit dëshirojnë t’i japin Shqipërisë statusin e vendit kandidat këtë vjeshtë pavarësisht nëse kushtet e vendosura prej tyre janë plotësuar apo jo. Megjithatë, Brukseli duket se po këmbëngul që politika shqiptare të tregojë ndonjë farë mirëkuptimi sa për të fshehur faktin që statusi kandidat po jepet për arsye të real politikës.
Shenjat janë që Brukseli të pranojë si të përmbushur kushtin e dialogut politik me miratimin e reformës zgjedhore, të pranojë si të plotësuar kushtin e luftës kundër korrupsionit me miratimin e heqjes së imunitetit për zyrtarët e lartë si dhe të pranojë të kryer reformën në drejtësi me miratimin e krijimit të Gjykatës Administrative.
19 korrik 2013 (gazeta-Shqip.com)