Varfëria
Në sanatorium, në 70% të rasteve trajtohen banorët e zonave verilindore
Lorina Mixha
Në vendin tonë, gati dy persona në ditë preken nga tuberkulozi. Në 100 mijë banorë preken nga kjo sëmundje infektive 15 pacientë të rinj. Sëmundja prek kryesisht të varfrit.
Në vitin 2006, nga shifrat e mbledhura në spitale janë diagnostikuar 500 raste të reja. Këto shifra, këtë vit u konsideruan si jonormale, pasi duke krahasuar popullsinë tonë dhe atë europiane, rastet e reja të shfaqura me tuberkuloz kanë qenë shifra të konsideruara të larta. Ndërkohë që nga viti në vit, deri në 2011-n, këto shifra konsiderohen se kanë ardhur drejt uljes. Sëmundja e tuberkulozit shfaqet në vendet ku ka kushte higjienike të ulëta, prek atë kontingjent njerëzish që jetojnë në shtëpi me lagështi dhe në përgjithësi zonat e varfra, ku pacientët neglizhojnë të paraqiten në spital dhe në gjendje të përkeqësuar. Sipas spitalit të sëmundjeve të mushkërive, “Shefqet Ndroqi”, pacientët, të cilët i janë drejtuar për ndihmë sanatoriumit janë kryesisht banorët e zonave verilindore. Rreth 70 për qind e rasteve të paraqitura janë nga qyteti i Dibrës, i Shkodrës dhe Kukësit. Por të prekurit nga tuberkulozi nuk janë vetëm në këto qytete. Sipas mjekëve, në trevjeçarin e fundit, sëmundja e tuberkulozit është shfaqur edhe në zona ku më parë nuk janë evidentuar raste të prekura.
Ka pacientë të tjerë që shtrohen në spital si pasojë e kequshqyerjes apo e mungesës së ushqimit me proteina e vitamina.
Nga ana tjetër, risku i përhapjes së sëmundjes së tuberkulozit është shumë i madh, pasi një i sëmurë mund të infektojë 10 deri në 12 persona të tjerë.
Në Shqipëri regjistrohen 14 raste të reja për 100 mijë banorë, rreth 450 raste të reja në vit. Në dekadën e fundit prirja e rasteve të reja ka qenë në ulje të qëndrueshme dhe pothuajse është pakësuar përgjysmë, nga 27 raste të reja për 100 mijë banorë, 790 raste në 1999-n, në 14 raste të reja për 100 mijë banorë, afërsisht 450 raste të reja në vit në 2010-n.
Shenjat e para të shfaqjes së tuberkulozit janë dobësi e përgjithshme, djersitje e lehtë e të sëmurit dhe temperaturë deri në 37 gradë. Edhe pse simptomat duken të njëjta si një grip i zakonshëm apo një sëmundje virale normale, i sëmuri duhet të kontrollohet te mjeku specialist, në mënyrë që të parandalojë dhe të kurojë sëmundjen që në fillesat e saj.
Rezistenca e shumëfishtë ndaj medikamenteve antituberkulare, që përbën një kërcënim serioz, pasi medikamentet mund të mos jenë të efektshme, është e ulët (nën 1%). Mjekimi është i suksesshëm në mbi 87% të rasteve të reja me tuberkuloz.
Politikat ekonomike për eliminimin e varfërisë ekstreme kanë impakt të drejtpërdrejtë me sëmundjen. Tuberkulozi prek në radhë të parë shtresat e varfra të popullatës.
Megjithëse tuberkulozi është sëmundje infektive, ajo ka karakter të theksuar social dhe lidhet ngushtë me varfërinë. Ajo ka prekur dhe vazhdon të prekë shtresat më të pambrojtura dhe lulëzon në vendet më të varfra të botës, si në Afrikë, Azi, por edhe në Europën Lindore.
