VETON SURROI
Dueti I pabesueshëm Dell-Lushtaku
5.
Pyetja tjetër që ia shtrova vetes, në të lexuar intervistën, ishte se si qe e mundur që toni yt decidiv – një ton i cili tingëllonte sikur të ishte udhëzim nga vetë sekretarja e Shtetit – se nuk do lejosh assesi që Pacolli të zgjidhet president i Kosovës, të ketë ndryshuar krejtësisht. Të ketë ndryshuar aq sa të jesh pjesë e një dysheje të pabesueshme që zhvillonte operacionin e zgjedhjes së Pacollit president, Dell-Lushtaku. Ti i ulur në llozhën me telefon në dorë, duke zhvilluar një betejë SMS-sh dhe në ndihmë tënden, brenda korridoreve të Kuvendit kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, njeri i konsideruar i fortë nga PDK-ja dhe nga gjyqësia që e pat dënuar me burg për shkak të kërcënimit ndaj një gjyqtari.
As më shkon mendja të spekuloj për psenë, nuk e kam qëllimin këtu. Dhe as që dua të përshkruaj të gjitha epitetet me të cilat e ke quajtur Pacollin, më i buti prej të cilëve mund të ketë qenë “rus”.
Dua, në fakt, të ndalem tek ajo pjesë e intervistës ku thua se “gjatë asaj periudhe kohore z.Surroi e ka pasur edhe një bisedë me Behgjet Pacollin, të cilit i ka thënë se do të bëjë gjithçka brenda mundësisë së tij për ta shkatërruar atë”.
E formuluar siç ke thënë i bie erë kërcënimi, bile kërcënimi fizik, i dënueshëm me ligj.
Por, si ke mundur të dish se çka kemi biseduar unë dhe Pacolli, kur kemi qenë vetëm ne të dy në zyrën time?
6.
Disa ditë para votimit për president, Behgjet Pacolli kërkoi të takoheshim ku dhe kur të doja.
I thashë të vinte në zyrën time në Klub për politikë të Jashtme, menjëherë.
Ishte hera e parë, e papërsëritur deri më tani, që do të zhvillonim bisedë.
Pacolli erdhi për të kërkuar përkrahjen time për t’u zgjedhur ai President. Nuk do t’i shpalos këtu fjalët e tij, sepse do të isha i padrejtë ndaj zotit Pacolli – fundja biseda në masë të madhe ishte e këndshme, e ardhja e tij në zyrën time për mua nënkupton obligimin e konfidencialitetit.
Mund të shpalos vetëm ato që ia thashë në fund, se nuk do të ishte mirë për Kosovën që ai të zgjidhet president, duke e marrë parasysh rolin e tij në të kaluar gjatë luftës në Kosovë, mungesën e përvojës, si dhe namin kundërthënës që ka aktiviteti i tij në vende të ndryshme të botës (si për shembull Libia). Për më tepër, i thashë se në situatën ku Kryeministër është Thaçi, i akuzuar jashtë për tregti organesh e brenda për vjedhje votash, kombinimi i të dyve do ta vinte Kosovën në situatë të përhershme shantazhi dhe kjo do të shkaktonte dëme të mëdha, posaçërisht marrë parasysh insistimin europian për bisedime me Serbinë.
Ku është këtu kërcënimi ndaj zotit Pacolli? Qenë të vërteta të pakëndshme, apo së paku unë i konsideroj të vërteta, ato që ia thashë zotit Pacolli, por nuk kishte as fijen elementare të kërcënimit.
Ajo që pashë unë ishte kërcënim ndaj Kosovës. Njëri prej momenteve më të rënda që kam parë në këtë pasluftë ishte zgjedhja, apo “zgjedhja” e Pacollit president. Ja ku ishte njeriu që na e dërgoi Milosheviçi gjatë luftës për të zhvilluar negociata me të, në momentin kur ne kërkonim ndërmjetësim më të madh amerikan. Ja ku ishte njeriu që i vuri në pozitë të keqe dhjetëra studentë kosovarë, që duhej t’i duartrokisnin kolonelit Gadafi e të vallëzonin para tij, disa muaj para se kundër tij të ngrihej populli libian, vetëm pse Pacolli kishte interesa komerciale në atë vend. Ja ku ishte njeriu i identifikuar me Azinë Qendrore, oligarkët rusë dhe ish-presidentin Jelcin që mendonte se modeli më efikas i qeverisjes është ai i Kazakistanit.
7.
Të supozojmë se shpjegimet e mia të deritanishme nuk janë të vërteta.
Të supozojmë për një moment se z.Pacolli të ka thënë se unë e kam kërcënuar.
Kjo do të thotë se je shndërruar në bartës të fjalëve të zotit Pacolli, madje duke mos e cituar, por duke i marrë ato fjalë si të vërteta të pakontestueshme.
Dhe, kjo, për mua, të shndërron në bartës thashethemesh.
E tash, të supozojmë se qenka i vërtetë versioni yt se unë paskam kërkuar që të organizosh darkë te ti në shtëpi, që ta ftosh Thaçin dhe që aty, në prani të të gjithë juve ka filluar zvarritja ime lutëse drejt Thaçit “për të më bërë president”.
Gati dy vjet më pas, në kontekst të një analize politike, ti del me përshkrimin e një skene e cila, edhe po të kishte ndodhur, do të duhej ta gëzonte konfidencialitetin e shtëpisë sate.
Rregulli i parë i mikpritjes, jo vetëm ndër shqiptarë, por te të gjithë popujt është se ftesa në shtëpi nënkupton mbrojtjen e mysafirit.
Ftesa në shtëpi fiton edhe një dimension tjetër mbrojtjeje, në rastin kur këtë e bën diplomati: nënkupton konfidencialitetin, besueshmërinë, madje edhe mbrojtjen shtetërore.
Në vitin 1990 qeshë ftuar nga Ministri i jashtëm spanjoll në një darkë në ambasadën spanjolle në Beograd. Pas darke, së bashku me korrespondentin e agjencisë së lajmeve EFE, qeshë arrestuar nga policia serbe dhe dërguar për interrogim, më bëheshin pyetje se çka kisha biseduar me ministrin. Ministri nuk u largua nga Beogradi derisa u lirova nga policia serbe me garanci se do të arrija të kthehesha pa pengesa në Prishtinë; fjalët e thëna në rezidencën spanjolle më kishin vënë në mbrojtje.
Në rezidencën tënde, fjalët e mia jo vetëm se nuk më mbrojtën – ato edhe u shtrembëruan. Në vend të diplomatit të karrierës, ke degraduar në kategorinë e asaj që në Kosovë njihen si gra të këqija, bartës thashethemesh, edhe asosh të shtrembëruara nga ti.
8.
Ke dalë krejtësisht jashtë binarëve diplomatikë, por ende nuk kemi zbuluar pse.
Duhet të jetë një ankth i madh, dhe po përpiqem ta gjej, por në asnjë prononcim timin publik nuk shoh se të kam ftuar të marrësh këso tatëpjete.
Nëse nuk qenkan fjalët e mia të shqiptuara publikisht, ndoshta do të ishin ato që nuk i kam shqiptuar publikisht, ndoshta janë ato që i kemi biseduar mes vetes?
Ndoshta duhet zënë fillin pak më herët, me një telefonatë befasuese tënden, duke më kërkuar një favor.
(Nesër: Operacioni Limaj)