Autoritetet as e kundërshtojnë, as e pranojnë kërkesën e BE-së për bisedime me Serbinë
Autoritetet e Prishtinës kanë hezituar ta kundërshtojnë hapur kërkesën e Bashkimit Europian për hapjen e dialogut me Serbinë për çështjen e Veriut. Presidenca dhe qeveria nuk u thanë as “po” e as “jo” bisedimeve, por ripërsëritën qëndrimin se zgjidhja e këtij problemi gjendet në Kushtetutën e Kosovës dhe Pakon e Martti Ahtisaarit.
Një ditë pasi zyrtarët e BE-së kërkuan hapur dialog politik mes Kosovës dhe Serbisë, zyrtarët në Prishtinë kanë vazhduar të përsëritin deklaratat se nuk do të ndodhë një gjë e tillë.
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka deklaruar se zgjidhja për problemin e Veriut do të gjendet në Kushtetutën dhe Pakon e Ahtisaarit.
Afati i Planit të Martti Ahtisaarit përfundon në vjeshtë me përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur, ndërsa në atë kohë pritet të hapet dialogu Prishtinë-Beograd për Veriun e Kosovës.
Gazeta “Express” citon burime të saj ndërkombëtare të kenë thënë se “meqë Veriu nuk është zgjidhur sipas Pakos dhe Kushtetutës deri më tash, për atë pjesë do të ketë aranzhime të reja”, të cilat i kanë kërkuar edhe të mërkurën zyrtarët më të lartë të BE-së. Por, Hajredin Kuçi e ka mohuar një gjë të tillë.
“Natyrisht, jemi të interesuar edhe për një fqinjësi të mirë me të gjitha vendet e rajonit, përfshirë edhe Serbinë, për fqinjësi që respekton sovranitetin e njëri-tjetrit, pavarësinë e njëri-tjetrit dhe që respekton, do të thosha, identitetet nacionale dhe shtetërore që kemi krijuar”, ka thënë ai.
Sipas tij, sa i përket Veriut, edhe Presidentja gjatë qëndrimit në Bruksel e ka shprehur qëndrimin e qartë, që çdo zgjidhje do të jetë në kuadër të Kushtetutës së Kosovës dhe Pakos së Ahtisaarit.
Por, as Kuçi e as Jahjaga nuk janë shprehur kundër dialogut me Beogradin, që është kërkuar të mërkurën nga Presidenti i BE-së, Herman van Rompoy dhe shefi i Komisionit Europian, Hose Manuel Barroso.
Të dy zyrtarët e BE-së kërkuan dialog politik mes dy vendeve për të zgjidhur problemin e Veriut dhe në të njëjtën kohë kërkuan të respektohen edhe marrëveshjet e arritura më herët mes dy vendeve.
Të njëjtën deklaratë e ka përsëritur edhe të enjten zyrtari tjetër në Bruksel, sekretari i NATO-s, Andreas Fogh Rasmussen, gjatë një takimi që ka pasur me Presidenten Atifete Jahjaga. Ai ka kërkuar zgjidhje politike për problemin e Veriut të Kosovës dhe ka garantuar se nuk do të ketë ndarje të Republikës. Sipas një komunikate për media, Presidentja Jahjaga nuk e ka kundërshtuar kërkesën e zyrtarëve të Brukselit për dialog politik me Beogradin, por ka thënë se pjesa veriore do të vazhdojë të integrohet në pjesën tjetër të Kosovës.
Por, kundër bisedimeve me Serbinë, si gjithmonë, ka dalë lideri i “Vetëvendosjes”, Albin Kurti. Ai ka thënë se në krejt këtë lojë fiton Beogradi e humb Prishtina. Ai i cilëson bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të nisura nga BE-ja si të padrejta, pasi prekin në sovranitetin dhe integritetin e shtetit të Kosovës. “Synimi i Beogradit është sajimi i një entiteti territorial autonom në Veri të Kosovës, nëpërmjet të cilit do të mund ta bënte Kosovën një shtet jofunksional dhe së shpejti, edhe shtet të dështuar”, ka shtuar Kurti. Ky udhëheqës i lëvizjes “Vetëvendosje” i ka bërë thirrje BE-së të mos e keqpërdorë situatën aktuale të institucioneve për t’iu bërë presion për dialog me Beogradin.
BE: Marrëveshjet e arritura duhen zbatuar
Bashkimi Europian ka porositur Beogradin dhe Prishtinën të mos anulojnë marrëveshjet e arritura në Bruksel. Maja Kocijançiç ka thënë se nuk është në interesin e asnjërës palë që marrëveshjet e arritura të anulohen. “Kosova edhe Serbia janë zotuar gjatë procesit të bisedimeve për zbatimin e marrëveshjeve të arritura. Dialogu është gjithashtu pjesë e kushtëzimit për të dyja palët, në mënyrë që të shënohet progres drejt Bashkimit Europian. Kështu që unë nuk besoj se është në interesin as të Kosovës e as Serbisë për t’i ‘anuluar’ marrëveshjet – përkundrazi palët duhet t’i zbatojnë ato sa më shpejt që është e mundur”, ka thënë Kocijançiç. Reagimi ka ardhur një ditë pasi ish-shefi i ekipit negociator serb, Borko Stefanovicv, ka porositur udhëheqësinë e re në Serbi, që nëse i vlerësojnë të kontestueshme, t’i anulojnë marrëveshjet nëse është e mundur. “Nëse munden, Nikoliç dhe Daçiç t’i anulojnë marrëveshjet, ndërsa ndaj nesh të ngrenë përgjegjësi penale”, ka thënë Stefanoviç.