Sëmundja – Sipas spitalit “Shefqet Ndroqi”, në Shqipëri regjistrohen 14 raste të reja për 100 mijë banorë, rreth 450 raste të reja në vit
Infeksioni – Tuberkulozi mbetet një sëmundje infektive, që nëse neglizhohet përkeqësohet brenda një kohe të shkurtër. Vdekshmëria është nën 0.5%
Shëndetësia
Raporti – Një në gjashtë fëmijë kanë probleme me prapambetjen në rritje. Kjo duke nisur nga gjatësia. Pesë në gjashtë fëmijë rriten normalisht
Gjidhënia – Ushqyerja ekskluzive me gji haset në rreth 39 për qind të fëmijëve nën gjashtë muaj dhe ushqimi shtesë nis në muajt e parë
2009
Studimi demografik: 7% tregues të ulët të peshës
Në studimin e parë demografik realizuar në vitin 2009 në Shqipëri referohet se: Mbulesa e vaksinave te fëmijët shqiptarë mbetet 95 për qind. Shumica e grave marrin kujdes shtatzënie dhe i lindin fëmijët e tyre në maternitet. Megjithatë, një në gjashtë fëmijë paraqet prapambetje në rritje dhe 7 për qind kanë tregues të ulët të peshës për gjatësi. Ushqyerja ekskluzive me gji haset në rreth 39 për qind të fëmijëve nën gjashtë muaj dhe ushqimi shtesë te foshnjat fillon në muajt e parë të jetës. Rreth dy të tretat e grave të martuara përdorin një metodë të planifikimit familjar dhe treçereku i grave janë në dijeni të tri metodave më të zakonshme se si parandalohet HIV/AIDS. Në Shqipëri vdekja foshnjore është ende në shifra alarmante, 18 vdekje për 1 000 lindje, kjo sipas studimit demografik dhe shëndetësor 2008/2009. Te vdekshmëria foshnjore vërehet rënie, megjithatë për vdekshmërinë foshnjore duhet të theksoj se ka ende për të bërë. Vdekshmëria në foshnjat njëmuajshe është shumë rezistente. Janë 10-11 foshnja njëmuajshe në një mijë që vdesin. Vdekshmëria foshnjore në vendin tonë rezultonte tri herë më e lartë krahasuar kjo me normat e BE-së.
Tavo
“Të ndikojmë në ndryshimin e sjelljes së popullsisë në lidhje me ushqyerjen, t’u japim më shumë peshë problemeve të të ushqyerit”
Shëndetësia
Projekt për reduktimin e kequshqyerjes mes fëmijëve
Ministria e Shëndetësisë në partneritet me UNICEF-in shpalli pak ditë më parë konkursin “10 nënat më të mira të vitit”. Kjo garë është pjesë e fushatës ndërgjegjësuese rreth “Mënyrave të reja dhe më të mira të ushqyerjes së foshnjës dhe fëmijës”.
Të gjitha nënat që dëshirojnë të marrin pjesë në të, duhet t’u përgjigjen disa pyetjeve të parashtruara në një formular, bazuar në eksperiencën personale të ushqyerjes së fëmijëve.
Konkursi është i hapur për publikun deri në fund të muajit tetor dhe më pas juria do të shpallë 10 nënat fituese.
Qeveria shqiptare në partneritet me Kombet e Bashkuara dhe me një financim nga Fondi Spanjoll i Arritjes së Objektivave për Zhvillimin e Mijëvjeçarit për Fëmijët, Ushqyerjen dhe Sigurinë e Ushqimit, që prej 2009-s po zbatojnë programin e përbashkët “Për reduktimin e kequshqyerjes mes fëmijëve shqiptarë”.
Të dhëna
1
Roza Anagnosti do të jetë “ambasadore” e çështjes së ushqyerjes së shëndetshme të fëmijëve
2
Aktorja do të jetë në rolin e një supergjysheje. Ajo do të lobojë nëpërmjet spoteve mediatike